Çmimet europiane të gazit, në nivele rekord - Gazprom paralajmëron se tendenca mund të vijojë në rritje

Çmimet europiane të gazit, në nivele rekord – Gazprom paralajmëron se tendenca mund të vijojë në rritje

Çmimet e gazit natyror në Europë, që aktualisht qëndrojnë në nivele të larta, mund të rriten edhe më më  tej, për shkak të niveleve të ulëta të rezervave. Paralajmërimi vjen nga Alexei Miller, bosi i kompanisë ruse të gazit, Gazprom. Miller tha gjithashtu se, kërkesa po rritet për gazin natyror, që e përshkroi si një karburant të pastër, që mund të ndihmojë në periudhën e tranzicionit drejt energjisë së gjelbër. Ai tha se, aktualisht rezervat në Europë janë në rreth 22.9 miliardë metër kub gaz, shumë poshtë niveleve normale.

“Europa do të hyjë në periudhën vjeshtë/dimër me mungesa të gazit të magazinuar. Kjo situatë po ndikon në rritjen e çmimeve, që po regjistrojnë nivele të njëpasnjëshme rekord. Nuk përjashtohet mundësia që çmimet të kalojnë edhe rekordet e regjistruara tashmë”, deklaroi Miller. Çmimet e gazit në qendrën holandeze TTF, që është një benchmark europian, janë trefishuar gjatë këtij viti në nivele rekord, duke rritur edhe çmimet e energjisë elektrike. Miller shtoi se, Gazprom poi  përmbahet plotësisht detyrimeve të furnizimit dhe kompania është e gatshme të prodhojë më shumë nëse do të jetë e nevojshme.

Gazprom pritet të dyfishojë kapacitetet e eksportit të gazit drejt Europës përmes Detit Balltik, pasi dy javë më parë përfundoi gazsjellësi Nord Stream 2, i cili do të transportojë gaz drejtpërdrejt Gjermanisë. Megjithatë, gazsjellësi ka nevojë të marrë edhe miratimin e Gjermanisë, një proces që pritet të zgjasë deri në katër muaj. Gjithashtu, Nord Stream 2 është përballur me sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me kritika nga vendet e tjera, që paralajmërojnë se do të rritet varësia e Europës ndaj gazit rus.

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.