Drejt Jerusalemit në mesjetë, njohja e tjetrit dhe takimi me shqiptarët

Drejt Jerusalemit në mesjetë, njohja e tjetrit dhe takimi me shqiptarët

Jerusalemi si vend i shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët ishte për më se 2000 vjet tërheqës për pelegrinë, e sidomos prej shekullit IV, kur aty për pelegrinazh filluan të shkonin të krishterët.

Kjo vlente edhe për myslimanët nga fundi i shekullit VII. Për myslimanët pelegrinazhi kishte për cak Mekën me rrethinë, por për myslimanët në Levent vizita e vendit të shenjtë (Jerusalemi) zëvendësonte haxhin në Mekë, për ata që nuk kishin mjaft mjete materiale ose kur kushtet e sigurisë nuk i lejonin të shkonin në Mekë.

Më vonë, me përhapjen e islamit në Ballkan, u bë traditë që haxhilerët të vizitonin Jerusalemin në rrugën e tyre për në Mekë ose duke u kthyer në Ballkan – nëpër det a nëpër Anadoll.

Raportet e reja midis Evropës e Lindjes

Me shkuarjen në Jerusalem për pelegrinazh, u krijua me kohë një thesar i madh udhëpërshkrimesh në shumë gjuhë evropiane dhe orientale. Kuptohet jo të gjithë që shkonin në Jerusalem shkruanin shënime ose udhëpërshkrime. Por, megjithatë, kemi një bibliotekë të madhe me dorëshkrime e libra të botuar, që përfshinin të dhëna të ndryshme gjeografike, historike, gjuhësore, etnografike e të tjera, varësisht nga profesioni dhe kultura e pelegrinëve.

Në mesin e këtyre veprave duhet veçuar ato të mesjetës për shumë arsye. Mesjeta, siç dihet, ishte periudhë e kthesave të mëdha në relacion Evropë-Lindje me rënien e Romës dhe dekadencën e Evropës Perëndimore gjatë feudalizmit dhe me lulëzimin e Bizantit, që e ruajti Jerusalemin si qendër të krishterë deri në shekullin VII.

Me paraqitjen e islamit dhe përfshirjen e Jerusalemit në Perandorinë islame u krijuan raporte të reja midis Evropës e Lindjes, përkatësisht të armiqësisë ndaj tjetrit. Nga ana tjetër, me zhvillimin e feudalizmit në Evropën Perëndimore u pakësuan lidhjet e njohjet jo vetëm me Lindjen, por edhe me Evropën Lindore, përkatësisht me Ballkanin.

Mu për këtë, kohëve të fundit po rritet vazhdimisht interesimi për dorëshkrimet e pelegrinëve të Evropës Perëndimore, sepse tani po dalin në shesh lidhjet e njohjet e hershme Evropë-Levent dhe Evropë-Ballkan, saqë mund të thuhet se ato zbulonin një botë të re me popujt me gjuhë e kulturë ndryshe, që i kishin ata pelegrinë në Evropën Perëndimore.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.