Dua Lipa sjell botën në Kosovë me “Future Nostalgia”

Dua Lipa sjell botën në Kosovë me “Future Nostalgia”

Se Dua Lipa mbledh mijëra adhurues në mbarë botën, është e padiskutueshme. Për që Prishtina të jetë nikoqire e një performance të saj të nivelit si në Londër a Toronto, ku edhe ka interpretuar kohëve të fundit, nuk është bash e lehtë të besohet sidomos nga ata që për Kosovën kanë dëgjuar vetëm nëpërmjet lajmeve ndërkombëtare.

Me rreth 20 mijë veta përballë, ylli i popit ka bërë që të pranishmit të “shkëputen” nga toka për një kohë hiç të shkurtër. Niveli i saj interpretativ, bashkë me koreografinë e energjinë që ka përcjellë te rinia e një vendi që e ka fort zor të shkojë në një koncert të nivelit botëror, janë diçka e pazakonte për këto anë.

Radhët e gjata për një mbrëmje të jashtëzakonshme

Nata e parë e festivalit “Sunny Hill” është pritur të shpërfaqë interesim të madh për dy arsye: mungesa e organizimit për dy vjet shkaku i pandemisë dhe prania e yllit jo veç të asaj mbrëmjeje, por të krejt festivalit, Dua Lipa. Turmat e njerëzve nuk e kanë pritur mbrëmjen që t’ia mësyjnë “Gërmisë”. Radhët e gjata kanë qenë sidomos në mbrëmje dhe kanë vazhduar madje deri pas orës 22:00. Një publik që në dukje krijon përshtypjen se dominojnë të rinjtë. Shfrytëzimi i “Chill Zone” nuk ka qenë i vogël. E ata që qëndrojnë gjatë kanë për synim të kapin krejt mozaikun e një mbrëmjeje koncertale. Realisht sidomos rreth orës 22:00 sistemi i biletave ka pasur defekte. Shkaku i turmave, kontrolli ka qenë edhe sa për sy e faqe. Nganjëherë edhe pa kontrolle fare. Deri te hyrja e pjesës ku është e vendosur skena kryesore nuk ka pasur kontroll për siguri. E në atë pjesë ata që donin të mbushnin kuletën digjitale të blerjeve kanë pritur gjatë. Shumë prej tyre edhe kanë hequr dorë. Vullneti për të pasur ndjesinë e një mbrëmjeje të nivelit botëror ka bërë që shumë t’i mbyllin sytë përballë defekteve. Kësisoj ka dalë në pah edhe një gjë: “Gërmia” është e vogël për ngjarje të tilla në të gjitha aspektet.

Introja deri te pika kulmore

Por kur flitet për skenë, ndërron muhabeti. Turma e njerëzve midis dy hapësirave të “VIP” përballë skenës, shpesh ka ngjarë se kanë përjetime sikur po prekin në tokë. “Galoski”, “Sahati”, “Jimpong & Friends”, “Art Lokaj & Eros”, “Sancet” e “Sytë” kanë nisur të shoqërojnë publikun në orët e hershme të mbrëmjes. Kida e Yll Limani janë fort të dashur për një pjesë të rinisë kosovare. Kanë bërë që në disa momente publiku të këndojë si në kor së bashku me ta. Edhe Elvana Gjata i ka ndezur shumë prej të pranishmëve. Hitet e saj kanë bërë që këngëtarja të mbajë disponimin e masës. Midis këngëve edhe ka falënderuar të pranishmit bashkë me organizatorët për mundësinë që të marrë pjesë në një koncert të këtyre përmasave. Gjata bashkë me të tjerët të skenës vendore e rajonale mund të shihen shpesh në klubet e natës. Për ta, padyshim se një koncert me rreth 20 mijë veta përballë është ngjarje që nuk e kanë të lehtë ta arrijnë.

Standardi më i lartë ndonjëherë në Prishtinë

Pak para orës 24:00 skena ka pushuar nga këngëtarët e valltarët. Muzika alternative ka mbajtur disponimin dhe ka rritur shpresat se ylli Dua Lipa do të ngjitet shpejt në skenë.

Publiku vendor veç e ka ditur se prej shkurtit të këtij viti këngëtarja me nam botëror ka nisur turneun “Future Nostalgia”, siç titullohet edhe albumi i saj. Pamjet kanë treguar se fituesja e shumëfishtë e disa prej çmimeve më të rëndësishme botërore të muzikës ka qenë në piedestal sa u përket performancave. Zgjasnin rreth një orë e 20 minuta. Realisht është parë se ajo është në kulmin e karrierës.

Kur ora ka shënuar 24:10 ylli veç ka dhënë sinjale se do të jetë në skenë. E ky moment e ka ndërruar krejt atmosferën. E veshur në ngjyrë vjollcë nga “Valentino”, punuar enkas për të me mbishkrimin “Dua Lipa” ajo ka nisur të interpretojë sikurse në turneun e saj botëror. Hiti “New rules” ka bërë që skena me dimensione 30 me 20 metra e lartësi rreth 15 metra, të marrë pamje sikurse kur koncerton gjithandej botës. Lipa është prej këngëtarëve që shquhet për energjinë e saj. Koreografia e përshtatur me valltarë ka bërë që, gjithçka të jetë larg asaj që është interpretuar nga kolegët e saj vendorë, disa prej të cilëve kanë bërë që ambienti të duket sikur ndonjë klub i zakonshëm.

Fillimisht nuk ka komunikuar shumë me publikun, por ka vazhduar të këndojë sikurse në turneun e saj. “Love Again”, “Break My Heart”, “Preaty Please” e “Be The One” e kanë çuar disponimin në kulm. Aty është parë se shumica prej të pranishmëve mund të këndojnë në kor me të. Të mos dinë të ndalen duke vallëzuar e t’i lënë prapa krejt hallet duke e pasur koncentrimin në maksimum. Krahas mbishkrimeve “Set me Free”, ku Festivali ka bërë thirrje që kosovarët të lëvizin pa viza, të rinjtë e një vendi që nuk lëviz lirshëm kanë pasur rastin të jenë pranë një skene botërore.

“Dua Lipën e kam parë duke performuar edhe në Londër, në ‘O2’. Mbrëmë e pashë duke performuar para njerëzve të saj dhe kishte shumë energji, e kam shijuar shumë. Kishte prani të madhe të njerëzve, energji shumë pozitive dhe ishte ambient i hapur”, ka thënë kantautori italian, Alessandro Mahmoud, i njohur me emrin artistik, “Mahmood”. Vetë ai është njeri prej emrave të natës së dytë të festivalit.

“Electricity” e “Future Nostalgia”, po ashtu, kanë mbajtur të rinjtë në majë të gishtave.

E pak para se të nisë këndimi i “Levitating” në audiencë janë hedhur “hënat” e punuar nga stafi në mënyrë që krejt ambienti ta ketë një koreografi të veten. Thirrjet e yllit, “Prishtina” kanë bërë që entuziazmi të rritet edhe më.

“Koncerti ka qenë fantastik. Ka qenë natë e jashtëzakonshme. Standardi më i lartë ndonjëherë në Prishtinë. Ishte diçka që përjetohet në New York, Londër e mbrëmë e kemi pasur në Prishtinë”, ka thënë kompozitori Florent Boshnjaku. Ka theksuar se duke anashkaluar faktin se Dua vjen nga Prishtina e pa dashur ta lavdërojë shkaku që është shqiptare, mbrëmja ka qenë diçka fantastike. Sipas tij, është koha që në këto anë të ndërrojë sistemi sa u përket organizimeve. E ka marrë shembull mbrëmjen e së enjtes në “Sunny Hill”.

“Nuk mund të kënaqemi e të vazhdojmë duke menduar se jemi mirë. Kushdo që merret me këtë punë, fillimisht ndien veten më mirë kur sheh këso standardi. Na e ngrit edhe ne standardin. Pastaj është imazh që të rinjtë e kërkojnë pasi është si model. Sa më i lartë standardi aktual, aq më i lartë do të jetë i atyre që vijnë prapa”, ka thënë Boshnjaku.

Disa arsye për mbrëmje fantastike kanë përmendur të rinjtë në publik.

“Ne thjesht po kënaqemi pas gjithë asaj pandemie. Kosova është Evropë e botë sot”, ka thënë duke vallëzuar në maksimum, Yll Gashi nga Prizreni. Sikurse përgjigja e tij mund të gjesh me qindra.

Kantautori Arbër Salihu, i njohur si “La Fazani”, u është bashkuar këngëtarëve të natës së dytë në “Sunny Hill”

“Koncerti ishte fantastik, sa i përket Duas sidomos. Thjesht çka ka sjellë Dua në Prishtinë është përtej pritjeve. Ka qenë prej netëve më të bukura ndonjëherë”, ka thënë ai disa orë para se vetë të ngjitet në skenë. Ka shtuar paraqitjen në “Sunny Hill”, e pret me pa durim.

Koncerti është paraqitur edhe nga mediat ndërkombëtare. “Mail Online” ka komentuar veshjen e Lipës duke e përshkruar atë si një këngëtare që ka shkëlqyer.

Lipa e ka lënë skenën fiks në orën 01:33 minuta duke bërë që mbi 80 minuta të jetë duke performuar.

“Faleminderit shumë për gjithçka. Jam e lumtur që po e bëjmë këtë bashkë me ju, njerëzit e mi e familjen time”, ka thënë midis të tjerash ylli i popit. Ka lënë skenën e festivalit që do të vazhdojë edhe për tri net të tjera bashkë me yjet si J. Balvin, Spekta e Diplo. Nata me Dua Lipën sigurisht që do të jetë më e rëndësishmja. Pasi modeli botëror shërben si model edhe për vendin e saj.