Edhe një tjetër i infektuar me koronavirus në Studime të Poshtme të Vushtrrisë

Edhe një tjetër i infektuar me koronavirus në Studime të Poshtme të Vushtrrisë – Lajmet e fundit



Image

Derisa epidemia COVID-19 po përhapet me shpejtësi edhe në Vushtrri, Policisë së Kosovës i ka dalë punë me qytetarët që shkelin orën policore. Në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës përkujdeset për zbatimin e orës policore të Qeverisë së Kosovës. Në veri të Kosovës akoma asnjë rast i regjistruar me koronavirus, raporton Zëri.info.

Derisa epidemia COVID-19 është duke u përhapur edhe në komunën e Vushtrrisë dhe derisa shtabet emergjente të komunës së Mitrovicës dhe atyre të rajonit të Mitrovicës, Vushtrri e Skenderaj, si dhe Drenas, Mitrovicë e Veriut dhe tri komunat tjera veriore po përpiqen t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet e Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë (komunat veriore), Policisë së Kosovës i ka dale punë me qytetarët e padisiplinuar, të cilët nuk e respektojnë orën policore. Pas arrestimit të tre personave në veri Mitrovicës, dy shqiptarë dhe një serbe, Policia në jug të Mitrovicës ka arrestuar të mërkurën 6 persona, të cilët sipas policës “kanë vepruar kundër dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë”. Gjashtë personat janë kapur duke qarkulluar me automjete pa ndonjë arsye dhe në këtë mënyrë kanë shkelur vendimin për kufizimin e lëvizjes së automjeteve dhe të njerëzve. Të gjithë ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ora policore e vendosur nga Qeveria e Albin Kurtit është duke u zbatuar edhe në veri të Mitrovicës. Branisllav Radoviq, zëdhënës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri ka thënë për mediet serbe në atë pjesë, se gjatë orëve kur kufizohet lëvizja, nuk mund të ketë qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve dhe kjo duhet të respektohet nga qytetarët. “I ftoj qytetarët të jenë të disiplinuar dhe t’i respektojnë masat”, ka thënë ai, ndërkaq, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, ka thënë se qytetarët mund të lëvizin edhe gjatë periudhës prej 10:00 deri në ora 16:00, por në mënyrë të kufizuar. Për shkak të masave që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, por edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, qytetarët e veriut janë të hutuar. Gjatë ditës së mërkurë, nga ora 10:00 janë mbyllur marketet dhe shitoret në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa pas dite janë hapur, por janë krijuar tollovi, të cilat nuk mund të tolerohen. Kapiten Hoti ka thënë se të gjithë ata që i kanë mbyllur furrat dhe shitoret mund t’i mbajnë të hapura, ndërsa qytetarët e ndërtesave, në të cilat ndodhen dyqanet, mund të zbresin dhe të blejnë artikujt e nevojshëm. Tregtarët ndërkaq, sipas kapiten Hotit gjatë asaj kohe sa zgjatë kufizimi mund të pranojnë mallrat, të porosisin mall dhe të përgatiten për shitje.

E ndërkaq, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se është bërë dezinfektimi i shesheve dhe rrugëve të Mitrovicës në mënyrë vullnetar gad y kompani “Ekofesh” dhe “Euro Komerc”. “Si kryetar i komunës së Mitrovicës, së bashku me stafin tim dhe Shtabin komunal emergjent të formuar pas shfaqjes së koronavirusit COVID-19, mbetemi të përkushtuar t’iu qëndrojmë pranë qytetarëve duke iu shërbyer ashtu siç dimë më së miri”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, në Studime të Poshtme është regjistruar edhe një i infektuar me virusin corona. Sipas IKSHPK, një femër 44-vjeçare është infektuar me koronavirus dhe ka lidhje me rastin e parë, në Studime të Poshtme të Vushtrrisë. Këtë e ka konfirmuar kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahairi, i cili ka thënë se pacientja ka qenë kontakt familjar me pacienten e parë, se është e gjinisë femërore e lindur në vitin 1976. “Nga data 19.03.2020, pacientja çdo ditë është përcjellë nga IRSHP Mitrovicë dhe stafi i QKMF-së në Vushtrri. Pacientja dhe familja e saj kanë qenë në vetizolim. Po ashtu nga data 19.03.2020, janë gjurmuar kontaktet e pacientes dhe janë udhëzuar të vetizolohen. Sot janë marrë mostrat edhe për kontaktet tjera brenda kësaj familje ndërsa rezultatet dalin nesër. Në këto momente jo të lehta, ne qëndrojmë afër me familjen Selaci. Shtabi Komunal Emergjent dhe vullnetarët do ti ofrojnë krejt asistencën e nevojshme brenda mundësive dhe kapaciteteve tona familjes Selaci”, ka thënë kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili ka njoftuar se është bërë dezinfektimi i hyrjeve publike të banesave kolektive dhe ashensorëve në Vushtrri. Dezinfektimi i hyrjeve të banesave është bërë edhe në Skenderaj dhe në Drenas.

Në Drenas, 200 familje në nevojë, të mërkurën kanë përfituar pako ushqimore, 25 kilogramë miell, 2 litra qumësht dhe 2 litra lëngje, donacion nga “Elkos Group”, “Devolli corporation”, “Devolli Group” dhe “ETC”. Përzgjedhja e familjeve në nevojë është bërë nga administratorët e vendbanimeve të kontaktuar nga Komuna e Drenasit e cila edhe i ka kërkuar të caktojnë ato familje që kanë nevojë urgjente. Edhe hoxhë Halil Kastrati përmes Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, do të ndihmoj me pako ushqimore 50 familjet e banimit social në Çikatovë të Re. Ndërkaq, javën e ardhshme, Komuna e Drenasit, me buxhetin nga kategoria e subvencioneve do të ndajë 600 pako ushqimore për familjet në nevojë. E gjatë ditës së mërkurë, siç edhe ishte paralajmëruar, Kuvendi i Drenasit në një seancë të jashtëzakonshme ka marrë vendim për ndarjen e 229.200 euro për menaxhimin e situatës së krijuar nga epidemia COVID-19.