Dita e dytë e bllokadës në Jarinje [Foto]

Dita e dytë e bllokadës në Jarinje [Foto] – Lajmet e fundit

Foto: Laura Hasani


Jarinja është zbardhur sot në ditën e dytë të bllokimit të rrugës nga banorët serbë të veriut, e gjithë kjo për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targat e automjeteve ndaj Serbisë.

Ashtu si e hëna, edhe sot afër pikës së kalimit kufitar në Jarinje, kishte një numër të konsiderueshëm të banorëve serbë që me automjetet e tyre tash e dy ditë me vetura dhe kamionë kanë bllokuar rrugën për rreth 3 kilometra në drejtim të pikës kufitare me Serbinë në dalje të Kosovës, raporton Zeri.info.

Image

Pa tensione edhe dita e dytë

Edhe dita e dytë në Jarinje ka shkuar pa tensione, përveç disa provokimeve verbale që banorët serbë bënin në drejtim të policive të njësisë speciale të cilët janë vendosur aty tash e dy ditë për të zbatuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Image

Krejt ajo që ndryshon nga dita e hënë, është se të martën protestuesit kanë vendosur dy tenda në vendin ku po qëndrojnë, ndërsa pranë saj është vendosur edhe mbishkrimi në të cilën thuhet “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”.

Image

Derisa me vetura ishte e pamundur, disa qytetarë serbë janë parë duke ecur në këmbë në drejtim të Serbisë dhe ansjelltas përmes pikës së kalimit kufitar në Jarinje.

Përveç policisë së Kosovës, një helikopter i KFOR-it nga ajri monitoronte shpesh gjendjen në këtë pikë të kalimit kufitar, ndërsa në fillim të barrikadës janë parë edhe policë të EULEX-it.

Image

Ndërkombëtarët thirrje Kosovës dhe Serbisë për ulje të tensioneve

Pavarësisht thirrjeve nga ndërkombëtar për të ulur tensionet dhe zgjidhje paqësore të kësaj çështje, as Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë nuk janë tërhiqur nga vendimet e tyre në lidhje me targat.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën ka pritur në takim shtetet e QUINT-it, të cilat i ka njoftuar me situatën aktuale në pikat kufitare me Serbinë, për çka ka thënë se për dy ditë nga vendimi nuk është shënuar asnjë incident në këto pika kufitare, shkruan Zeri.info.

Image

Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, ka thënë Kurti pas takimit me shtetet e QUINT-it.

Image

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth situatës së krijuar pasi Kosova vendosi reciprocitet me targat.

Ai ka thënë se i japin kohë Prishtinës për të ndryshar këtë vëndim, ndërsa ka paralajmëruar masa, për siç ka thënë ai “për ta mbrojtur Serbinë”.

Image

“Ne duam të tregojmë vullnet të mirë dhe t’i japim kohë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e këqija, nëse ata nuk duan, ne do të marrim masa për të mbrojtur Serbinë,” tha Vuçiq pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ndëkohë komiteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet, këto thirrje njëzëri janë bërë sot nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Kryediplomati evropian, Josep Borell dhe i emëruari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. /Zëri

Image

Image

Image

Image