Deputeti shqiptar në Hamburg takim me Destanin: Lobim për diasporën shqiptare

Deputeti shqiptar në Hamburg takim me Destanin: Lobim për diasporën shqiptare – Lajmet e fundit



Deputeti i Partisë Socialdemokrate (SPD) gjermane, me origjinë nga Pozharani i Vitisë në Kosovë dhe aktualisht deputeti i parë me origjinë shqiptare në Parlamentin e Hamburgut, Sami Musa, ka vizituar filantropin e mirënjohur shqiptar Lazim Destani në Tetovë.

Destani është Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë deputeti Musa në faqen e tij në Facebook duke u shprehur për pasditen e këndshme dhe shkëmbimet e vyera jëtësore.

‘U ndjeva tejet i nderuar nga mikpritja e lartë që gjeta te ky njeri me zemër bujare, i njohur si njëri ndër shqiptarët më të nderuar dhe i respektuar anembanë botës. Përvojat e tij jetësore dhe ato të punës, përplot me vlera të larta njerëzore, janë një shkollë më vete nga e cila shumëkush mund të mësojë gëra të reja’ shprehet deputeti më i ri i Hamburgut. Përveçse deputet, 35-vjeçari Sami Musa është gjithashtu një afarist dhe biznesmen i njohur në Hamburg.

Takimi u realizua në një nga hapësirat e bizneseve të familjes Destani, në ‘Ecolog International’, e cila shquhet për konceptet vizionare biznesore dhe tashmë operon në më shumë se 40 vende të botës.

Njëra nga kompanitë e tjera të Grupacionit të bizneseve të familjes Destani është dhe ‘Eco-Care’ e angazhuar në menaxhimin e krizës së pandemisë dhe që operon në disa vende europiane përfshirë dhe Gjermaninë. Po ashtu kompania ‘e.Go Mobile’, që gjithashtu është një biznes i familjes Destani, vepron në industrinë e gjelbër automobilistike.

Deputeti i Hamburgut Sami Musa shprehet i impresionuar në median sociale dhe shpreson që takimi i radhës të jetë në Hamburg, për të vazhduar bashkëpunimin në mënyrë që kontributi i gjithsecilit prej nesh, si në shoqëri ashtu dhe në trojet tona, të vijë gjithnjë duke u rritur e shumëfishuar./ Alert