“DokuFesti” gati për edicionin e 21-të me pyetjet për mbijetesën

“DokuFesti” gati për edicionin e 21-të me pyetjet për mbijetesën

Edicioni i 21-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” vjen në kulminacionin e interesimit të qytetarëve për ngjarje kulturore. Organizatorët e Festivalit kanë mbajtur konferencë për media dy ditë para hapjes. Përgjatë tetë ditëve të Festivalit, shpalosen mbi 250 filma në garë e jashtë garës, si dhe punëtori, programe të veçanta, diskutime e mbrëmje muzikore.

“How to survive?”, është tema e edicionit të sivjetëm dhe që përqendrohet në nocionin e mbijetesës ndaj nxehtësisë, përmbytjeve, dhunës, inflacionit, luftërave, fashizmit e krejt në fund – zhdukjes. Tema shtjellohet më së miri nëpërmjet bisedave dhe debateve me mendimtarë e ekspertë, që kërkojnë përgjigje për pyetjen ekzistenciale. 109 filma garues nga 58 shtete ishin shpallur në fund të javës së parë të korrikut. Ata garojnë në kategoritë: “Balkan Dox”, “International Feature Dox”, “International Short Dox”, “International Shorts”, “Human Rights Dox”, “Green Dox”, “Truth Dox” dhe “National”.

Të mërkurën në kinemanë “Lumbardhi” organizatorët e “DokuFestit” kanë thënë se janë gati për një edicion madhështor.

Linda Llulla, drejtoreshë ekzekutive e “DokuFestit”, ka falënderuar mbështetësit e Festivalit dhe ka përmbledhur në pika të shkurtra informacione rreth ngjarjes.

“Edicioni i 21-të fillon nga 5 deri 13 gusht me një program prej më shumë se 250 filmash në tetë kategori garuese dhe plot programe speciale. Këtë vit e kemi kthyer edhe ‘DokuKids’, ku kemi përgatitur një program filmash për fëmijë dhe pesë punëtori”, ka thënë ajo.

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka thënë se interesimi për ngjarjet kulturore është në kulm.

“Nuk e mbaj në mend ndonjëherë se në Kosovë ka pasur më shumë interesim për këto ngjarje. Tashmë një numër i konsiderueshëm i njerëzve ndodhen në Kosovë dhe që nga nesër presim mysafirët e parë”, ka thënë Nurkollari, i cili para mediave është shprehur se i gjithë ekipi ka punuar për një vit për ta sjellë këtë program. Filmat i ka vlerësuar si të cilësisë së lartë. “Mund të them se kemi filma që vijnë direkt nga festivalet kryesore botërore, fitues në ‘Sundance’, ‘Cannes’ e pak a shumë secili festival i rëndësishëm, që është mbajtur këtë vit e në fund të vitit të kaluar. Prandaj për cilësi mund të them që është ‘top’ sikur ka qenë edhe vitet e kaluara”, është shprehur ai. Në lidhje me temën e sivjetme ka thënë se do të ketë debate e diskutime, që përkojnë me atë se ‘Si të mbijetojmë?’ e që synojnë t’i grumbullojnë copëzat e përgjigjes në pyetjen madhore për kushtet klimatike.

Veçanti e Festivalit është se këtë edicion i jepet e drejta për ta nominuar një film në “European Film Academy” në kategorinë garuese për filmin e shkurtër më të mirë.

Programuesi i filmave të metrazhit të shkurtër në “DokuFest”, Samir Karahoda, ka vlerësuar si lajm të mirë për Festivalin dhe gjithë vendin që “DokuFesti” propozon për nominim për atë që njihet si “Oscar” i Evropës. “Meqenëse jemi anëtar të Akademisë Evropiane, për herë të parë do ta nominojmë një film nga gara ndërkombëtare, pra për filmin e shkurtër, që do të jetë konkurrues për çmimin e madh të Akademisë. Pra kjo është për herë të parë që ‘DokuFesti’ do ta dërgojë një film”, ka thënë ai.

Në kuadër të Festivalit do të zhvillohen biseda e diskutime nëpërmjet “DokuTalks” dhe “DokuStories” si dhe synohet argëtim pa fund me “DokuNights”. Ai rikthehet pas dy vjetëve në formë fizike si pasojë e pandemisë së koronavirusit, i cili tradicionalisht e ka tërhequr një numër të madh të vizitorëve.

“Do të kemi tetë net performanca të ndryshme. Performancat do të ndahen në dy vende. Në ‘Andrra Stage’ dhe në ‘Lumbardh’. Programi i muzikës është i kuruar nga regjisori Leart Rama, i cili është munduar ta sjellë një program të pasur, që përbëhet nga artistë, që kryesisht për herë të parë e vizitojnë Prizrenin. Vijnë nga skena e muzikës së Londrës, Berlinit dhe Amerikës. ‘Sega Bodega’, ‘Phase Fatal’, ‘Detroit in Effect’, Bendi ‘Hercules and Love Affair’, bendi i artistes Edona Vatoci e të tjerë”, ka treguar producentja e Festivalit, Alba Çakalli.

Festivali nis të premten në kinemanë “Lumbardhi”, hapjen e të cilit e pason filmi “Atlantide”, bashkëprodhim i Francës, Italisë, ShBA-së dhe Katarit, i regjisorit italian Yuri Ancarani. Është fitues në kategori të ndryshme në Festivalin e Filmit në Venecie e në shumë të tjerë.

Filmat garues do t’i vlerësojë juria e veçantë në secilën kategori. Ata janë kritikë filmi, filmbërës, kinematografë, producentë e profesorë të fushës nga Suedia, Turqia, Italia, Sllovenia, Danimarka, Zvicra, Irani, Belgjika, rajoni e vendi.

Me rastin e publikimit të listës së filmave në kategoritë garuese, organizatorët kishin thënë se filmat “do të na bindin se filmi është e vetmja formë e artit, që na ngjall dëshirën për ta ndryshuar botën, duke prekur spektrin e plotë të emocioneve tona”.

Filmat janë ndarë në programe, si në atë të njohurin “View from the world”, pastaj veçanti e këtij edicioni janë “Football Shorts”, “Sonic transmissions: Music on film”, “Double burdens: Exposures & Expressions”, “Surviving you, always: The works of Maryam Tafakory & Morgan Quaintance”, “The European Film Academy’s Short Film Tour”, “Future is here” e programe të tjera të kuruara posaçërisht për këtë edicion.

Për të nëntën herë, në kuadër të festivalit vjen pas dy vjetëve, në formë fizike, programi “DokuTech”, në të cilin përfshihen seminare e diskutime me profesionistë të teknologjisë. Si edicionet e kaluara rëndësi i kushtohet fëmijëve përmes programit “DokuKids” ndërsa me program të veçantë bëhet pjesë edhe bienalja “Manifesta 14”, ku do të shfaqen tre filma dhe një diskutim mbi temën e peizazhit, në ndërthurje me tregimet historike dhe bashkëkohore të rezistencës.

Pjesëmarrja e filmave dokumentarë nga shtetet e Evropës e atyre të rajonit është e gjatë, ndërkohë që në rubrikën e kombeve për filmat e “DokuFest” figurojnë edhe shtete të Afrikës e Amerikës Latine. Një film për Mariupolin e Ukrainës është dokumentim për luftën atje. Ndërkohë për herë të parë në konkurrencë për filmin e shkurtër janë dy filma nga Singapori. Nga ky shtet, për herë të parë do të mirëpriten edhe vizitorët në audiencën shumëkombëshe të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”.