Covid “injoron” vaksinën në Sejshell . Mbi 1/3 e rasteve pozitive janë vaksinuar me 2 doza

Covid “injoron” vaksinën në Sejshell . Mbi 1/3 e rasteve pozitive janë vaksinuar me 2 doza

Ishujt Sejshell po paraqesin një problem për ekspertët e shëndetësisë në botë, ndërkohë që Covid-19 po rritet tek individët e vaksinuar plotësisht.  Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi në nisje të javës se do të rishikojë të dhënat e koronavirusit në Sejshell, arkipelagun e 115 ishujve në Oqeanin Indian.  Kjo erdhi pasi ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se mbi 1/3 e njerëzve që janë testuar pozitiv me Covid-19 në javën që përfundoi më 8 Maj, ishin të vaksinuar me 2 doza.  Ishujt Sejshell kanë një nga fushatat më të suksesshme të vaksinimit deri më tani,  pasi ka normën më të lartë të personave të imunizuar, sipër Izraelit dhe Britanisë.  Shumica e të vaksinuarve kanë marrë injeksionin e Sinopharm të Kinës si dhe të AstraZeneca. Në total, me një popullsi prej 97,000, ishujt Sejshell kanë regjistruar nën 8,200 raste dhe 28 vdekje gjatë pandemisë. Në nisje të javës, ministria e shëndetësisë raportoi një rritje të madhe të rasteve. Nga 120 raste të reja më 30 Prill, mbi 300 raste në ditë janë regjistruar më 8 Maj.  Tek rastet pozitive, ministria theksoi se 63% kishin marrë një dozë të vaksinës apo fare,  ndërsa 37% ishin vaksinuar me 2 doza të Sinopharm apo AstraZeneca.   Tek pacientët në spitale, 80% nuk ishin vaksinuar dhe kishin sëmundje shoqëruese.  Sipas të dhënave, thuajse të gjithë rastet në gjendje kritike nuk ishin vaksinuar dhe asnjë nga pacientët me 2 doza të vaksinës nuk kanë ndërruar jetë.   Situata ka alarmuar ekspertët, ndërkohë që 60% e popullsisë së ishujve është vaksinuar plotësisht.

 

Klevis Llaha – SCAN

 

 

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.