Ekonomia turke do të rritet me 5.8% në 2021 - FMN paralajmëron se vendi përballet me rreziqe nga inflacioni i lartë

Ekonomia turke do të rritet me 5.8% në 2021 – FMN paralajmëron se vendi përballet me rreziqe nga inflacioni i lartë

Ekonomia e Turqisë do të rritet me 5.8% gjatë këtij viti, por do të rikthehet në një trend më të ulët nga viti 2022 e në vijim. Parashikimi vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që i bëri thirrje qeverisë turke të ndërmarrë hapa të tjerë për të adresuar inflacionin e lartë dhe rezervat e ulëta. “Kryesisht, duke pasqyruar një tendencë pozitive nga rimëkëmbja e shpejtë e aktivitetit në gjysmën e dytë të vitit 2020, rritja ekonomike do të arrijë në 5.8% gjatë këtij viti”, deklaroi FMN në përfundim të misionit në këtë vend.

“Me nevoja të larta për financim të jashtëm, depozitat e larta të huaja në monedhat ndërkombëtare dhe rezervat e ulëta, do të bëjnë që ekonomia të jetë e pambrojtur ndaj goditjeve dhe ndaj ndryshimeve të brendshme apo të jashtme”, paralajmëron FMN. Rimëkëmbja e shpejtë ekonomike pas shpërthimit të koronavirusit u mbështet nga rritja e kreditimit nga bankat shtetërore, që sipas FMN ishte e jashtëzakonshme.

Por, këto politika nxitën inflacionin, dollarizimin e ekonomisë dhe çekuilibrat e jashtëm. Gjithashtu, fondi nënvizoi rëndësinë e adoptimit të politikave për të reduktuar dobësitë dhe angazhimin për një politikë monetare të fortë për të luftuar inflacionin e lartë. Gjatë këtij viti, lira turke ka rënë me rreth 11% përballë dollarit amerikan, ndërsa inflacioni është pranë 17%.

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.