Dita e parë e refugjatëve afganë në Tiranë, të kënaqur me mikpritjen e të lumtur që shpëtuan

Dita e parë e refugjatëve afganë në Tiranë, të kënaqur me mikpritjen e të lumtur që shpëtuan – Lajmet e fundit



154 afganët që mbërritën gjatë natës në Rinas, janë akomoduar në konviktet e Qytetit Studenti.

Ata po qëndrojnë në godinat 11 dhe 12, pranë menzës dhe qendrës shëndetësore.

Dalja e refugjatëve nga godinat bëhet me ndihmën e vullnetarëve dhe stafit të Bashkisë Tiranë, të cilët i orientojnë në zonë.

Në prononcimet e tyre për Top Channel,  ata shprehen te kënaqur për mikpritjen dhe shtojnë se janë të lumtur që shpëtuan nga ferri që po instalohet në vendin e tyre.

Avioni i dytë, që u nis nga Kabuli mbërriti një natë më parë në aeroportin e Rinasit, rreth orës 22:45, me 95 pasagjerë në bord, mes të cilëve 2 foshnje.

Pas mesnate, rreth orës 01:15 mbërriti dhe grupi i dytë, me fluturimin nga Doha, me 59 shtetas të tjerë afganë. Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka tha se shumica e këtyre shtetasve janë studentë dhe gra të zëshme të shoqërisë civile në Afganistan, të cilave u rrezikohet jeta nga talibanët.

Dy ditë më parë, rreth orës 23:00 arriti avioni i pari me 121 afganë. Ata janë akomoduar në strukturat hoteliere të Golemit.

Refugjatët politikë, që janë evakuuar me sukses nga Kabuli do të strehohen përkohësisht në vendin tonë, deri në momentin kur të pajisen me vizat amerikane. Pas gati 20 vitesh, talebanët knë marrë sërish në kontroll Afganistanin dhe po vendosin një regjim të rreptë në vend, sipas “ligjeve të tyre islamike”. Shenjestra kryesore e tyre janë funksionarë, intelektualë dhe shtetas të tjerë që kanë shërbyer për SHBA-në dhe NATO-n. /TCH/