Diaspora më “dorëlirë” gjatë pandemisë

Diaspora më “dorëlirë” gjatë pandemisë

Linda Zejnullahu, rreth 25 vjeçe, që jeton në
Komunën e Shtimes, me vite të tëra pranon mjete financiare nga xhaxhai i saj i
cili jeton në shtetin e Gjermanisë, të cilat i shfrytëzon për shkollim. Kjo ka
vazhduar edhe gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

“Mua personalisht më ka dërguar para për
shkollim deri në 100 euro në muaj. Gjatë kohës se pandemisë i ka dërguar para
edhe familjes sime, 300 euro në muaj. Paratë i ka dërguar vetëm për qejf, pasi
unë dhe disa familjarë punojmë në Kosovë”, tha Linda.

Dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë
dhe punojnë në vende të ndryshme të botës ishin të pashmangshme edhe gjatë
pandemisë COVID-19, me gjithë faktin se pandemia ka prekur edhe shtetet ku
punojnë dhe jetojnë emigrantët nga Kosova.

Në gjashtë muajit e parë të këtij viti, vlera
e remitencave ka arritur në 433 milionë apo 28 milionë euro më shumë se në
periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kështu ka thënë të mërkurën, më 29
korrik, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, gjatë një konference për media,
ku bëri të ditur vendimin për mbulimin e shpenzimeve nga ana e qeverisë për Kartonin
e Gjelbër për mërgimtarët që vijnë në Kosovë.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Bankës Qendrore
të Kosovës (BQK), vetëm në muajin maj të këtij viti, vlera e parave të
mërgimtarëve me prejardhje nga Kosova, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ka
qenë 100,7 milionë euro, ndërsa në muajin maj të vitit të kaluar kjo vlerë ka
qenë 78,4 milionë euro.

Përfaqësues të shoqërisë civile, ndërkaq
theksojnë se diaspora ka reaguar shpejtë me remitenca, për të ndihmuar familjet
e tyre në Kosovës, për shkak të pasojave që ka shkaktuar pandemia në buxhetin
familjar të tyre.

Lirim Krasniqi hulumtues dhe analist i
politikave në organizatën “Germin”, që merret kryesisht me çështje të
diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se edhe vendet ku është e
koncentruar diaspora kosovare, janë të prekura nga pandemia e koronavirusit,
por siç thotë ai, ata kanë shfrytëzuar kursimet e tyre financiare.

“Edhe kjo vërehet nëse i shikojmë kanalet e
dërgimit të remitencave. Shihet se shuma më e madhe e parave kanë ardhur përmes
agjencive për transferim të shpejtë. Kjo tregon se rritja e nivelit të
remitencave ka ardhur si reagim i diasporës për të ndihmuar familjet me të
ardhurat e tyre në Kosovë, të cilët janë prekur nga pandemia”, tha Krasniqi.

Sipas të dhënave të BQK-së, nga shuma e
përgjithshme e dërgesave prej 100,7 milionë euro, në muajin maj të këtij viti,
88,6 milionë euro janë dërguar përmes agjencive për transferë të mjeteve, kurse
përmes bankave komerciale që operojnë në Kosovë, janë dërguar 12,2 milionë
euro.

Përveç remitencave të dërguara për familjet e
tyre, nga diaspora kosovare janë grumbulluar mbi 716 mijë euro në llogarinë e
dedikuar të Thesarit, si mbështetje financiare për luftimin koronavirusit, që
shkakton sëmundjen COVID-19.

Ndihma nga diaspora ka ardhur pas thirrjes që
u ka bërë mërgimtarëve ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të
këtij viti.

Drejtori i përgjithshëm i Thesarit të Kosovës,
Ahmet Ismaili, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se llogaria është ende
aktive.

“Kjo nuk ka qenë llogari vetëm për
bashkatdhetarët, kjo është llogari për donacione dhe grante. Normal se
kontributin më të madh e ka dhënë diaspora e Kosovës që jeton në vende të
ndryshme të Evropës dhe botës”, tha Ismaili.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë
jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri
në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.

Ekonomia e Kosovës vazhdon të ketë një
varshmëri të madhe nga remitencat apo dërgesat e qytetarëve të Kosovës që
jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës.

Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi
800 milionë euro.

Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol
të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke
siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të ulë