Drejtori i Teatrit shkarkohet tërthorazi, Ministria akuzohet për diktat

Drejtori i Teatrit shkarkohet tërthorazi, Ministria akuzohet për diktat

Fiks në ditën që ka bërë dy muaj si i zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ministria e Kulturës ka vendosur që Naser Shatrolli ta lërë këtë pozitë. E ka anuluar konkursin, nëpërmjet të cilit Shatrolli ishte vënë në krye të udhëheqjes ekzekutive të institucionit më të lartë teatror në vend. Ky vendim i MKRS-së ka ardhur pesë ditë pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shkarkuar ish-përbërjen e Këshillit Drejtues të TKK-së, për të emëruar shtatë anëtarë të rinj, përfshirë edhe bashkëpartiakë.

Nëpërmjet një vendimi që është protokolluar ditën e martë, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik në Ministrinë e Kulturës ka anuluar vendimin e Këshillit Drejtues të TKK-së të datës 11 mars, me të cilin Naser Shatrolli emërohej drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me këtë vendim, Komisioni i MKRS-së e ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e ish-kandidatit për pozitën e drejtorit të TKK-së, Blerim Krasniqi. Edhe kandidati tjetër, Kushtrim Sheremeti, kishte bërë ankesë. Por MKRS-ja nuk i kishte shqyrtuar asnjërën prej tyre në afatin prej 15 ditëve. Ankesat ishin bërë më 18 dhe 19 mars, një javë pas zgjedhjes së Shatrollit në pozitën e drejtorit. Komisioni ishte emëruar më 26 prill. Kishte kontaktuar palët për të ditur nëse ata pas vonimit të MKRS-së në shqyrtim të ankesave kanë dërguar lëndët në institucionet e tjera. Sheremeti kishte bërë të ditur se i ishte drejtuar edhe Gjykatës, kurse Krasniqi ishte pajtuar që ankesa të shqyrtohej, meqenëse nuk kishte shkuar në shkallë të tjera.

“Në lidhje me pretendimin për shkeljen e rregullave të procedurës për shkak të aplikimit të shpjegimeve dhe udhëzimeve sipas rregullave të shërbimit civil për një pozitë që nuk i takon shërbimit civil dhe thirrjes në akte normative të shfuqizuara, Komisioni konstatoi se në shpalljen e konkursit, dispozitat dhe aktet normative mbi bazën e të cilave është mbështetur shpallja e konkursit, është e qartë se pozita si në dispozitiv të vendimit, nuk është pozitë e shërbimit civil”, shkruhet në arsyetim të vendimit. Komisioni po ashtu ka konstatuar se testet që u janë shpërndarë kandidatëve kanë qenë të bazuara në Rregulloren për procedurat në rekrutimin e shërbyesve civilë, akt ky i shfuqizuar.

Komisioni konstatoi se kjo përbën shkelje të rregullave të procedurës dhe pretendimin ankimor të palës e gjen të bazuar. Gjatë shqyrtimit të lëndës, sipas Komisionit me kryesues Bislim Bislimin dhe anëtarë Fëllanza Zhuri-Daladakun dhe Vjollca Shabanin, ka gjetur se përgjigjet e gabuara të kandidatëve janë vlerësuar me pikë të ndryshme.

Për shumicën e pretendimeve në ankesën e Blerim Krasniqit, Komisioni ka konstatuar se ato janë të pabazuara.

KOHA gjatë ditës së martë ka provuar që të marrë përgjigje nga Naser Shatrolli, i cili para se të zgjidhej në pozitën e drejtorit ka qenë zyrtar për biblioteka në Ministrinë e Kulturës.

“Nuk kam përgjigje. Duke ju kërkuar mirëkuptim, ju falënderoj”, ka thënë Shatrolli. E kundërkandidati i tij për pozitën e drejtorit, Blerim Krasniqi, ka thënë se e ka pritur këtë vendim të MKRS-së.

“Nuk kanë pasur se si të veprojnë ndryshe, pasi janë shkelje të dukshme”, ka thënë ai. Krasniqi ka thënë se i vjen keq nga Shatrolli, pasi ai nuk ka kurrfarë faji që konkursi nuk ka qenë në rregull me ligjet. Po ashtu ka bërë të ditur se prapë do të jetë kandidat për drejtor të përgjithshëm të TKK-së, kur do të hapet konkursi i ri.

KOHA ka kërkuar një përgjigje për vendimin edhe nga MKRS-ja, por zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë dashur të flasin. TKK-ja është pa drejtor të përgjithshëm qysh prej janarit të vitit 2020, kur i skadoi mandati ish-drejtorit Agim Sopi.

Paraprakisht të premten e javës së kaluar, dy orë para mesnatës, Ministria e Kulturës kishte njoftuar se TKK-në e ka bërë me Këshill të ri drejtues. Kësisoj, edhe udhëheqja e tanishme e MKRS-së e vazhdon praktikën e ndërrimit të organeve drejtuese. Praktikën e qeverisjeve të mëparshme e ka vazhduar edhe sa u përket emërimeve të anëtarëve partiakë në organe drejtuese të institucioneve. Në përbërjen e re nuk ka vend asnjëri prej anëtarëve të përbërjes paraprake, mandati i të cilëve nuk zgjati as një vit.

Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi – si përfaqësuese e MKRS-së – janë shtatë anëtarët e emëruar prej ministrit Hajrulla Çeku.

Vetë ministri Çeku gjatë fushatës elektorale kishte thënë se do të bënte departizim të institucioneve kulturore. Por me emërimin e regjisores Shkurte Aliu në organin më të lartë drejtues të TKK-së, e ka bërë të kundërtën. Aliu është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, parti së cilës i takon edhe ministri Hajrulla Çeku. Në zgjedhjet e vitit 2017, Aliu ka qenë edhe kandidate e LVV-së për deputete. Ajo mbante numrin 42. Nuk ia kishte dalë që të ulej në Kuvendin e Kosovës. Për këtë veprim Çeku është kritikuar goxha. Por të mërkurën ai ka dalë me një sqarim në Facebook.

Ka shkruar se ka konsultuar komunitetin teatror të Kosovës dhe emrat e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar janë rezultat i atij procesi.

Ka thënë se në emër të departizimit në fushatë ka propozuar një filtër profesional mes ministrit dhe Këshillit Drejtues, dhe atë mekanizëm do ta zhvillojë shumë shpejt. Ka bërë të ditur se Ligji për teatrot ia jep të drejtën që të emërojë anëtarët e Këshillit Drejtues.

“Në atë detyrë e kam emëruar një profesioniste, jo një militante të padijshme. E kam emëruar një regjisore teatri, jo një që nuk e di as ku ka konkurruar, kam emëruar Shkurten e teatrit, jo Shkurten e Vetëvendosjes”, ka shkruar Çeku.

Ministri Çeku me emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues kishte shkarkuar anëtarë paraprakë. Në 10 tetorin e 2020-s, anëtarë të KD të TKK-së qenë emëruar Agron Shala, Ramadan Musliu, Feim Maliqaj, Besim Rexhaj, Mustafë Halili, Samka Ferri e Ismet Azemi. Poeti e kritiku letrar Ramadan Musliu vdiq pak ditë më vonë, e në vend të tij qe emëruar Munish Hyseni, drejtor i Bibliotekës së qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani”. Samka Ferri u tërhoq në shkurt, për t’u zëvendësuar me drejtorin e Teatrit të Podujevës, “Avdush Hasani”, Agron Gërguri.

Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik në Ministrinë e Kulturës ka anuluar vendimin e Këshillit Drejtues të TKK-së të datës 11 mars, me të cilin Naser Shatrolli emërohej drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me këtë vendim, Komisioni i MKRS-së e ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e ish-kandidatit për pozitën e drejtorit të TKK-së, Blerim Krasniqi. Edhe kandidati tjetër, Kushtrim Sheremeti, kishte bërë ankesë. Por MKRS-ja nuk i kishte shqyrtuar asnjërën prej tyre në afatin prej 15 ditëve

Agron Shala në cilësinë e ish-kryetarit të Këshillit ka thënë se nga biseda e parë që ka pasur me ministrin e ri të Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka kuptuar se ai nuk dëshiron ta mbështesë punën e ish-Këshillit, pra “as Teatrin (pos ndoshta emrat e caktuar), porse dëshiron të imponojë diktat dhe atë pa e përfillur madje as moshën e pesë anëtarëve që janë mbi 60 vjeç, e që për dallim nga ai kanë vepra e karrierë në fushën e artit dhe të kulturës”. Teatri Kombëtar i Kosovës është pa udhëheqës artistik qysh prej qershorit të vitit 2019, kur i skadoi mandati Agon Myftarit. Konkursi i hapur vitin e kaluar ishte anuluar shkaku i gabimeve të MKRS-së. Qe rihapur më 5 mars të këtij viti. Kanë konkurruar Arijeta Ajeti, Albana Muja, Sokol Plakolli, Ekrem Sopi dhe Behar Zenelaj.

“Çeku ka kërkuar ta anulojmë konkursin për postin e udhëheqësit artistik. Sepse, sipas tij, kandidatët ishin të dobët. Po ashtu kishte vërejtje edhe për emërimin e drejtorit të përgjithshëm. Ai merrej me emra e jo me procedurat që janë zbatuar në mënyrë të përpiktë”, ka thënë Shala, duke e përshkruar takimin me ministrin e Kulturës. Sipas tij, Çeku donte që Këshilli ta shkarkonte drejtorin e përgjithshëm, Naser Shatrolli.

“Donte po ashtu ta anulojmë konkursin për udhëheqës artistik. Nuk e kuptoja se ku e kishte gjithë atë guxim të thoshte duhet të bëhet kjo dhe ajo! Kur e pyeta nëse ka ndonjë kërkesë nga klanet e ’artistëve’ apo nga politika, ndodhi një deklaratë tragjikomike që tregon se sa di ai. Më tha: ‘Nga Albin Kurti që e njeh mirë filmin dhe teatrin’. U ndala pak e i thashë: ‘Mos harro që e njeh edhe muzikën’!? Tha: ‘Ke të drejtë, po këto më shumë’! Prandaj, si Këshill nuk ishim të shqetësuar nëse ndodh shkarkimi. Fare”, ka thënë Shala. Ka thënë se si ish-Këshill janë të lumtur që si çdoherë edhe herën e fundit kanë vepruar në mënyrë unike duke marrë vendim që të bëhet testi me shkrim për kandidatët për postin e udhëheqësit artistik të TKK-së. Kishin vendosur që testi të bëhej të mërkurën.

MKRS-ja pritet që të hapë konkurs të ri për drejtor të përgjithshëm, e sa i përket konkursit për udhëheqës artistik, ende nuk dihet nëse do të testohen kandidatët aktualë apo do të ketë anulim të konkursit.