Dezinformatat dhe diskursi që mund t’u fryjnë tensioneve në veri

Dezinformatat dhe diskursi që mund t’u fryjnë tensioneve në veri – Lajmet e fundit

Foto:Laura Hasani


Ndalimi i një shoferi të një autoambulance në veri të Kosovës më 2 gusht, të identifikuar si Dejan Spahiq, nxiti reagime të shumta nga politikanët serbë se Policia e Kosovës po i keqtrajton serbët në atë zonë.

Sipas Policisë së Kosovës, ky qytetar vetëm është ndaluar pasi dyshohet se po kontrabandonte ilaçe, megjithëse nga Beogradi kanë pretenduar se autoritetet në Kosovë e “kanë rrëmbyer shoferin”.

Drejtorit i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Policia e Kosovës e ka “keqtrajtuar” Spahiqin për 7 orë. Më pas, ai ka publikuar në Twitter se Spahiq “po ndihet mirë”.

Drejtori i spitalit në veri të Mitrovicës, Zllatan Ellek, ka deklaruar se Spahiq është rrahur dhe dërguar në drejtim të panjohur.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Nebojsha Vlajiq, avokati i Spahiqit, nuk ka dashur të konfirmojë apo mohojë pretendimet e Petkoviqit se Policia e Kosovës e ka “keqtrajtuar” klientin e tij.

Ai vetëm shkurt deklaroi se “gazetarët nuk i refuzon pothuajse asnjëherë për një deklaratë”, por se këtë herë “nuk mund të thotë asgjë”.

Lidhur me rastin e Spahiqit ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha për Radio Televizionin e Serbisë se shoferi i autoambulancës është marrë nga një “task-forcë speciale e inteligjencës”, e cila, sipas tij, drejtohet nga Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin.

Vuçiqi e ka lidhur ndalimin e Spahiqit me pjesëmarrje në barrikada që ishin vendosur nga serbët lokalë më 31 korrik në rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokadat u vunë si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit serbë, si dhe targat e makinave.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës në njoftimin zyrtar, ndalimin e Spahiqit e ka lidhur vetëm me dyshimin për kontrabandim të barnave nga Serbia dhe jo me pjesëmarrje në vendosjen e barrikadave. Ky mall është sekuestruar pasi dyshohet se produkte medicinale kanë hyrë në Kosovë në mënyrë ilegale.

Në një njoftim të mëvonshëm, Policia ka mohuar deklaratat se po i maltreton qytetarët në veri gjatë ushtrimit të detyrave policore.

“Qarkullimi i këtyre informacioneve të pavërteta, ka për qëllim dezinformimin dhe krijimin e pasigurisë te qytetarët”, thuhet në këtë deklaratë.

Thirrje për ndalim të retorikës nxitëse

Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave nga komuniteti serb në Kosovë më 3 gusht kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën bëjnë thirrje për “zgjidhje paqësore të krizës dhe fillimin e dialogut pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës”.

“U bëjmë thirrje qeverive në Beograd dhe Prishtinë që të përmbahen nga çdo lëvizje e njëanshme dhe të zëvendësojnë retorikën nxitëse me dialog konstruktiv, i cili është e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që do të respektojë nevojat e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e përbashkët.

Dushan Radakoviq, nga organizata Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike kritikoi të dy palët, edhe politikanët në Serbi por edhe ata në Kosovë se po flasin në emër të serbëve të Kosovës “pa u marrë me interesat e vërteta të tyre”.

Ai tha se në këtë diskurs është përdorur shumë edhe situata në Ukrainë ku po zhvillohet lufta e nisur nga Rusia që nga shkurti i këtij viti.

“Të dy anët kanë diskutuar për njerëzit që jetojnë këtu (serbët e veriut). Të dy anët po e përdorin situatën në Ukrainë për të radikalizuar dhe politizuar situatën dhe askush nuk pyet se cili është prioriteti për njerëzit në veri”, tha Radakoviq.

Rikujtojmë se kanalet ruse dhe ato pro-ruse në platformën Telegram, ishin drejtpërdrejt të përfshira në shpërndarjen e dezinformatave në lidhje me ngjarjet në veri të Kosovës më 31 korrik.

të ditë pas orës 19:00, kanalet që transmetojnë në gjuhën ruse dhe atë serbe, kanë publikuar njoftimin e njëjtë me një dallim prej disa minutash.

Informacioni ka qenë për plagosjen e parë të supozuar të një serbi në një bllokadë në rrugë që çon drejt vendkalimit në Jarinjë.

Më vonë, drejtori i Qendrës shëndetësore në Mitrovicën Veriore, Zllatan Elek, ka konfirmuar për mediat lokale të dielën se asnjë person i plagosur nuk ka shkuar në këtë institucion prej nisjes së bllokadës më 31 korrik.

Si të mbrohemi nga dezinformatat në kohë tensionesh?

Profesori i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, tha se situatat e tensionuara janë vend që paraqesin rrezik që publiku dhe mediat të bien pre e dezinformatave të qëllimshme.

“Dezinformimi sidomos pas pushtimit rus në Ukrainë është parë që është njëri prej mjeteve të luftërave moderne ose hibride ku dezinformimi përdoret me qëllim të çorientimit të publikut dhe bindjes së tyre ndaj një grupi që e bën propagandën”, theksoi Zeneli për Reli-in.

Ai mendon se në rastin e Kosovës kjo “paraqet një rrezik të madh sidomos në veriun e vendit”.

Sipas tij, në rastet si ai i 31 korrikut, mediat nuk duhet të fokusohen te shpejtësia e dhënies së informatës, para saktësisë.

“Nga ajo që kemi parë në veri, këshillat për media janë që të mundohen të verifikojnë të paktën nga dy burime ngjarjet që raportohen nga vendet e krizave. Normalisht, verifikimi kërkon kohë dhe kërkohet sakrifikimi i komponentës së shpejtësisë”, tha Zeneli.

Në anën tjetër ai mendon se publiku, sidomos në Kosovë, është më shumë pre e dezinformatave që vijnë nga faqet e rrjeteve sociale sesa mediave tradicionale.

“Publiku ynë duhet ta marrë me dyshim secilën gjë që e lexon në adresa të paqarta në internet, secilën informatë që e sheh në Facebook me tituj bombastikë që janë kryesisht dezinformata që synojnë klikime apo shpërndarjen e hutisë apo panikut te publiku”, tha ai.

Zeneli shtoi se institucionet, po ashtu, duhet të punojnë në rritjen e transparencës dhe organizim më të madh në shpërndarjen e informacioneve zyrtare në kohë më të shpejtë për të mos i lënë hapësirë shpërndarjes së dezinformatave.

Pasi që barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës.

Një gjë të tillë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkohë, pala kosovare dhe ajo serbe janë zotuar për të marrë pjesë në rundin e dytë të dialogut më 18 gusht, ku pritet të diskutohet edhe çështjet e dokumenteve për hyrje-daljeve dhe targat e makinave. /REL