Drejtoria e Kulturës në Gjilan do të zërë vend në Bibliotekën “Fan S. Noli”

Drejtoria e Kulturës në Gjilan do të zërë vend në Bibliotekën “Fan S. Noli”

Një pjesë e stafit të Drejtorisë së kulturës në Komunën e Gjilanit do të zhvendoset gjatë ditëve në vazhdim në hapësirën e Bibliotekës së qytetit.

Janë katër persona nga kjo drejtori që do të kenë zyrat e tyre në këtë bibliotekë, që është investim i Komisionit Evropian.

Vendimi është marrë nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ndërkohë opozita është duke e kundërshtuar, raporton KOHA.

Isufi, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, thotë se ka hapësira të tjera ku Drejtoria e Kulturës mund të zërë vend, përpara se të vendoset në bibliotekë.

Drejtoria e Kulturës nuk ka objekt të posaçëm dhe stafi i saj aktualisht është i vendosur në zyrat e Teatrit të qytetit.

Drejtoresha e Kulturës, Deniza Limani, thotë se nuk kanë zgjidhje tjetër për momentin dhe se bibliotekës do t’ia zënë vetëm një nga kthinat e saj.

Vendimi për këtë zhvendosje, sipas oponentëve, nuk është diskutuar në Kuvendin Komunal.

KTV-ja ka provuar të marrë prononcim nga një pjesë e stafit të bibliotekës të cilët janë ankuar prapa kamerës, por nuk kanë pranuar të deklarohen as punonjësit e as drejtori i tyre, Qazim Azizi.