Deliu: Përpjekja e Vitisë që për dështimin e vet fajin t

Deliu: Përpjekja e Vitisë që për dështimin e vet fajin t’ua lë mediave është papërgjegjësi – Lajmet e fundit



Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia duhet të kërkojë falje nëse për shkak të neglizhencës së tij vonohet furnizimi me vaksinat kundër COVID-19.

Përmes një postimi në Facebook, Deliu ka thënë se përpjekja për ta paralajmëruar një dështim eventual të sigurimit të vaksinave duke bartur fajin te mediat është e pajustifikueshme dhe e papërgjegjshme.

Sipas saj, asnjë klasifikim nuk e mbron një dokument zyrtar nga keqpërdorimi.

“Përpjekja për ta paralajmëruar një dështim eventual të sigurimit të vaksinave duke bartur fajin te mediat është e pajustifikueshme dhe e papërgjegjshme. Ministria dhe Qeveria kanë detyrë të kujdesen për shëndetin e përgjithshëm publik dhe në rastin konkret të imunizimit të popullatës. Ndërsa, mediat kanë obligim të monitorojnë dhe publikojnë mbarëvajtjen e këtij procesi. Asnjë klasifikim nuk e mbron një dokument zyrtar nga keqpërdorimi”, ka shkruar ajo.

Dje në “Insajderi” u raportua se ministri Vitia nuk e kishte nënshkruar kontratën me Pfizer-in, duke rrezikuar kështu shëndetin e qytetarëve. Këto deklarata, Vitia i mohoi në një konferencë për media, ndonëse nuk ofroi asnjë dëshmi për ta vërtetuar të kundërtën./Zëri