Cilësia e furnizimit me energji - ERE: Ndërprerjet s’mund të zgjasin më shumë se 2.78 orë, punimet të njoftohen para 72 orësh

Cilësia e furnizimit me energji – ERE: Ndërprerjet s’mund të zgjasin më shumë se 2.78 orë, punimet të njoftohen para 72 orësh

Ndërprerja e energjisë elektrike nuk mund të zgjatë më shumë se 2.78 orë pas një defekti në sistemin e shpërndarje në tensionin e mesëm dhe të ulët, ndërkohë që kjo kohë është më e shkurtër për rrjetin 35, 20, 6-10 dhe 0.4 KV, duke variuar nga 1 deri në 2.74 orë. Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar Treguesit e Matjes për Cilësinë e Furnizimit dhe Performancës së Sigurisë së Rrjetit të Shpërndarjes, ku përcaktohen detyrimet që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në drejtim të shërbimit ndaj klientëve.

Sipas këtyre treguesve, periudha e njoftimit të ndërprerjeve të planifikuara në sistemin e shpërndarjes duhet të jetë 72 orë, ndërkohë që koha e nevojshme për t’iu përgjigjur ankesave, që kanë lidhje me matjen duhet të jetë 5 ditë pune nga data e paraqitjes së ankesës. Gjithashtu, përcaktohet se koha e nevojshme për të rilidhur energjinë është brenda 48 orësh, nga kryerja e pagesës së detyrimit dhe me kërkesë të klientit. Rregullorja për kriteret standarde të cilësisë së shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike, është miratuar në vitin 2017, por përgjatë një periudhe disa vjeçare nuk ka qenë në fuqi.

Ndërkaq, përpara miratimit të këtyre kritereve, Shoqata Shqiptare e Furnizuesve të Energjisë Elektrike dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë paraqitën komente dhe ngritën disa shqetësime, por ato u konsideruan si të parakohshme nga Enti Rregullator i Energjisë. Kjo, për faktin se rregullorja e sipërpërmendur s’ka qenë në fuqi, çka sipas ERE-s e bën të pamundur vlerësimin mbi eficencën e saj apo ndikimin e saj në tregun dhe sektorin e energjisë elektrike në tërësi, si dhe performancën e ofruar nga OSSH, në veçanti.

Ola Mitre / SCAN

TABELË

Koha për rikthimin e shërbimit të furnizimit me energji elektrike pas një defekti në sistemin e shpërndarjes

Tensioni i mesëm + Tensioni i ulët

2.78 orë

Rrjeti 35 kV

Zonë urbane 1.73 orë

Zonë rurale 1.77 orë

Rrjeti 20 kV

Zonë urbane 1.34 orë

Zonë rurale 1.70 orë

Rrjeti 6 –10 kV

Zonë urbane 2.54 orë

Zonë rurale 2.74 orë

Rrjeti 0.4 kV

Zonë urbane 1.07 orë

Zonë rurale 1.5 orë

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.