ChopinPianoFEST hap audiconet për 'Çmimin Special'

ChopinPianoFEST hap audiconet për ‘Çmimin Special’

ChopinPianoFEST Prishtina ka hapur audicionet për ‘Çmimi Special’ që do të ndahet në kuadër të festivalit, shkruan KultPus.

Në njoftimin e bërë nga ChopinPianoFES tregohet se të drejtë pjesëmarrjeje në audicion kanë studentët e pianos së Fakultetit të Arteve të UP-së dhe nxënësit e pianos së shkollave të muzikës të Kosovës fitues të çmimeve në gara paraprake.

Tutje në njoftim tregohet se audiconet do të mbahen më 28 qershor 2021 me fillim në orën 12.00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:

Lajmërim me rëndësi!

Çmimi Special për talentët e rinj-ChopinPianoFEST Prishtina Special Prize 2021

Çmimi Special i festivalit pianistik ChopinPianoFEST Prishtina tashmë është Çmim tradicional i festivalit që i ndahet një pianisti/pianiste të re.

Ky Çmim ndahet me mbështetjen e Dr. Herbert Groeger nga Bad Honnef/Salzburg në bashkëpunim me pianisten tonë Ardita Statovci e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij Çmimi special qysh në vitin 2017.

Audicioni per Çmimin Special për piano që ndahet në kuadër të ChopinFest-it për një të ri /të re të talentuar nga Kosova, do të mbahet me 28 qershor 2021 me fillim në orën 12.00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Të drejtë pjesëmarrjeje në audicion kanë studentët e pianos së Fakultetit të Arteve të UP-së dhe nxënësit e pianos së shkollave të muzikës të Kosovës fitues të cmimeve në gara paraprake, të cilët në repertorin e tyre kanë të përgaditur një program në kohëzgjatje prej 60 minutash në rast se do të përzgjedheshin si fitues.

Në audicionin përzgjedhës, kandidatët duhet të performojnë nje program prej 45 min. duke përfshirë një vepër obligative të Beethoven-it, përvec Sonatave, Variacioneve, Bagatellave mund të luhen edhe vepra tjera më të shkurtëra nga ky kompozitor) ose një vepër nga R. Schuman. Pjesa tjeter e repertorit është e lirë. Inkurajohen kandidatët që në program të përfshijnë një pjesë nga kompozitorët shqiptarë.Programi në audicion luhet përmendësh.

Paraprakisht, deri me daten 20 qershor 2021  të interesuarit duhet të aplikojnë duke dërguar organizatorëve në emailin [email protected], program-propozimin e recitalit (në formë të shkruar,komplet programin në kohëzgjatje prej 60 min dhe një pjesë për bis (encore) te cilin kandidati fitues do ta luante në Bonn ne rast se shpallet fitues.

Kandidatët që nuk aplikojnë me programin e shkruar dhe me detajet përkatëse deri me 20 qershor 2021  nuk do të mund të luajnë në audicion.

Kandidatët fitues të edicioneve paraprake të ChopinPianoFEST-Çmimit Special nuk do të kenë të drejtë garimi.

Në këtë edicion çmimi special i Chopin Fest-it përfshin:

a) Një koncert recital në vendet gjermanofone  Gjermani ose Austri gjatë sezonit 2021-2022

b)  Masterklasë (varësisht nga termini)

c)  Vizitë në vendet historike me rëndësi muzikore historike në një prej qyteteve në vendet gjermanofone 

d) Njohje me kulturën e këtij regjioni

Të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga sponsori i Çmimit Special.

ChopinPianoFEST Prishtina, ju uron përgatitje të mirë dhe sukses të gjithë kandidatëve që do të jenë pjesëmarrës në audicion për të fituar një mundesi fantastike në etablimin e karrierë së një pianisti/pianisteje!/ KultPlus.com