“Dialogu Kosovë-Serbi do të ringjallet nëse e marrin në dorë Scholzi, Bideni dhe Macroni”

“Dialogu Kosovë-Serbi do të ringjallet nëse e marrin në dorë Scholzi, Bideni dhe Macroni” – Lajmet e fundit



Pas tensioneve që u ngritën në veri të vendit për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për targa dhe dokumente e që u shuan me ndërhyrjen e SHBA-së, sytë u kthyen kah Kosova duke parë me kureshtje nëse një konflikt i ri po nis në kufi të dy shteteve që s’po mund të pajtohen.

Për këtë, me nguti Bashkimi Evropian caktoi 18 gushtin si datë që do të vë përballë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel. Siç pritet, ky takim do të trajtojë temat më të nxehta që kanë lënë zvarrë qëllimin e bisedimeve – gjetjen e një marrëveshje që do ta përfundonte konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse nuk është publikuar ndonjë agjendë për takimin tashmë janë dhënë sinjale se Asociacioni do të jetë në tryezë, nga i cili pala serbe kërkon të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa ajo kosovare me ngulm nuk e pranon këtë.

Kjo nuk u paralajmërua nga ndërmjetësuesi i dialogut, por SHBA-ja.

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bëri një deklaratë që i shkoi për shtati Kosovës – Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe të krijojë shtet brenda shtetit. Por, po kaq i qartë ai ishte edhe në atë se kjo temë duhet të hapet në Bruksel dhe të gjendet një zgjidhje, qoftë edhe duke shfrytëzuar modelet evropiane.

Në deklaratat publike, edhe BE-ja si lehtësuese e dialogut edhe partneret e saj që e mbështesin zgjidhjen që do të dalë nga ky proces, kanë bërë presion ndaj të dyja palëve që t’i japin fund sagës së bisedimeve me një rezultat konkret.

Por, se është afër fundit dialogu nuk u shpreh optimist analisti gjerman, Bodo Weber, i cili në një bisedë për Gazetën Express tha se dialogu është në krizë që nga viti 2015 dhe shtoi se “negociatat për shkëmbimin e territoreve” ishin tallje për dialogun.

Weber e lë fajtor Kurtin për nxitje të tensioneve në veri të vendit me këmbëngulësinë e tij në vendimin për reciprocitet.

“Lëvizjet e fundit të njëanshme të Qeverisë Kurti dhe tensionet në veri e ilustrojnë këtë. Në një situatë të tillë është planifikuar që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq të takohen në Bruksel më 18 gusht për të gjetur në radhë të parë një zgjidhje për çështjet kontestuese të regjimit kufitar. Fakti që diplomati amerikan Escobar ka ngjallë shpresa kohët e fundit për çështjen e Asociacionit, i cili do të diskutohet në atë takim, më duket se ka ngritur pritshmëri jorealiste se mund të ketë ndonjë përparim në këtë çështje, qoftë edhe diskutim thelbësor. Kjo dyshoj se do të ndodhë”.

Analisti gjerman thotë se çështja e Asociacionit është ndoshta ajo më e diskutueshme në mesin e dhjetëra çështjeve që do të duhej të përfshiheshin në një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse.

“Si asnjë tjetër, ajo është e lidhur me çështjen e statusit, pra ta kthejë Beogradin në atë që e kishte pranuar në heshtje si bazë të dialogut politik që në fillimet e tij, kur u nënshkrua marrëveshja e prillit më 2013 – se Serbia e ka humbur Kosovën dhe se në fund do të duhet të njohë statusin e pavarur të Kosovës”.

Weber thotë se dialogu do të bjerë në dyzen vetëm përmes një rivendosjeje të thellë të negociatave dhe kur atë ta marrin në dorë figura shumë më të larta se Escobar – nga liderë politikë si Scholz, Biden dhe Macron.

Megjithatë, gjermani e lavdëroi emisarin amerikan duke thënë se ai së fundi bëri deklarata shumë të forta lidhur me integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës kur është fjala për ndonjë zgjidhje për Asociacionin.

Edhe pas këtyre fjalëve, Weber thotë se duke pasë parasysh të kaluarën dhe të tashmen nuk i kthehet besueshmëria se këto deklarata do të jenë vula që jep garancinë se nuk do të ndodhë defunksionalizimi i shtetit të Kosovës përmes një Asociacioni të kërkuar nga serbët.

“Pas gjithë asaj që ndodhi në dialog në të kaluarën dhe duke pasë parasysh mjedisin aktual politik dhe gjeopolitik, garanci të tilla do të duhet vërtet të vijnë nga majat e qeverive kryesore perëndimore në mënyrë që të lëvizin seriozisht negociatat e dialogut, e lëre më të lëvizin Qeverinë Kurti, e cila tradicionalisht ka mbajtur një qëndrim shumë të ashpër dhe dogmatik për çështjen e Asociacionit”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në takimin pritës për presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, përveç falënderimeve që kishte për bujarinë e Kosovës që e tregoi ndaj afganëve, porosia kryesore që ia dha kur i përcolli ishte dialogu me Serbinë.

Në rast se Kosova përballet me presion për këtë çështje, Weber mendon se s’është korrekte t’i drejtohet vetëm Kosovës edhe pse e pret të ndodhë.

“Është e qartë se do të ndodhë në një moment. Por presioni për njërën anë nuk do ta zgjidhë çështjen – dialogu duhet të bëhet serioz për ta zgjidhur atë”. /eo