Daut Haradinaj kandidat për kryetar të Prishtinës nga AAK-ja

Daut Haradinaj kandidat për kryetar të Prishtinës nga AAK-ja – Lajmet e fundit



Anëtari i AAK-së, Daut Haradinaj, do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, në zgjedhjet e shtatorit.

Kështu ka bërë të ditur kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

“Pas konsultimeve të vazhdueshme, me kënaqësi ju njoftoj për kandidaturën e Aleancës për kryeqytetin. Për Kryetar të Prishtinës, kandidat nga AAK do të jetë z. Daut Haradinaj. Ai është njëri nga protagonistët kryesorë të luftës për liri dhe shtetndërtimit, udhëheqës në UÇK dhe TMK, deputet i zgjedhur dhe i dyti më i votuar nga radhët e Aleancës, ish shef i Grupit Parlamentar dhe jurist me profesion”, shkruan Ramush Haradinaj në Facebook, transmeton Zeri.info.

Haradinaj ka përmendur edhe ligjin për kryeqytetin që ishte votuar në kohën sa ai ishte kryeministër.

“Me këtë Aleanca e konfirmon respektin për kryeqytetin, të cilin e bëri me ligj, ia ktheu Pallatin e Rinisë, e përkrahu me buxhet e projekte të shumta zhvillimore. Aleanca konfirmon po ashtu, respektin për qytetarin dhe qeverisjen komunale, si dhe vendosmërinë për të fituar”, shkruan tutje ai.

Haradinaj thekson se “Qeverisja në nivel komunal, është veprimi më i afërt për të përmirësuar jetën e qytetarëve”. /Zëri/