Bullgari, ekonomia do të rritet me 2.8% në vitin 2022

Bullgari, ekonomia do të rritet me 2.8% në vitin 2022

Parashikimi i verës nga Komisioni Europian për ekonominë e BE-së, përmirësoi vlerësimin për rritjen ekonomike të Bullgarisë këtë vit, në 2.8%, por uli parashikimin për vitin 2023, në 2.3%.

Në parashikimin e mëparshëm të pranverës, Komisioni kishte vlerësuar një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) me 2.1% në vitin 2022 dhe 3.1% në vitin 2023.

“Rritja e parashikimit për vitin 2022 reflekton rimëkëmbjen e fortë në tremujorin e parë të këtij viti. Mjedisi më i dobët i jashtëm dhe kushtet më të shtrënguara të kreditimit, të kombinuara me rritjen më të dobët të pagave reale, shpjegojnë rënien e parashikimit për vitin 2023”, tha KE.

Komisioni shtoi se rritja ekonomike e Bullgarisë me 0.8% në tremujorin e parë ishte për shkak të kushteve të favorshme të tregut të punës dhe rritjes së mprehtë të pagave në sektorin privat, në fillim të vitit.

“Besimi i konsumatorit është përkeqësuar, duke filluar nga marsi 2022, duke treguar rritje më të ulët të konsumit privat për pjesën tjetër të vitit”, thuhet në parashikim.

“Rritja e fortë e pagave në vitin 2022 do të çojë në një rritje të mëtejshme të çmimeve, veçanërisht në sektorin e mallrave të patregtueshme”, tha Komisioni.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në Bullgari, treguesi i përdorur për të krahasuar inflacionin me mesataren e BE-së, parashikohej të rritej me 12.5% në vitin 2022, për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, si dhe efekteve jo të drejtpërdrejta të rritjes së çmimeve të energjisë në sektorë të tjerë të ekonomisë.

“Pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia vazhdon të dërgojë valë tronditëse në ekonominë globale. Veprimet e Moskës po ndërpresin furnizimet me energji dhe drithëra, duke rritur çmimet dhe duke dobësuar besimin”, tha në një deklaratë komisioneri europian për ekonominë, Paolo Gentiloni.

“Në Europë, vrulli nga rihapja e ekonomive pritet të mbështesë rritjen vjetore në vitin 2022, por për vitin 2023, ne e kemi rishikuar ndjeshëm parashikimin. Inflacioni rekord tani pritet të arrijë kulmin në fund të këtij viti dhe gradualisht të ulet në vitin 2023.

“Për shkak të luftës dhe furnizimeve me gaz, ky parashikim është subjekt i pasigurisë së lartë dhe rreziqeve negative”, tha ai.