“DokuFesti” në botën e trazuar, pyet për mbijetesën

“DokuFesti” në botën e trazuar, pyet për mbijetesën

Shenjat e temës, ishin dhënë qysh para tri javësh kur shpalli programin e plotë të filmave të kategorive garuese për edicionin e 21-të. “How to Survive…?”, qëndronte në qoshe të materialeve promovuese, por pa zbuluar më shumë. Të mërkurën, “DokuFesti” e ka konfirmuar se pyetja është tema e edicionit të sivjetëm.

“Tematika e ‘DokuFest’ për këtë edicion është ‘How to Survive…?’, e cila përqendrohet rreth nocionit të mbijetesës dhe që për herë të parë vjen në formën e një pyetjeje. Si t’i mbijetosh nxehtësisë, përmbytjeve, dhunës, inflacionit, luftërave, fashizmit dhe përfundimisht zhdukjes… Janë vetëm disa nga pyetjet, që do të shtrohen”, ka shkruar ekipi i “DokuFestit” në komunikatë për media.

Nëpërmjet bisedave dhe debateve të shumta me të ftuar, mendimtarë dhe ekspertë, festivali do të përpiqet të kërkojë përgjigje për këto “pyetje ekzistenciale, në një kohë ku mbijetesa, në një botë të trazuar është bërë e domosdoshme për të gjithë ne”.

“Një planet, që po ndryshon në mënyra të thella, të tmerrshme dhe të dukshme tani dhe nëse nuk ndërmerret asnjë veprim, së shpejti do të jetë një planet në vdekje. Një numër filmash nga programi prekin temën e të mbijetuarit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë dhe ne jemi të emocionuar të gjejmë mënyra, për të ftuar audiencën tonë, që të bisedojmë rreth kësaj teme”, shkruhet në komunikatë.

Në fund të javës së parë të korrikut, “DokuFesti” kishte shpallur listën prej 109 filmave në tetë programet garuese, që do të shfaqen në kinematë unike të qytetit të vjetër. Ishte bërë e ditur se programet garuese të këtij edicioni, “janë plot me filma që do të na bindin se filmi është e vetmja formë e artit, që na ngjall dëshirën për ta ndryshuar botën, duke prekur spektrin e plotë të emocioneve tona”.

Zëdhënësja e “DokuFestit”, Fatjona Kabashi, ka bërë të ditur se filmat garues të këtij edicioni mes tjerash eksplorojnë mbi të gjitha dëshirën njerëzore për mbijetesë.

“Këta filma shfaqin aspekte të ndryshme, të asaj se çfarë mund të thotë krizë për njerëz të ndryshëm. Sado që situata e tyre ndryshon, ata të gjithë eksplorojnë të njëjtin spektër emocionesh dhe mbi të gjitha dëshirën njerëzore për të mbijetuar”, kishte thënë Kabashi për KOHËN.

Kishte thënë se historitë e të tjerëve me gjasë do të lehtësojnë përballjen me realitetin ekzistues.

“Përmes storieve apo ballafaqimeve të të tjerëve, këta filma na bëjnë të eksplorojmë dhe interpretojmë atë që ne vetë po e kalojmë, gjë që nëse asgjë tjetër, do të na ndihmojë të përballemi me atë, që po kalojmë dhe kjo gjithmonë i lehtëson gjërat”, kishte deklaruar Kabashi.

Përzgjedhja e sivjetme, sipas saj, qe ndikuar në mënyrë të pandarë nga dy vjetët e shkuar të pandemisë, fillimit të luftës në Ukrainë, të shoqëruara me krizën e çmimeve, si dhe ngjarjet e tjera në botë.

Edicioni i 21-të i “DokuFestit” mbahet prej 5 deri më 13 gusht në Prizren.