Ekonomia amerikane pëson sërish rënie, duke shtuar frikën për recesion

Ekonomia amerikane pëson sërish rënie, duke shtuar frikën për recesion

Ekonomia amerikane ka pësuar rënie për të dytin tremujor radhazi, një indikator që në shumë vende do të konsiderohej një recesion ekonomik.

Por, ky nuk është rasti në SHBA, pasi ky vend përdor edhe disa të dhëna shtesë përpara se të deklarojë gjendjen e një recesioni.

Rënia ekonomike, me një normë vjetore prej 0.9% në tre muajt deri në korrik, ka tërhequr shumë vëmendje, teksa po rriten shqetësimet për ekonominë.

Çmimet për produktet ushqimore, për benzinën dhe për gjërat e tjera bazë po rriten me ritmin më të shpejtë që nga viti 1981.

Ndërsa banka qendrore e SHBA po rrit shpejt kostot e huamarrjes në përpjekje për të qetësuar ekonominë dhe për të lehtësuar presionet e çmimeve, po shtohet frika e një recesioni të mundshëm – nëse një i tillë nuk ka filluar tashmë zyrtarisht.

Për shkak të rënies së besimit të publikut, Presidenti i SHBA, Joe Biden, është përpjekur të shpjegojë se ekonomia vazhdon të mbetet në një gjendje të mirë, duke vënë në dukje se shkalla e papunësisë mbetet në një nivel të ulët prej 3.6% dhe punësimi ka qenë në nivele të larta.

“Nëse shikoni tregun tonë të punës, shpenzimet e konsumatorëve, investimet e bizneseve – ju do të vini re shenja të përparimit ekonomik,” tha Biden të enjten, duke vënë në dukje rritjen historike pas pandemisë që SHBA pati gjatë vitit të kaluar. “Nuk ka dyshim që ne presim që rritja të jetë më e ngadaltë se ajo e vitit të kaluar… Kjo është në përputhje me një tranzicion drejt rritjes së qëndrueshme dhe inflacionit më të ulët.”

Këtë javë, përpara publikimit të të dhënave nga Departamenti i Tregtisë, ai u tha gazetarëve se ekonomia “nuk do të binte në recesion”. Kjo bëri që kundërshtarët e tij në Partinë Republikane të akuzojnë Shtëpinë e Bardhë se po përpiqet të ripërcaktojë kuptimin e këtij termi.

“Përkufizimi i ri që Shtëpia e Bardhë kërkon t’i japë termit ‘recesion’ nuk do të zvogëlojë vuajtjet e amerikanëve,” thanë ata.

Në tre muajt e parë të vitit, ekonomia amerikane ra me një normë vjetore prej 1.6%. Në atë kohë, ekonomistët ia atribuan rënien e produktit të brendshëm bruto (PBB) ndryshimeve në të dhënat e tregtisë.

Por, raporti i së enjtes tregoi një ngadalësim më të theksuar ekonomik. Rritja u pengua nga rënia e vlerës në tregun e banesave, nga reduktimi i investimeve të bizneseve dhe i shpenzimeve qeveritare. Shpenzimet e konsumatorëve u rritën me një normë më të ngadaltë vjetore prej 1%, pasi njerëzit shpenzuan më shumë për kujdesin shëndetësor, për akomodimin dhe për ngrënien jashtë shtëpisë, por ulën shpenzimet e tyre për mallra dhe produkte ushqimore.

Profesori i Harvardit, Jeffrey Frankel, ka shërbyer më parë në komitetin e Byrosë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike, grupi i akademikëve që ka për detyrë të shpallë zyrtarisht gjendjen e recesionit.

Ai tha se nuk mendonte që ka nisur një recesion në fillim të vitit, duke vënë në dukje rritjen e madhe të numrit të vendeve të punës. Por, pas kësaj, ai ishte më pak i sigurt.

“Aktiviteti tashmë është ngadalësuar, kështu që nuk po them se gjithçka po shkon mirë”, tha ai. “Shanset e një recesioni në vazhdim janë dukshëm më të larta krahasuar me një vit të zakonshëm.”

Inflacioni në SHBA arriti në 9.1% në qershor, ritmi më i shpejtë i rritjes së çmimeve në më shumë se katër dekada.

Të mërkurën, banka qendrore e SHBA iu përgjigj problemit me një tjetër rritje jashtëzakonisht të madhe të normës bazë të interesit, rritja e dytë prej 0.75 pikë përqindjeje që kur filloi ndryshimi i normave në mars.

Duke shtrenjtuar kostot e huamarrjes, Rezerva Federale shpreson të reduktojë shpenzimet për artikuj të tillë si shtëpitë dhe makinat, duke lehtësuar teorikisht disa nga presionet që rrisin çmimet. Por, kërkesa më e ulët nënkupton edhe rënie të aktivitetit ekonomik.

Raportet e fundit kanë treguar një rënie të besimit të konsumatorëve, një ngadalësim të tregut të banesave dhe rënien e parë të aktivitetit të biznesit që nga viti 2020.

Tregu i aksioneve në SHBA ka pësuar gjithashtu një rënie që nga fillimi i vitit. Kompanitë, duke filluar nga gjigandi i mediave sociale Meta, pronari i Facebook dhe Instagram, e deri te prodhuesi i makinave General Motors, kanë thënë se planifikojnë të reduktojnë ritmin e punësimeve. Disa firma të tjera, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, kanë paralajmëruar shkurtime të vendeve të punës./ BBC