Departamenti Qendror për PPP thotë se nuk kanë njohuri për marrëveshje të re me LKIA-an, përfshirë tarifat për kerozinë

Departamenti Qendror për PPP thotë se nuk kanë njohuri për marrëveshje të re me LKIA-an, përfshirë tarifat për kerozinë – Lajmet e fundit



 Lidhur me ngritjen e tarifës Limak, Departamenti Qendror për Partnerit Publiko Privat në kuadër të Ministrisë së Financave ka thënë se është sipas informatave të tyre, nuk ekziston ndonjë kontratë e re në mes të LKIA-së dhe ndonjë pale tjetër, pasi që për çdo kontratë të re apo ndonjë marrëveshje specifike nevojitet pëlqimi paraprak i dhënësit (Qeverisë së Republikës së Kosovës), respektivisht Komitetit për PPP, duke shtuar se janë në dijeni nga ana e partnerit privat LIMAK se lidhur me këtë çështje është ngritur padi për inicimin e konfliktit administrativ nga ana e partnerit privat me të cilën kërkohet anulimi i vendimit të Autoritetit të Aviacionit Civil, por se nuk ka dhënë përgjigje se mbi cilën bazë është bërë kjo ngritje e çmimit.

Po ashtu, ky departament ka thënë se KPPP nuk ka arritur ndonjë marrëveshje të re me partnerin privat LKIA për çështjen e ngritur dhe të gjitha operacionet e partnerit privat, përfshirë tarifat janë të rregulluara me marrëveshjen PPP.

Për çdo kontratë të re apo ndonjë marrëveshje specifike nevojitet pëlqimi paraprak i Dhënësit (Qeverisë së Republikës së Kosovës), respektivisht Komitetit për PPP. “Pas ngritjes së kësaj çështje nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) drejtuar Komitetit për PPP, Komiteti PPP ka kërkuar të shqyrtohet kjo çështje dhe të identifikohet problemi. Deri më tani DQPPP pasi ka shqyrtuar çështjen në fjalë, ka realizuar takim me AAC-në dhe partnerin privat (LKIA) për të adresuar dhe identifikuar çështjen e ngritur. DQPPP ka përgatitur një raport fillestar duke u bazuar në të dhënat që i posedon aktualisht dhe atyre të mbledhura nga takimet e realizuara dhe këtë raport ia ka dorëzuar Komitetit për PPP. DQPPP është ende duke e analizuar çështjen deri në përpilimin e raportit përfundimtar” përfundon përgjigja e këtij departamenti.

Në anën tjetër, është ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kishte ngritur shqetësime lidhur me ngritjen e tarifës për furnizim me kerozinë.

Kjo dëshmohet nga procesverbali i takimit të komitetit për partneritet publiko privat të mbajtur me 13 tetor 2020, të cilin e ka siguruar emisioni “Betimi për drejtësi”.

Lidhur me deklarimet e Bajramit gjatë këtyre takimeve, në këtë procesverbal thuhet se Bajrami “Thotë që AAC pretendojnë se kjo është çështje e kontratës, se ka shkelje të kontratës dhe se KPPP duhet të jep një zgjidhje dhe të merret me koncesionarin, se në fillim kur është bërë kontrata për furnizimin me kerozinë çmimi ka qenë 0.02 cent ndërsa sot është 0.12 cent, se ka monopol dhe disa çështje tjera. Thotë se kërkojnë nga DQPPP që të informojë saktë KPPP se çfarë po ndodhë, t’i informojnë se a është përgjegjës KPPP për çështjen në fjalë dhe a janë çështjet e ngritura nga AAC pjesë e kontratës së koncesionit. Citon pjesën B, aneksi 2 i kontratës dhe çmimet 0.02 dhe 0.12 cent. Thotë se ngritja e çmimit ndikon drejtpërdrejtë tek të gjitha operacionet e aeroportit. Thotë se është shkelje e kontratës rritja e çmimit. Problemi këtu është se e kemi një kontratë që thotë 0.02 cent dhe një kontratë që thotë 0.12 cent, dhe këtu kemi shpërputhje”, thuhet në këtë procesverbal.

Për të gjitha këto çështje, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar përgjigje edhe nga LIMAK. Në përgjigjen e LIMAK dhënë për emisionin “Betimi për Drejtësi” thuhet se të gjitha vendimet janë ndërmarrë në përputhje me Marrëveshjen për Partneritet Publiko Privat, duke theksuar se vendimi i AACK-së ka qenë në kundërshtim me këtë marrëveshje.

“Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se të gjitha veprimet që janë marrë nga Limak Kosovo International Airport (LKIA), janë në përputhje të plotë me kontratën e nënshkruar më 12 Gusht 2010, përkatësisht Marrëveshjes së Partneritetit Publiko Privat në mes LKIA dhe Qeverisë së Kosovës (Dhënësit).Çdo tarifë e re bëhet në bazë të të drejtave që operatorit i parashihen në këtë kontratë, prandaj konsiderojmë se vendimi nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka qenë në kundërshtim me këtë kontratë dhe për këtë arsye kemi bërë edhe padi kundër vendimit të lëshuar nga ana e tyre”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në këtë përgjigje thuhet po ashtu se zvogëlimi i të hyrave për LIMAK, paraqet zvogëlim të hyrave edhe për Qeverinë e Kosovës.

“Për më tej, ju njoftojmë se çdo tarifë e mbledhur nga LKIA për shërbimet e ofruara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është sipas provizioneve të Marrëveshjes së PPP-së, duke përfshirë edhe tarifen e lartëpërmendur dhe ndahet me Qeverinë e Kosovës (Dhënësi) në formën e tarifës së koncesionit. Prandaj, çdo zvogëlim i këtyre tarifave përkthehet në zvogëlim të të hyrave për LKIA dhe poashtu edhe për Qeverinë e Kosovës dhe po e njëjta vlen edhe për rritjen e tyre. Poashtu, për pyetjet shtesë sa i përket ofruesve të shërbimeve dhe objekteve si dhe paisjeve në ANP ‘Adem Jashari’ të gjitha janë në përputhje të plotë me marrëveshjen e lartëpermendur të PPP-së” përfundon përgjigja e LIMAK. /Betimi për drejtësi