Deçani kërkon riparimin e ambientit të shkatërruar nga hidrocentralet

Deçani kërkon riparimin e ambientit të shkatërruar nga hidrocentralet – Lajmet e fundit



Aktivistët në Komunën e Deçanit nuk besojnë se rrjedha e Lumëbardhit, mund të ketë pamjen që ka pasur dikur.

Ata thonë se ndërtimi i tri hidrocentraleve ka shkaktuar dëme të pariparueshme në ambientin përreth.

Në atë që njihet si Gryka e Deçanit operojnë tri hidrocentrale: “Lumëbardhi II”, “Deçani” dhe “Beleja”, që të gjitha në pronësi të kompanisë “Kelkos Energy” sh.p.k.

Këtyre tri hidrocentraleve iu ndalua operimi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), më 14 tetor, 2020, për shkak se dështuan që të pajiseshin me leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Shpresa Loshaj, një aktiviste e zëshme kundër degradimit të Lumëbardhit, shpreson që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit të obligojë ndërmarrjen “Kelkos Energy” që të rivitalizojë pjesët, që sipas saj, i ka shkatërruar vet.

“Unë po frikohem shumë që do t’ia japin lejen mjedisore e këndej ne na thonë se nuk ja japin lejen pa i plotësuar kushtet”, thotë Loshaj e cila drejton organizatën “Pishtarët”.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet një hetim i pavarur për t’i hetuar dëmet që janë shkaktuar nga ndërtimi i hidrocentraleve në Deçan.

Në veçanti, Loshaj, përmend dëmtimet e ambientit që kanë ndodhur në pjesën që njihet si Zalli i Rupës.

“Aty është tokë zallore dhe kanë gërryer, me miliona kubikë rërë i kanë marrë dhe duke i ndërtuar të gjitha objektet që kanë pasur nevojë, me atë rërë nga aty, pa paguar asnjë cent”, thotë Loshaj.

Nuk ka operim pa leje mjedisore

Në vendimin e ZRRE-s ë të marrë këtë javë thuhet se “Kelkos Energy” dështoi që në afatin e paraparë të pajisej me leje mjedisore.

“Për shkak se ndërmarrja [‘KelkosEnergy’ sh.p.k.] nuk ka arritur të sigurojë lejen mjedisore nga Ministria e Ambientit siç është kushtëzuar me vendimet e licencave të përkohshme, Bordi ka konstatuar se licencave ju ka skaduar afati dhe hidrocentralet në fjalë nuk ju lejohet të operojnë më tutje”, thuhet në vendimin e ZRRE-së, të datës 14 tetor, 2020.

Pajisja me leje mjedisore ka qenë kusht që ZRRE-ja e kishte vendosur për licencat e përkohshme me të cilat kanë operuar viteve të fundit tri hidrocentralet në Deçan.

Pas vendimit të ZRRE-së përmes një njoftimi “Kelkos Energy” tha se ka ndalur vullnetarisht operimin e hidrocentraleve, duke respektuar periudhën e përkohshme të licencimit e përcaktuar nga ZRRE-ja dhe se procesin e pajisjes me lejet e nevojshme e ka penguar pandemia e koronavirusit të ri.

“Kushtet e lejes për dy HEC-et e tjera Belaje dhe Deçan konsiderohen të plotësuara dhe ‘Kelkos Energy’ pret nga Ministria e Mjedisit lëshimin e menjëhershëm të lejeve mjedisore përkatëse”, tha “Kelkos Energy” në njoftim.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU