EKSKLUZIVE, 200 VIP-at e 2019-s

EKSKLUZIVE, 200 VIP-at e 2019-s

Renditja e kompanive më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, “Monitor 200”, për vitin 2019. Ndërtimi dhe koncesionet po vijojnë të fitojnë terren. Sipërmarrjet e përqendruara në konsum paralajmërojnë për pasojat e COVID-19 në aktivitetin e tyre. Për bizneset që mbështetën TAP dhe krijuan iluzionin e rritjes ekonomike, ky ishte viti i fundit i lulëzimit. Panorama e vitit 2019 i ngjan një qetësie, përpara stuhisë, që kishte filluar ngadalë pa u ndier, por u kthye në një ciklon pas shpërthimit të COVID-19.

 

Nga Ornela Liperi

2019-a ishte një vit i qetë. Tronditjet nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit nuk arritën të “shkundnin” monotoninë ku ka hyrë ekonomia shqiptare prej 3 dekadash.

Rritja vijoi të ndikohet nga faktorë rastësorë, si kapriçiot e motit, që ulin apo rrisin prodhimin e energjisë, apo ngjarje që ndodhin vetëm një herë, si investimi madhor i gazsjellësit TAP, i cili për disa vjet solli iluzionin e një rritjeje të shpejtë. Ekonomia vijoi të bazohej te konsumi (për fat të keq i mallrave të importit) dhe kompanitë i janë përshtatur këtij modeli.

Në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha për nga qarkullimi vjetor, edhe në 2019-n mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese e shpërndarëse, që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal. Ato vetëm faturojnë e rrisin artificialisht xhiron e ekonomisë dhe kanë një normë fitimi tepër të ulët, ndërsa përpunuesit po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt fundit të listës.

Ndryshe nga rajoni, ku kryesojnë kompanitë prodhuese, kryesisht mbështetëse të industrisë automotive dhe po zhvillohet teknologjia e informacionit, Shqipëria nuk po njeh hyrje të tilla në listën e më të mëdhenjve. 3 kompani ndër 10 më të mëdhenjtë në renditjen e “Monitor 200” për vitin 2019 ishin në fushën e tregtimit me shumicë e pakicë të karburanteve! Dobësitë e modelit ekonomik u dukën qartë në vitin 2019, kur rritja u ngadalësua në 2.2%, niveli më i ulët nga 2013-a.

Kjo qetësi është tronditur tashmë. Pandemia e COVID-19, që filloi në mars të këtij viti, pritet të ndikojë mënyrën e të bërit biznes dhe të ristrukturojë ekonominë vendase. Pothuajse të gjitha kompanitë, në raportet vjetore dhe të aktivitetit për bilancet e 2019-s, e kanë vënë theksin te pasiguritë dhe paqartësitë në të ardhmen, të lidhura me kohëzgjatjen e pandemisë, efektivitetin e politikave të qeverisë dhe institucionit monetar qendror, ndryshimin e tendencës konsumatore dhe ndikimin që kjo e fundit do të sjellë në rezultatet financiare të tyre.

Shumë sipërmarrje raportojnë në ngjarjet jashtë bilancit në raportet e tyre vjetore të 2019-s, se kanë ngrirë investimet, ndërkohë që nuk janë të sigurta për ashpërsinë e pasojave të krijuara nga pandemia dhe u tremben pasigurive të mëdha në të ardhmen.

Shqipëria, sipas institucioneve ndërkombëtare, pritet të ketë rënien më të lartë në rajon nga pandemia, me të paktën -5%, e lidhur kjo me peshën e lartë të turizmit, varësinë nga Italia për eksportet, intensitetin e ulët të ndihmës qeveritare dhe sidomos dobësitë e saj strukturore ekonomike, të lidhura me produktivitetin e ulët, mungesën e investimeve në sektorë me vlerë të shtuar, nivelin e pakët të sofistikimit etj.

Stanjacioni po kthehet në një problem me vete për ekonominë e vendit. Edhe në vite të mbara, vendi nuk po arrin të zgjerohet më shumë se 3-4%, e pamjaftueshme për të ashtuquajturin proces të konvergjencës, ku duhet një rritje më e shpejtë për të kapur, brenda një periudhe kohe, mesataren e Bashkimit Europian (sot Shqipëria është ndër më të varfrat në Europë, me vetëm 31% të të ardhurave për frymë të mesatares së BE-së).

Edhe ajo rritje ka qenë tërësisht e paqëndrueshme. Fakti është se vitet e fundit nuk ka sipërmarrje të reja, të cilat vijnë nga ndonjë risi teknologjike, apo nga ndonjë model biznesi i suksesshëm, por vetëm kompani që, ose marrin leje, apo koncesione nga shteti, ose tenderë apo akses në fonde publike, që i bën të njihen në renditje të kompanive.

Në këtë aspekt, gati-gati COVID-19 do të krijojë kushtet për një prishje të kësaj status quo-je, ose në rastin më të keq, të konsolidimit të saj edhe më të fortë, pasi ndërhyrja e shtetit do të ndikojë edhe më fort në një ekonomi të tregut të tronditur nga pandemia.

 

BURIMI: INSTAT, 2020 PARASHIKIMI I INSTITUCIONEVE NDËRKOMBËTARE

 

Bizneset që kanë lulëzuar vitet e fundit janë sipërmarrjet e ndërtimit dhe koncesionet. Ndërtimi rezulton sektori që po tërheq paratë e lira, për shkak të normave të larta të fitimit, kërkesës së fryrë nga burimet e tjera dhe lehtësisë për të kanalizuar fondet informale. Për ironi, për momentin, ndërtimi rezidencial është sektori që po vijon i pashqetësuar aktivitetin, me kompanitë që nuk parashikojnë në raportet vjetore të preken shumë nga pandemia.

Koncesionet, nga ana tjetër, po kthehen në biznesin më të sigurt dhe po zënë gjithnjë e më shumë vend ndër më të mëdhenjtë. Pas hyrjes vitin e kaluar të subjekteve të reja, rritja e tyre ka vijuar e pashqetësuar. Kjo siguri është vetëm për sipërmarrësit dhe aspak për buxhetin apo taksapaguesit.

Një analizë e Ministrisë së Financave për koncesionet (Partneritetet Publike-Private – PPP) në fund të 2019-s gjeti se, në pjesën më të madhe të tyre, riskun financiar e kishte marrë përsipër shteti. P.sh., në rastin e kontrollit mjekësor, kompania paguhej për shërbime që nuk kryheshin, ndërsa për sterilizimin, koncesionari paguhej shtesë kur tejkalonte numrin e shërbimeve që ishte parashikuar në kontratë.

Në rastin e inceneratorëve, kosto mund të rritet mbi 30%, për shkak të indeksimit të inflacionit, apo rritjes së sasisë së plehrave të përpunuara, përtej parashikimeve në kontratë. Në kahun tjetër, mungon një analizë e qartë kosto-përfitime dhe ndarje rreziku, nëse zgjedhja për t’i dhënë shumë shërbime me koncesion ka qenë alternativa më e mirë.

Mungesa e eficiencës së koncesioneve u bë e dukshme në fillim të vitit 2020, ku rreth 30 milionë euro në vit që buxheti kishte shpenzuar për koncesionet e shëndetësisë në 4-5 vitet e fundit u zhvlerësuan tërësisht në momentin kur vendi u përball me pandeminë e COVID-19. Këto investime ishin tërësisht të pavlefshme, pasi infrastruktura e tyre nuk u përdor për emergjencën e krijuar, teksa kompanitë, ndryshe nga shteti, kanë për qëllim maksimizimin e fitimit dhe nuk janë të gatshme të ndërmarrin përsipër rrezik.

200 kompanitë më të mëdha qarkulluan në vitin 2019 rreth 8.4 miliardë euro, ose rreth 64% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në raport me një vit më parë, qarkullimi i 200 VIP-ave ka mbetur pothuajse i pandryshuar, duke reflektuar dhe ngadalësimin e aktivitetit ekonomik në vend.

Ulja e të ardhurave të kompanive nënkontraktore të gazsjellësit TAP, ndërsa projekti është drejt fundit dhe të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), për shkak të motit të thatë, që nuk mundësoi prodhimin e energjisë, janë arsyet kryesore të këtij stanjacioni. Në vitin 2018 ishte pikërisht rritja e këtyre të fundit e cila ndikoi pozitivisht në zgjerimin e ekonomisë në 4.1%, niveli më i lartë që nga 2008-a.

Kufiri i qarkullimit vjetor i subjekteve që kanë hyrë tek 200 më të mëdhenjtë, është rritur lehtë në rreth 1.6 miliardë lekë, nga 1.52 miliardë lekë vitin e mëparshëm.

“Monitor 200” ka hartuar, si çdo vit, renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, bazuar në listën me emra nga Tatimet dhe xhirove të deklaruara nga subjektet, në bilancet e dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe të dhënave nga vetë kompanitë, që nuk kanë dorëzuar ende bilancin në QKB. Në numër mbizotërojnë subjektet me aktivitet në fushën e tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese.

 

10 KOMPANITË MË TË MËDHA NË VEND

  1. “Kastrati Group”

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë në vend, “Kastrati SH.A”, që e ka ndryshuar emrin në “Kastrati Group”, është renditur më e madhja në vend, sipas qarkullimit vjetor, për të dytin vit radhazi në 2019, në listën e “MONITOR 200” të më të mëdhenjve të biznesit në Shqipëri.

Kompania raportoi 65.1 miliardë lekë qarkullim vjetor (rreth 525 milionë euro), me një rritje prej 5.6% me bazë vjetore. Tregtimi i karburanteve ka sjellë 97% të totalit të të ardhurave në vitin 2019, sipas raportit vjetor, pjesa tjetër nga qiratë, ose punimet për të tretët. Vitet e fundit, grupi është diversifikuar dhe në ndërtim e hoteleri. Pjesë e rëndësishme e aktivitetit tregtar janë edhe investimet kapitale në fushën e ndërtimit”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Zgjerimi është ndihmuar dhe nga rritja e kërkesës për karburant në tërësi, dhe e ndikuar nga ecuria pozitive e kërkesës nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë. Kemi investuar me sukses pavarësisht pozitave tona të konsoliduara në sektorin e energjisë dhe tregtimin e hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë.

Edhe gjatë 2019-ës kemi rritur investimet dhe kemi zgjeruar pikat tona në të gjithë Shqipërinë”, pohon Zëvendëspresidenti i Kastrati Group, z. Leonard Kastrati. Ai thotë se situata e Covid-19 ka ndikuar në të gjitha sektorët ku janë prezent, veçanërisht gjatë periudhës së izolimit, por grupi ka vijuar të punojë me kapacitete të plota në të gjitha projektet e tjera dhe nuk ka pasur asnjë shtyrje apo ngadalësim të investimeve apo projekteve.

 

  1. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike-Grup” (OSHEE Grup Sh.A) është sipërmarrja e dytë më e madhe në vend për qarkullimin vjetor. Të ardhurat totale në vitin 2019 ishin 57.7 miliardë lekë (rreth 465 milionë euro), me rritje prej 2% me bazë vjetore.

2019-a ishte vit i vështirë për kompaninë, e cila u detyrua t’i drejtohej importit, si rrjedhojë e rënies së prodhimit të energjisë në vend, gjë që rriti shpenzimet, duke rezultuar me humbje 7.4 miliardë lekë.

Administratori i përgjithshëm i OSHEE Group Sh.A, z. Adrian Çela, thotë se viti 2019 për OSHEE ishte “sfidues”, i përsëritur pas thatësirës së vitit 2017, dhe situata u rëndua më tej nga thatësira e vitit 2020.

“Sektori energjetik në Shqipëri është mjaft i ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike, dhe OSHEE është shoqëria e cila mbart gjithë efektet (dëmin në këtë rast), shkaktuar nga këto ndryshime”. Çela shton se nëse ndryshimet klimaterike do të jenë të përhershme, atëherë Shqipëria do të ketë një sfidë të re në vitet që vijnë sa i përket diversifikimit të burimeve energjetike, siç është rasti i impianteve fotovoltaike, në mënyrë që vendi të mos jetë i varur nga importi i energjisë.

 

  1. “Bankers Petroleum”

“Bankers Petroleum”, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos-Marinzën, është ngjitur në vend të katërt, nga i pesti një vit më parë në renditjen e “Monitor 200”. Të ardhurat ishin 30 miliardë lekë, me një zgjerim prej gati 7% me bazë vjetore. Përmirësimi i koniunkturës së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar pozitivisht për “Bankers” për të tretin vit radhazi, që vijon gjithsesi të deklarojë humbje.

Kompania u prek nga pandemia në pjesën e parë të 2020-s, duke u detyruar të ndërpresë aktivitetin në prill, për më shumë se një muaj, për herë të parë në histori, por nga qershori, situata u rikthye drejt normalitetit.

“Si pasojë e situatës së pandemisë, ‘Bankers’ u detyrua të reduktojë në minimum aktivitetin në fushën e Patos-Marinzës. Pandemia nuk solli vetëm mbyllje të bizneseve, duke përfshirë edhe rafineritë, por edhe reduktim të ndjeshëm të çmimit të naftës, nën 20 dollarë/fuçi.

Si pasojë, planet ambicioze të ‘Bankers’ për intensifikim të aktivitetit hidrokarbur u ndalën gjatë kësaj periudhe, duke ndikuar negativisht në planet për hapjen e puseve të reja. Kjo ka qenë një periudhë sfiduese për ne, por i kemi marrë të gjitha masat e duhura për operacionet tona të përditshme dhe kemi mundur të rikthehemi në aktivitet normal, duke vijuar investime në zonën e Patos-Marinzës”, pohon CEO i “Bankers Petroleum Albania”, Xingyun Sun.

 

  1. “Kurum Albania”

“Kurum Albania”, në vitin e katërt të ristrukturimit për efekt falimenti, ka vijuar aktivitetin me rritje. Të ardhurat e prodhuesit dhe përpunuesit të çelikut arritën në rreth 27 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 3.4%, në ngadalësim pas zgjerimeve dyshifrore të dy viteve të mëparshme.

Më 16 mars 2016, kompania u fut në një proces “falimenti të kontrolluar” në Gjykatën e Tiranës dhe më pas, më 15 prill, u hap procedura e falimentit për efekt ristrukturimi. Në mes të vitit 2017, u miratua plani i organizimit të kompanisë që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave deri në vitin 2023 dhe u ristrukturuan kreditë.

Kompania u prek ndjeshëm nga pandemia këtë vit, duke u detyruar të mbyllë për pak javë aktivitetin në prill 2020. Rikthimi në normalitet duket i vështirë në 2020-n, për shkak të kërkesës së ulët në tregjet kryesore të eksportit, Kosovë e Maqedoni, dhe konkurrencës brenda vendit nga importet me çmime të ulëta.

Arif Shkalla, drejtor ekonomik i Kurum pohon se pritshmëritë janë që gjatë vitit 2020, kompania të realizojë 75-80% të volumit të prodhimit dhe shitjes së 2019, ndërsa marzhi i fitimit është shumë më i vogël. Ai shton se procesi i shlyerjes së kredive kishte ecur normalisht në muajt e parë të vitit, por pas pandemisë po negociohet për riskedulim të planit, duke paguar një pjesë të kredive dhe duke shtyrë për vitin 2021 pjesën e mbetur.

 

  1. “Spiecapag-Shqipëria”

“Spiecapag-Shqipëria”, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë, në kuadër të gazsjellësit TAP. Në Shqipëri ka dy kompani, “SPIECAPAG – Shqipëria” dhe “SPIECAPAG Transadriatica”, të krijuara në vitin 2016. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së “Spiecapag”.

“SPIECAPAG – Shqipëria” ka zbritur në pozicionin e pestë në vitin 2019, duke raportuar një qarkullim vjetor prej 25.8 miliardë lekësh, me rënie 25% me bazë vjetore, pas një rritjeje të shpejtë në vend tre vitet e fundit. Aktiviteti i saj në Shqipëri po shkon drejt fundit, teksa punimet për ndërtimin e TAP në Shqipëri thuajse kanë përfunduar.

Malfor Nuri, menaxher i TAP për Shqipërinë, pohon se deri në korrik të 2020, gazsjellësi TAP ka qenë i përfunduar në masën 97%, si në aspektin inxhinierik, ashtu dhe në atë të prokurimeve dhe ndërtimit.

 

  1. “Genklaudis”

“Genklaudis SH.A” është renditur në vitin 2019, si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, për të dytin vit radhazi. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 25.3 miliardë lekësh, me rritje 10.5% me bazë vjetore.

Në raportin e veprimtarisë theksohet se Shoqëria ka kryer investime në zonën energjetike Porto Romano në Durrës dhe ka shtuar kapacitetin depozitues ekzistues për produktet që tregton. Investimi është financuar nga bankat për një periudhë 5-vjeçare.

 

  1. “SPIECAPAG Transadriatica”

Sipërmarrja tjetër, “SPIECAPAG Transadriatica”, që ka si objektiv aktivitetin e ndërtimit të linjës furnizuese të gazsjellësit TAP, ishte në vend të shtatë. Të ardhurat e kompanisë u rritën me 7%, në 25.1 miliardë lekë.

 

  1. “Banka Kombëtare Tregtare”

“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), e cila prej disa vitesh, është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, kredinë, depozitat dhe të ardhurat, është renditur e teta në dhjetë më të mëdhatë.

Qarkullimi i saj vjetor, sipas burimeve zyrtare nga banka, ishte rreth 25 miliardë lekë. Të dhënat e mësipërme për të dy vitet janë raportuar nga banka, duke reflektuar efektin neto të fitim/humbjes nga vlera e tregut për investimet në letra me vlerë 2019. Të dhënat e raportuara më herët te revista “Monitor” për vitin 2018 kanë qenë të konsoliduara, duke përfshirë edhe BKT Kosovë, sqaruan burimet zyrtare të BKT.

“2019-a ka shënuar një tjetër vit të suksesshëm për BKT në terma të rritjes dhe përfitueshmërisë. Kemi forcuar më tej pozicionin tonë udhëheqës në shumë aspekte dhe jemi fokusuar te cilësia e portofolit, duke optimizuar pritshmëritë për riskun/kthimin, në mënyrë që të arrijmë të ulim nivelin e kredive me probleme”, pohon z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues.

 

  1. Big Market

“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, për herë të parë ka arritur një nivel të qarkullimit vjetor të konsoliduar për gjithë rrjetin, që e klasifikon atë ndër 10 më të mëdhenjtë në vend. Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave të saj zyrtare ishin 18 miliardë lekë, me një rritje të fortë prej 20% në krahasim me vitin e kaluar.

Burime nga kompania thanë se kanë pasur një ecuri pozitive përgjatë gjithë 2019-s, sidomos në gusht, e ndikuar nga ardhja e turistëve të huaj, rikthimi i emigrantëve në Shqipëri dhe hapja e pikave Big Market përgjatë gjithë zonave bregdetare nga Jugu në Veri. Në nëntor, rrjeti pësoi dëmtime të mëdha në supermarketet e qarkut të Durrësit, nga tërmeti. Situata u rikuperua shpejt dhe muaji dhjetor 2019 shënoi rritje pavarësisht situatës me tërmetin. Përgjatë 2019 në total u hapën 15 pika të reja Big Market në qytete të ndryshme, duke zgjeruar hartën e shtrirjes së rrjetit, dhe duke ecur në të njëjtin trend rritje në 5- vjeçarin e fundi, sipas burimeve zyrtare.

 

  1. “Europetrol Durrës Albania”

“Europetrol Durrës Albania”, sipërmarrje e tregtimit me shumicë të karburanteve, ka mbetur në vendin e dhjetë, njësoj me vitin e kaluar. Kompania është prej disa vitesh ndër 10 më të mëdhenjtë. Europetrol raportoi të ardhura 17.3 miliardë lekë, pothuajse të pandryshuara në raport me vitin e mëparshëm.

 

KESH, rënia e prodhimit uli të ardhurat

“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare” (Sh.a KESH), prodhuesi shtetëror i energjisë raportoi të ardhura prej 6.9 miliardë lekësh në 2019-n, në përgjysmim me një vit më parë, sipas burimeve nga kompania. Tkurrja lidhet me motin e thatë pa reshje, që nuk i mundësoi KESH të prodhonte energji.

Në vitin 2018, kompania kishte shënuar një zgjerim prej 43% të të ardhurave, e ndihmuar nga reshjet e shiut, të cilat nxitën jo vetëm prodhimin e energjisë, por sollën bereqet dhe për rritjen ekonomike, duke ndihmuar në gati 2 pikë përqindje të treguesit të performancës ekonomike në vitin 2018, nga 4.1% që ishte rritja atë vit.

“2019-a ishte një ndër vitet më të thata sa i përket reshjeve, duke sjellë një tkurrje të madhe të prodhimit të energjisë në rreth 3,000 Gwh, që reflekton pashmangmërisht edhe uljen e të ardhurave. Gjatë këtij viti, në koordinim të plotë dhe me kompanitë e tjera të sektorit, është bërë maksimumi për të menaxhuar në mënyrë sa më eficiente rezervën energjetike në Kaskadën e Drinit, duke bërë të mundur një prodhim intensiv të brendshëm të energjisë gjatë muajve të verës, kur dhe çmimi i importit të energjisë është shumë më i lartë.

Kjo i ka kursyer sektorit rreth 23 milionë Euro. Nga ana tjetër KESH ka intensifikuar masat në drejtim të projektimit të burimeve të reja energjetike, për të zbutur varësinë e plotë nga prodhimi i energjisë nga uji”, pohon Administratori i KESH, z. Benet Beci.

 

 

“NDIHMA” E FUNDIT NGA TAP

Gazsjellësi TAP, një pjesë e gjurmës të të cilit kaloi dhe nga Shqipëria, është investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë prej 1.5 miliardë eurosh.

Punimet për ndërtimin e tij i dhanë një shtysë të përkohshme si Investimeve të Huaja Direkte, ashtu dhe rritjes ekonomike. Por, për shkak të madhësisë, specifikës dhe ekspertizës së kërkuar, pjesa më e madhe e punimeve është kryer nga kompani të huaja, duke lënë pak vlerë të shtuar në vend.

Shtatë kompanitë e lidhura direkt me punimet për ndërtimin e TAP (“Spiecapag–Shqipëria”, “Spiecapag Transadriatica”, “Joint Venture Renco Terna”, “Bessac”, “LIMAK INSAAT SANAYI”, “SAIPEM S.P.A ALBANIAN BRANCH”, “JAN DE NUL LUXEMBOURG SA”, qarkulluan së bashku rreth 64 miliardë lekë në 2019, me një tkurrje vjetore prej 22%, pas një rritjeje prej 47% në vitin 2018.

Ky është dhe viti i fundit i lulëzimit të TAP, pasi projekti tashmë pothuajse ka përfunduar. Në vitin 2019, të ardhurat e kompanive të lidhura me TAP përbënin rreth 6% të totalit të qarkulluar nga 200 VIP-at, ose rreth 3.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (nga 4.4% një vit më parë).

Në 2019-n, TAP kaloi në punimet për ndërtimin e gazsjellësit në det. Dy hyrje të reja u shënuan në 2019-n, nga nënkontraktorët e TAP. I pari, italianët e “SAIPEM S.P.A ALBANIAN BRANCH”, të cilët fituan në vitin 2016 kontratën për ndërtimin e sesionit në det. Kompania kishte të ardhura 3.4 miliardë lekë në vitin 2019, pothuajse trefishim me bazë vjetore.

“JAN DE NUL LUXEMBOURG SA”, e specializuar për punimet në det, është një tjetër hyrje në renditjen e VIP-ave në vitin 2019, pas më se trefishimit të të ardhurave në 1.8 miliardë lekë.

Francezët e “BESSAC”, të specializuar në ndërtimin e tuneleve, që në vitin 2018 raportuan të ardhura 2.6 miliardë lekë, pasi u përfshinë në ndërtimin e mikrotunelit të Çorovodës, kanë dalë nga lista e të mëdhenjve në vitin 2019.

Krahas kompanive të mëdha të huaja, në punimet e TAP janë përfshirë dhe sipërmarrje shqiptare, kryesisht si nënkontraktore. Malfor Nuri, menaxher i TAP për Shqipërinë, pohoi se rreth 40 kompani shqiptare kanë marrë pjesë në ndërtimin e gazsjellësit, si pjesë e rrjetit të kontraktorëve dhe nënkontraktorëve.

Nuri shton se projekti i TAP nxiti zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit në fazën e ndërtimit. “Ne presim që shembulli i zbatimit të suksesshëm të projektit tonë të nxisë investitorë të tjerë ndërkombëtarë, që të vijnë dhe të bëjnë biznes në Shqipëri”, shton ai.

Pas përfundimit të projektit, mirëmbajtja e vazhdueshme e gazsjellësit do të mundësohet nëpërmjet kontraktorit AGSCo, një “joint venture” midis AlbGaz dhe SNAM. Kompania italiane SNAM dhe Albgaz, operatori shqiptar i infrastrukturës së gazit, kanë firmosur një marrëveshje, duke krijuar një ndërmarrje të përbashkët, e cila synon të ofrojë shërbime për operimin dhe mirëmbajtjen e gazsjellësve në Shqipëri.

TAP ka dy dalje në territorin shqiptar, por se sa do të arrijnë të shfrytëzohen, kjo do të varet nga infrastruktura që do të ndërtohet për rrjetin e transmetimit të gazit në vend. Qeveria ka plane afatgjata për ndërtimin e rrjeteve të transmetimit në zonën qendrore të vendit dhe lidhjet me rajonin, që janë ende në fazën e studimeve të fizibilitetit.

 

 

NAFTA, SËRISH DREJT PËRQENDRIMIT

Importet e karburanteve arritën një nivel rekord në vitin 2019, në 520 mijë tonë, pas një rritjeje me 4% me bazë vjetore.

Importet njohën rënie të thellë vetëm në vitin 2017, si rrjedhojë e zgjerimit të prodhimit nga kompania vendas përpunuese ARMO. Më pas, problemet që kishte kompania prodhuese ARMO ndikuan në ofertën në vend, duke lënë më shumë terren për importuesit.

Me përjashtim të bizneseve të konsoliduara, subjektet e tregtimit të karburanteve kanë luhatjen më të madhe në hyrje-daljet në listën e më të mëdhenjve. Operatorët e tregut pohojnë se sa e lehtë është të hysh në këtë biznes, po aq e lehtë është dhe të dalësh. Ndonëse importet e karburanteve arritën rekord, vitet e fundit tregu po shkon sërish drejt përqendrimit tek më të mëdhenjtë.

Katër sipërmarrje në fushën e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve renditen ndër 10 më të mëdhenjtë e “Monitor 200” në vitin 2019.

“Kastrati Group”, që kryen tregtimin me shumicë të hidrokarbureve, është pozicionuar prej vitesh si operatori më i madh në tregtimin e naftës dhe po fiton terren çdo vit e më shumë. Në 2019-n, “Kastrati” ka një qarkullim tre herë më të lartë se konkurrenti i dytë në listë, “Genklaudis”. Pas tyre vjen “Europetrol Durrës Albania”. Më pas renditet “Kastrati sh.p.k.”, që kryen tregtimin me pakicë, me të ardhura 16.5 miliardë lekë (rritje 2.2%).

“Bolv Oil” deklaroi rënie të ardhurash me 6.2 miliardë lekë, me tkurrje rreth 22%. Sipas raportit vjetor, 84% e këtyre të ardhurave ka ardhur nga shitja e karburanteve, pjesa tjetër nga shërbimet e transportit, qiratë, aktiviteti i bareve e restoranteve. Kompania sqaron se rënia e rentabilitetit krahasuar me vitin 2018 vjen nga sektori i transportit, pasi ka ulje eksporti (transporti Fier-Vlorë). “Olsi sh.p.k.”, operatori tjetër i grupit, që tregton karburante me pakicë, shënoi rritje prej 13%, në 4.4 miliardë lekë.

“Gega Center GKG” u rrit me 12.5%, teksa deklaroi të ardhura 5.1 miliardë lekë. Edhe kompania tjetër e grupit, “Gega Oil” shënoi zgjerim të ndjeshëm me 38% të të ardhurave, në 4.9 miliardë lekë, duke shënuar të tretin vit radhazi me ecuri pozitive. “Gega Oil” u krijua në vitin 2016, e orientuar drejt eksporteve, që sipas raportimeve në bilanc zënë 94% të volumit të shitjeve gjithsej, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

“RDA Petrol” rriti të hyrat me 25%, në 5.5 miliardë lekë, për të tretin vit radhazi, me zgjerim të fortë.

“Tenet”, me aktivitet në transportin dhe tregtimin me shumicë të naftës e gazit, e krijuar në fillim të 2017-s, raportoi 3.4 miliardë lekë të ardhura në vitin e tretë të aktivitetit, me një rritje prej rreth 3%, pas zgjerimit të fortë prej 74%, që njohu në vitin 2018. Kompania është 50% në pronësi të “Kastrati”.

“Al.Global Oil”, që bleu rafinerinë e bitumit të ARMO-s mbi tre vjet më parë, ka raportuar të ardhura 4 miliardë lekë, në vitin e dytë të plotë të aktivitetit, me zgjerim prej 153% me bazë vjetore.

Disa kompani kanë dalë nga lista e të mëdhenjve dy-tre vitet e fundit, si “2 A & 2 E”, “Ex Fis”, “AFT Petroleum”, “Enkein-Oil”, “Everest Oil”, “Zico ShA”, “Klodi Sh.A”, “A.K.F. Petroleum”, etj.

Të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve (pa përfshirë prodhuesin “Bankers Petroleum”), qarkulluan 190 miliardë lekë, rreth 1.5 miliardë euro, ose gati 18% të xhiros së 200 VIP-ave. Në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot.

Ndryshe nga pesha në qarkullimin vjetor, sipërmarrjet e tregtimit të karburanteve kanë pak ndikim në ekonomi, si në drejtim të punonjësve, ashtu dhe vlerës së shtuar. Kontributi më i madh është në pagesën e TVSH-së, ndërsa norma e fitimit e deklaruar është shumë e ulët, mesatarisht 1-2%.

 

Aktiviteti problematik i shfrytëzimit të ARMO-s

“Tosk Energy”, që tregton kryesisht naftën e përpunuar nga rafineria vendase ARMO, ka shënuar rënie në vitin 2019-n, duke deklaruar të ardhura 8.5 miliardë lekë, me tkurrje prej 16% me bazë vjetore. Aktiviteti i kompanisë vijon të jetë problematik.

“Gjatë vitit 2019, shoqëria ka rezultuar me humbje prej 2.9 miliardë lekësh, për shkak të mosrealizimit të të ardhurave prej bllokimit të furnizimit me lëndë të parë nga furnitorët vendas, duke çuar në mungesën e operimit të Kombinatit të Ballshit për shumë muaj radhazi. Për shkak të mungesës së furnizimit të vazhdueshëm me lëndë të parë, K.P.TH.N ka kaluar, në mënyrë të detyruar, në gjendje jo operative deri në fikje.

Si rezultat, jo vetëm që nuk janë arritur normativat e prodhimit dhe të shitjes, por as nuk ka pasur pritshmëri për shkak të mungesës të lëndës së parë, pasi janë hasur kosto dhe shpenzime të larta. Administrimi po shqyrton mundësitë për diversifikimin e politikave të funksionimit të shoqërisë dhe përqendrimin e tyre drejt aktiviteteve të mundshme fitimprurëse në zinxhirin përkatës të industrisë”, thuhet në raport.

Në qershor të vitit 2016, “Tosk Energy” e bleu “CFD Conseils Sarl”, një shoqëri e së drejtës zvicerane, e përfaqësuar nga z. Christophe Darbord, i cili është administrator i ARMO-s.

 

BURIMI: MINISTRIA E FINANCAVE

 

NGECJA E TREGUT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE

Tregu i komunikimeve elektronike, 75% e të cilit e zë telefonia celulare, ka hyrë në një fazë stanjacioni. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bëri të ditur se, bazuar në raportimet e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e komunikimeve elektronike, të ardhurat totale nga ofrimi i shërbimeve të komunikimeve elektronike për vitin 2019 janë rreth 35.34 miliardë lekë, me një rritje rreth 1% krahasuar me vitin 2018.

Pjesën më të madhe të të ardhurave e përbëjnë ato të gjeneruara nga subjektet që ushtrojnë aktivitet të telefonisë celulare, konkretisht rreth 26.3 miliardë lekë, që përbëjnë një rënie me rreth 2% nga viti 2018. Për sa u përket të ardhurave nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike nga rrjetet fikse, të ardhurat e raportuara janë rreth 9 miliardë lekë, shifër kjo rreth 11% më e lartë se ajo e vitit të kaluar.

Vitet e fundit, tregu i telefonisë celulare po riformatohet me shpejtësi, në linjë me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe internetit. Ai po orientohet drejt datave, broadband, teknologjive të reja dhe shërbimeve nëpërmjet celularit dhe internetit, duke përfshirë shërbimet financiare dhe bankare, si dhe transportin.

Interneti e ka bërë komunikimin më të lirë, duke ndikuar në uljen e ndjeshme të trafikut ndërkombëtar, që është një nga burimet kryesore të të ardhurave të kompanive. Fitimet e operatorëve celularë janë larg viteve të arta të një dekade më parë, kur normat e fitimit arrinin deri në 50%.

2019-a ka shënuar ndryshime të rëndësishme edhe në strukturën e pronësisë së tregut të komunikimeve elektronike, me kalimin e “Telekom Albania” te bullgaro-shqiptarët e “Albania Telecom Invest AD” dhe shitjen e “Abcom” te “Vodafone Albania”, duke bërë që ky i fundit të hyjë dhe në tregun e telefonisë fikse, si konkurrent direkt i “Albtelecom”.

 

BURIMI: AKEP

 

“Vodafone” mbetet më i madhi në tregun e telefonisë celulare. Sipas burimeve zyrtar nga kompania, qarkullimi i saj vjetor ishte  vjetor i kompanisë ishte 15.87 miliardë lekë, me një tkurrje prej 2.5% me bazë vjetore. “Vodafone Albania” ka hyrë në tregun e telefonisë dhe internetit fiks, duke blerë aksionet e “Abcom” (transaksioni u finalizua në fillim të vitit 2020). Pajtimtarët dhe abonentët e “Abcom” do të kalojnë te “Vodafone”, pasi ky i fundit ka vendosur të mbajë brandin e tij dhe të zëvendësojë atë të “Abcom” në të gjitha pikat e shitjes dhe materialet publicitare.

Autoriteti i Konkurrencës e ka miratuar me kusht këtë transaksion në shkurt 2020, duke mbajtur një vit në monitorim tarifat dhe ofertat, pasi ai do të ketë ndikim në tregun e komunikimeve elektronike dhe kryesisht në atë të komunikimeve në rrjetet fikse.

“Telekom Albania”, operatori i dytë më i madh në treg i telefonisë së lëvizshme, pa rënie të të ardhurave (për të tretin vit radhazi) me 4% në 8.5 miliardë lekë.

Në fillim të 2019-s, kompania ndryshoi pronësinë, teksa Grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, “Deutsche Telecom” – dhe zotëronte 99.79% të aksioneve të “Telekom Albania”, e shiti kuotën e tij te sipërmarrja bullgare “Albania Telecom Invest AD”, për një shumë totale prej 50 milionë eurosh.

“Albania Telecom Invest AD” kontrollohet nga z. Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare “Vivacom”, dhe nga z. Elvin Guri, investitor shqiptaro-bullgar. Kompania ka njoftuar se së shpejti do të ketë një ndryshim tjetër të aksionerëve të kompanisë dhe aksioneve që ata zotërojnë. Elvin Guri do të jetë aksioneri kryesor i kompanisë me rreth 54% të aksioneve, dhe pjesa tjetër do të zotërohet nga aksioneri i ri, Atanas Dobrev, një emër shumë i njohur në fushën e telekomunikacionit në Bullgari dhe në rajon.

Pak përpara finalizimit të transaksionit (në prill 2019), “Telekom Albania”, vendosi që të shpërndajë 50 miliardë lekë (400 milionë euro) si dividend për aksionerët e “Cosmote Mobile Telecommunication”. Kompania kishte qenë një nga më fitimprurëset në vend, deri në 2017-2018, kur ajo rezultoi me humbje të thella, përkatësisht 4.8 miliardë dhe 5.4 miliardë lekë.

Pas ndryshimit të pronësisë, viti 2019 ka qenë pozitiv në drejtim të përfitueshmërisë. Operatori rezultoi me një fitim para taksave prej 268 milionë lekësh, çka mundësoi dhe shpërndarjen e një dividendi prej 2.2 milionë eurosh nga fitimet e 2019-s.

Në korrik 2020, sipërmarrja vendosi të ndryshojë emrin zyrtar dhe tregtar. Emri i subjektit nga “Telekom Albania” bëhet “One Communication”, ndërsa emri tregtar nga “Telekom Albania” bëhet “ONE”.

Deri tani, kompania kishte përdorur markën tregtare “T”, të aksionerit të mëparshëm “Deutsche Telecom”.

“Albtelecom”, me aktivitet në telefoninë fikse dhe celulare, raportoi të ardhura nga aktiviteti i shfrytëzimit prej 7.9 miliardë lekësh, me një rënie prej 3.4% me bazë vjetore.

Ndërsa të ardhurat totale, përfshirë dhe ato financiare, arritën në 9.2 miliardë lekësh, me rënie prej 14.5% me bazë vjetore. Prej vitesh, operatori i telefonisë celulare dhe fikse operon me humbje, që arritën në 550 milionë lekë në vitin 2019.

Sipas AKEP, shërbimi fiks sjell rreth gjysmën e të ardhurave të “Albtelecom”. Ky i fundit, në raportin vjetor, thekson se blerja e “Abcom” i ka mundësuar “Vodafone” që të jetë operatori i dytë në Shqipëri, që do të ofrojë të dyja shërbimet, fiks dhe celular, pas “Albtelecom”.

Sipas raportit vjetor, gjatë vitit 2019, “Albtelecom” vazhdoi të fokusohej tek objektivi për t’u bërë një prej operatorëve më të mirë në treg, duke ofruar shërbime dhe produkte të reja dhe duke përmirësuar ato ekzistuese, duke adresuar nevojat e konsumatorëve.

Në prill 2019, “Albtelecom” rinovoi autorizimin individual edhe për 15 vite të tjera pranë AKEP, me një çmim prej 10.9 milionë eurosh.

“Abcom”, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet), në vitin e fundit, që operoi i vetëm shënoi të ardhura totale prej 2.1 miliardë lekësh, me një rritje prej 8% me bazë vjetore.

Sipas raportit vjetor, në datë 31 dhjetor 2019, “Abcom” ka përthithur kompanitë “Cawayoti”, “Claudjana”, “Mbrostellar”, “Planetar”, “Scuttary, Tragjakumi” dhe ENT, në bazë të vendimit të aksionerëve. Llogaritë e investimit për këto kompani janë mbyllur me llogaritë e kapitalit dhe diferenca është regjistruar si emër i mirë.

“Info Telecom”, me aktivitet në fushën e shërbimeve të telekomunikacionit, ka vijuar të ketë të ardhura të larta, që arritën në 13.1 miliardë lekë, duke rënë me rreth 10%. Sipas specifikimeve në bilancin zyrtar, 99% e të ardhurave të kompanisë janë nga eksportet e shërbimeve (dhe 99% të shpenzimeve janë importe) dhe vetëm 1% janë të ardhura nga shërbimet e komunikimeve elektronike nga Shqipëria.

“BWB”, e krijuar në vitin 2014, me aktivitet në instalimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e impianteve për rrjete telefonie fikse dhe mobile, si dhe menaxhimin e faturimit për trafikun telefonik brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka përgjysmuar të ardhurat në 3.8 miliardë lekë.

 

BURIMI: TË DHËNAT E DËRGUARA NGA OPERATORËT, PËRPUNIMI I AKEP

 

DISTRIBUTORËT, NË PRITJE TË PASOJAVE TË COVID-19

Distributorët, të përqendruar në segmentin FMCG (mallrat e konsumit që lëvizin shpejt nga raftet, përgjithësisht nga importi) janë zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit, duke ndjekur dhe duke i paraprirë sjelljes konsumatore.

Mungesa e investimeve në prodhimin vendas u ka dhënë terren atyre që të zhvillohen nëpërmjet kanalizimit të importeve te konsumatorët vendas. Këto kompani kanë krijuar struktura të qëndrueshme shpërndarjeje dhe kanë investuar vazhdimisht në logjistikë, duke i renditur ndër sipërmarrjet më të mëdha sipas qarkullimit vjetor.

Ky segment, që është mjaft i ndjeshëm ndaj prirjeve të konsumatorëve për të shpenzuar, ka shënuar zgjerim minimal për vitin 2019, në linjë dhe me sjelljen konsumatore. Konsumi final i popullatës, sipas të dhënave të INSTAT, u përshpejtua lehtë në 3.26% në vitin 2019, pasi ishte zgjeruar me 3.18% vitin e mëparshëm (rritja më e madhe që nga 2018-a).

 

BURIMI: INSTAT

 

Distributorët janë një prej segmenteve që pritet të kenë dhe goditjen më të madhe nga ndryshimi i sjelljes konsumatore pas COVID-19. Këtë shqetësim, ata e kanë ngritur dhe në raportet vjetore 2019, që u hartuan në kohën që vendi ishte mbërthyer në një nga krizat më të paprecedenta, e cila pritet ta çojë rënien ekonomike në vitin 2020, në nivelin më të ulët që nga 1997-a.

Grupi AGNA, me dy kompanitë “AGNA” dhe “Alfa”, ka ruajtur pozicionin si distributori më i madh në vend. “AGNA” kishte një qarkullim vjetor prej 15.8 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 5%, duke u renditur e para. “Alfa” renditej në vend të katërt, me të ardhura 10.3 miliardë lekë (rritje 1%).

AGNA, në raportin vjetor, e ka vënë theksin te pasiguritë në të ardhmen, të lidhura me pandeminë. “Kohëzgjatja dhe ndikimi i pandemisë COVID-19, si dhe efektiviteti i përgjigjeve të qeverisë dhe bankës qendrore, mbetet i paqartë në këtë kohë. Nuk është e mundur të vlerësohet me besueshmëri kohëzgjatja dhe ashpërsia e këtyre pasojave, si dhe ndikimi i tyre në pozicionin financiar dhe rezultatet e Shoqërisë për periudhat e ardhshme”.

Ndërsa “Alfa”, e cila ka aktivitet dhe në industrinë përpunuese, ka theksuar se në 2020, përfundon investimi në Glinë i fabrikës së birrës “Elbar”, e cila do të bëjë të mundur realizimin e të gjitha fazave të prodhimit pranë kësaj fabrike. Deri tani, fabrika e “Glinës” për produktin e birrës “Elbar” ka realizuar vetëm fazat e hollimit, oksigjenimit dhe ambalazhimit.

“Inter Distribution Service” (pjesë e grupit INFOSOFT), është operatori i dytë më i madh në tregun e distributorëve. Të ardhurat e kompanisë u rritën me rreth 1%, në 13.9 miliardë lekë. Kompania thekson se “në kushtet e pandemisë së vitit 2020, puna ka vazhduar me ritme të mira. Kanë ndodhur një sërë ndryshimesh në strukturën e produkteve të shitura, të cilat kanë të bëjnë me nevojat specifike që ka diktuar kjo situatë”.

 “Philip Morris Albania” është zgjeruar me rreth 4%, në 11 miliardë lekë, duke ruajtur vendin e tretë.

“Marketing & Distribution” është pozicionuar në distributorin e pestë më të madh në vend. Në vitin 2019 deklaroi të hyra prej 8.7 miliardë lekësh, me një rritje prej 2% me bazë vjetore.

Tobacco Holding Group” kishte të ardhura prej rreth 6.2 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga kompania, me një zgjerim prej gati 4% me bazë vjetore. Rreth një e treta e xhiros së kompanisë ka ardhur nga Birra “Peja”.

 “Albania Distribution & Development” u rrit me 3%, në 4.9 miliardë lekë. Në raportin vjetor, kompania thekson pasojat e pritshme në aktivitet nga pandemia e COVID-19. “Pas datës së mbylljes së periudhës raportuese, për shkak të pandemisë botërore të COVID 19 dhe të masave të marra nga qeveria shqiptare, por edhe të atyre të vendeve europiane dhe botërore, aktiviteti i shoqërisë, si dhe i klientëve të saj, u ndal dhe u reduktua gjatë një periudhe disamujore. Kjo pritet të sjellë në periudhën pasardhëse edhe një rënie të shitjeve dhe si pasojë, edhe ulje të rezultatit të shoqërisë, por nuk rrezikon aspak vijimësinë e biznesit”.

“ELKA-SA” rriti të ardhurat me 6% në 4.4 miliardë lekë. Krahas tregtimit të produkteve të ndryshme, kompania është e angazhuar dhe në sektorin e prodhimit të patatinave, çokokrem, kruasant. Në raportin vjetor e vë theksin te situata e krijuar nga COVID-19. “Ecuria pozitive e shitjeve do të varet shumë nga kohëzgjatja e pandemisë dhe masat që do të merren gjatë periudhës së pandemisë. Megjithatë, për vitin 2020, parashikojmë një rritje të moderuar të shitjeve”.

“Interlogistic” kishte të ardhura prej 3.7 miliardë lekësh, me tkurrje 14% me bazë vjetore.

“Interbrands” raportoi të ardhura prej 2 miliardë lekësh, me rritje prej 3% me bazë vjetore. “Në kushtet e pandemisë të vitit 2020 është vënë re gjithashtu rënie e shitjeve të produkteve dhe grup-produkteve të caktuara, si dhe rritje e shpejtë e shpenzimeve, gjë që pa dyshim do të ndikojë në rezultatin financiar. Deri në momentin aktual, situata ka qenë nën kontroll dhe nuk kemi pasur pasoja të rënda dhe të pariparueshme në veprimtarinë e përditshme të shoqërisë”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Teuta Durrës”, që operon në dy sektorë kryesorë, paketim dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore, ka rezultuar me të ardhura gati 2 miliardë lekësh në 2019-n, me një zgjerim prej 4.5% me bazë vjetore. Kompania thotë se investon vazhdimisht për të qenë një hap përpara tregjeve të ndryshueshme.

Së fundmi, kompania Teuta ka investuar në linja të reja paketimi, ka futur në treg ushqime me vlera të larta ushqimore si farat quinoa, chia etj, dhe krahas tregtimit të produkteve nën markën e saj Gold, ka zgjeruar dhe gamën e  markave ndërkombëtare.

 

TREGTIA ME PAKICË

ELEKTROSHTËPIAKET

“Neptun” mbetet tregtuesi më i madh i produkteve elektroshtëpiake dhe elektronike në vend.

Në vitin 2019, të ardhurat e “Neptun” ishin 7.1 miliardë lekë, pothuajse të pandryshuara nga një vit më parë.

Në raportin e aktivitetit, kompania shpjegon se volumet e shitjes mbeten në nivelin e një viti më parë (rreth 58 milionë euro), të ndikuara nga dy ngjarje të njëpasnjëshme tërmeti në shtator dhe nëntor. Për shkak të kësaj ngjarjeje shkatërruese, kompania vlerëson një humbje prej 2.5 milionë eurosh në të ardhura dhe 400 mijë euro në fitime. “Tërmeti i 2019-s e vendosi kompaninë përballë mungesës së cash-it dhe hapësirave për vendosjen e mallrave”, thuhet në raport.

 “Globe Shops”, pas zgjerimit me ritme dyshifrore në vitin 2018, ka ngadalësuar rritjen në vitin 2019. Kompania raportoi të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh, me zgjerim prej 5%.

 “AZA Elektroshtëpiake” raportoi të ardhura 2 miliardë lekë (16.2% rritje).

 “ICT Trading”, një kompani e re e krijuar në janar 2018, kryesisht me tregtimin e produkteve kompjuterike, hyri në vitin 2019 në “Monitor 200”, pasi raportoi të ardhura 1.9 miliardë lekë. Por ky ishte viti i vetëm me aktivitet, teksa në vitin 2019, shoqëria pezulloi veprimtarinë.

 

Tregu i veshjeve, pas rritjes në vitin 2019, goditet nga COVID-19

2019-a ka rezultuar e mbarë për operatorët e mëdhenj në tregun e veshjeve, që vitet e fundit ishin në zgjerim, duke shfrytëzuar markat e tyre, por edhe marrjen e tregut nga dyqanet e vogla e të paorganizuara. Por, pandemia e COVID-19, mbyllja disajavore e aktivitetit dhe ndryshimi i sjelljes konsumatore pritet ta ndryshojë këtë tendencë.

“LC Waikiki Retail AL” sh.p.k është pozicionuar edhe në vitin 2019 si operatori më i madh i tregtimit të veshjeve në Shqipëri. I fokusuar në shitjen e veshjeve me çmime të lira, ai ka shënuar rritje të shpejtë vit pas viti, duke ia kaluar shumë lehtë, “ITX Albania”. Sipas deklarimeve në bilanc, qarkullimi i saj vjetor në vitin 2019 ishte 3.8 miliardë lekë, me rritje prej 14%. Shoqëria kishte 336 të punësuar në fund të 2019-s.

Në shënimin në raportin vjetor, për ngjarjet jashtë bilancit, sipërmarrja thekson se pandemia e COVID-19 ka pasur efekt të menjëhershëm në zinxhirin ekonomik të vendit dhe përtej, si dhe në aktivitetin e kompanisë. Shoqëria raporton se në reagim të kësaj situate ka reduktuar koston për blerjen e mallrave në masë të përafërt me reduktimin e shitjeve.

Ajo mori një hua prej 1 milion eurosh, të garantuar nga mëma për të siguruar likuiditetin, por nuk e përdori, pasi pas rifillimit të aktivitetit kryesor të shitjes me pakicë, ka përfituar të ardhura të mira për të përballuar vijimin e biznesit, në kushte normale të tregut.

“ITX ALBANIA”, që prej disa vitesh mbante kryesimin, është për të dytin vit radhazi, dyqani i dytë më i madh i veshjeve në Shqipëri. Kompania, në pronësi të grupit “Zara Holding B.V.”, kishte të ardhura rreth 3.7 miliardë lekë, me një zgjerim prej 12% në raport me vitin e mëparshëm. Dhe kjo shoqëri në raportin vjetor, thotë se në vitin 2020 është ndikuar nga pandemia e COVID-19, megjithatë shpreh besimin se hapja e dyqaneve do t’i mundësojë kompanisë që të vazhdojë aktivitetet në normalitet.

“Kid Zone” (Jumbo) me aktivitet në tregtimin me pakicë (lodra, veshje për fëmijë, mjete kancelarie, rroba, dekorues dhe orendi të ndryshme shtëpiake) pa rritje të qarkullimit vjetor me 11%, në 2.3 miliardë lekë. Kompania thekson në raportin vjetor se, lidhur me pandeminë, “ndërsa situata është ende duke u zhvilluar në Shqipëri dhe në mbarë botën, ka pasiguri të lartë mbi shtrirjen e saj”.

Raporti thekson se në përgjithësi, kjo situatë ka ndikuar negativisht te bizneset në vend, duke shkaktuar ndërprerje në operacionet e biznesit dhe aktivitetin ekonomik në Shqipëri, me ndikim bllokues në zinxhirët e furnizimit të brendshëm, rritje në pasigurinë ekonomike, si dhe ulje të konsiderueshme të kërkesës për mallra dhe shërbime jo thelbësore.

“Balkan Sport”, e krijuar në vitin 2012, me aktivitet në tregtimin e veshjeve e materialeve sportive, ka shënuar rritje, duke raportuar të ardhura prej rreth 1.6 miliardë lekësh, me zgjerim 23%, duke iu afruar renditjes së 200 më të mëdhenjve.

 

ZINXHIRI I SUPERMARKETEVE

Bizneset e vogla nuk po arrijnë të mbijetojnë në një mjedis me konsum të dobët dhe konkurrencë të ashpër nga zinxhirët e organizuar të tregtimit që sa vijnë e po shtohen.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në total, pa përfshirë bujqësinë, numri i subjekteve në vend ishte 116.6 mijë në vitin 2019. Në raport me një vit më parë, janë mbyllur neto rreth 4 mijë biznese, me rënie prej 2.5%.

Të dhënat e detajuara të INSTAT bëjnë të ditur se kjo rënie ka ardhur tërësisht nga falimentimi i subjekteve të vogla me 1-4 punonjës, kryesisht në sektorin e tregtisë.

Tregtia me pakicë po riformatohet vitet e fundit, teksa zinxhirët e supermarketeve po zgjerohen, duke marrë nga tregu i dyqaneve të vogla, që po mbyllen për shkak të rritjes së konkurrencës dhe konsumit të dobët. Për shkak të tregtimit të mallrave të domosdoshme dhe mosmbylljes së aktivitetit, ato i kanë ndier më pak pasojat e COVID-19 në aktivitetin e këtij viti. Të nxitur dhe nga ndryshimi i sjelljes konsumatore, operatorët po investojnë në platformat e shitjeve online.

“Big Market” është rrjeti më i madh i supermarketeve në vend, por nuk figuron në listën e më të mëdhenjve, për shkak të strukturës së operimit të tij me subjekte të veçanta për çdo pikë shitjeje, që çon në raportim me dyqane të ndara. Operatori kishte 18 miliardë lekë të ardhura në vitin 2019, sipas të dhënave zyrtare nga kompania, me një rritje të fortë prej 20%, me bazë vjetore.

Rrjeti i supermarketeve “Spar Albania” (pjesë e grupit “Balfin”), raportoi të ardhura prej 6.4 miliardë lekësh, me një zgjerim 2% me bazë vjetore (një pjesë e aktivitetit erdhi nga aktiviteti i ndërtimit, teksa “Spar Albania” përthithi tre vjet më parë “RFZ Building”, po pjesë e “Balfin”, e fokusuar në ndërtim).

“Conad Albania” raportoi të ardhura 2.9 miliardë lekë, me rritje prej 5.4% në raport me vitin e mëparshëm.

“Eco Market Food”, me aktivitet në fushën e prodhimit, magazinimit dhe tregtimit të prodhimeve e ushqimeve blegtorale e bujqësore, raportoi të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh në vitin 2019, me tkurrje pothuajse 2% me bazë vjetore.

“Tirana Cash & Carry” (me të njëjtin aksioner si “Big Market”) është rritur me 10.4%, në 2.4 miliardë lekë.

“Rossmann-Lala”, rrjeti gjermano-shqiptar i marketeve, po rezulton një nga bizneset më të qëndrueshme, me shtim dyshifror vit pas viti. Në vitin 2019, të ardhurat u rritën me 20%, në gati 3.2 miliardë lekë. Rrjeti i kompanisë është zgjeruar me 14 dyqane në Shqipëri dhe 4 në Kosovë. Shoqëria thotë në raportin vjetor se, zgjatja e pandemisë, mund të ndikojë gjithashtu në vëllimet e tregtimit, flukset e parave dhe përfitueshmërinë e Grupit.

“Megatek”, hipermarketi më i madh “Bëje vetë” DIY në Shqipëri, ka vijuar me ecuri të qëndrueshme të aktivitetit. Të ardhurat e tij ishin 2.5 miliardë lekë në vitin 2019, me zgjerim vjetor prej rreth 6%. Shoqëria thekson në raport se për vitin 2020 janë kryer buxhetimet përkatëse, të cilat janë rivlerësuar sërish me përballjen e shoqërisë me situatën e paparashikuar që COVID 19 solli në situatën financiare.

“Në kuadër të masave të marra nga qeveria për kufizimin e lëvizjes dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbyllja e aktivitetit të hipermarketit, çoi në ulje të ndjeshme të të ardhurave të shoqërisë.

Por, nga ana tjetër, struktura e zhvilluar e platformës së shitjeve online, bëri që kjo situatë e paparashikuar të zbuste efektet negative të mbylljes së aktivitetit për pjesën e Hipermarketit, i dha siguri shoqërisë, që të tilla efekte mund të përballohen mjaft mirë, dhe premton një zhvillim edhe më të madh dhe stabilitet të qëndrueshëm financiar të saj”, thuhet në raport.

 

PLATFORMAT ME PAGESË

Tregu i televizioneve po përballet me presionin e ndryshimeve teknologjike, internetit dhe zhvendosjes së preferencave të klientëve drejt shërbimeve alternative.

“Digitalb”, ofruesi i platformës me pagesë televizive, është operatori më i madh i shërbimeve televizive në Shqipëri. Në vitin 2019, të ardhurat e kompanisë ishin rreth 4.6 miliardë lekë, sipas burimeve zyrtare, me rënie 15.4% me bazë vjetore, e ndikuar nga konkurrenca e fortë nga platformat e huaja.

“Tring”, platforma tjetër televizive me pagesë, raportoi të ardhura 1.85 miliardë lekë, me zgjerim 22% me bazë vjetore.

 

SPITALET PRIVATE ULIN HUMBJET

Edhe pse kanë kaluar gati shtatë vjet nga lulëzimi i biznesit të spitaleve private, të gjitha vazhdojnë të raportojnë humbje, kur përvoja ndërkombëtare referon një cikël trevjeçar, kur përgjithësisht, sipërmarrje të tilla fillojnë e japin fryte.

Në vitin 2019, një dukuri pozitive gjithsesi është që niveli i humbjeve është ulur. Por, pandemia pritet të prekë dhe këtë sektor, sipas raportimeve në bilanc, duke i detyruar të ulin investimet dhe riskedulojnë kreditë.

“Spitali Amerikan”, më i madhi privat në vend, raportoi të ardhura prej 5.4 miliardë lekësh, me një rritje prej 10% me bazë vjetore. Humbjet u reduktuan ndjeshëm, nga 168 milionë lekë në 22 milionë lekë. Kompania ka 6 spitale në vend, si dhe laboratorë e poliklinika.

Sipas raportit vjetor, pas ndikimit të ndjeshëm negativ të pandemisë COVID-19 në shkallën e operacioneve në Shqipëri, drejtimi ra dakord për shtyrjen e ripagimit të borxhit me huamarrësit e saj dhe zbatoi një plan për të kontrolluar kostot dhe për të arritur një rezultat të qëndrueshëm operativ gjatë vitit.

“International Hospital” (ish-Hygeia), që në mes të vitit 2018 u ble nga “Spitali Amerikan”, raportoi në vitin e parë të plotë të aktivitetit nën drejtimin e ri, qarkullim vjetor prej 2.6 miliardë lekësh, me rritje prej 9% me bazë vjetore. Për herë të parë që nga fillimi i aktivitetit, humbjet u reduktuan në nivele minimale prej 41 milionë lekësh, nga 481 milionë lekë një vit më parë. “Drejtimi ka marrë hapa për të rritur të ardhurat dhe për të stabilizuar levën financiare”, thuhet në raport.

Pas pandemisë COVID-19, njësoj si me “Spitalin Amerikan”, është rënë dakord për shtyrjen e ripagimit të borxhit. Shoqëria ka pezulluar të gjitha investimet kapitale dhe shpenzimet operative jothelbësore për të ruajtur likuiditetin, si dhe ka marrë nga bankat e saj miratimin për të rritur kufijtë e kapitalit qarkullues.

Në gusht 2018 u finalizua transaksioni për shitjen e “Hygeia” te “Spitali Amerikan”. Spitali, që kishte një investim fillestar prej 60 milionë eurosh, është shitur simbolikisht për 1 milion euro, sipas deklarimeve zyrtare (për shkak të humbjeve të larta), ndërsa 29.5 milionë euro të tjera do të shkojnë për shlyerjen e kredive.

“Salus”, spitali i tretë më i madh në vend, raportoi 431 milionë lekë të ardhura, me rritje 14.4% me bazë vjetore në vitin 2019. Humbjet u reduktuan nga 311 milionë lekë, në 30 milionë lekë. Përmirësimi erdhi teksa në vitin 2018, pas humbjeve të mëdha, italianët e “Salus Holding” dhe “Policlinico Triestino” (që zotëronin së bashku rreth 57% të totalit) vendosën të shesin aksionet në janar të 2019-s tek aksioneri tjetër Olti Peçini, i cili i ka blerë ato për një vlerë 1.1 milionë euro, duke rritur përqindjen e kapitalit nga 23.8% në 80.2%.

Shoqëria nuk ka arritur të bëjë një vlerësim financiar të pasojave që do të ketë pandemia te financat e saj.

Spitali Gjerman” (Cardio & Diagnostic Center Hamburg) nuk ka dorëzuar bilanc as në vitin 2019, por në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë të depozituara një sërë urdhrash për sekuestro konservative, për mospagim faturash apo detyrime të tjera.

Sipas aktorëve të tregut ka një sërë arsyesh se pse biznesi i spitaleve private është kaq i vështirë. Së pari, janë investimet e mëdha fillestare, që rëndohen më tej gjatë aktivitetit, nga kostot e larta të personelit dhe shërbimeve mjekësore.

Së dyti, konkurrenca është shtuar dhe ajo vlerësohet mjaft e lartë, duke bërë që operatorët të operojnë me çmime të ulëta të shërbimeve, çka po ndikon në rritjen e humbjeve. Shkak tjetër është edhe keqmenaxhimi që u është bërë spitaleve private në disa raste. Një tjetër problem i madh i spitaleve private është edhe gjetja e burimeve njerëzore, që është një sfidë më vete, gjë që ka çuar në rritjen e kostove të pagesave për mjekët.

 

 

FARMACEUTIKA, RRITJE E DOBËT

Biznesi i farmaceutikës është një ndër më të mëdhenjtë në vend. Sipas të dhënave të INSTAT, importet e produkteve farmaceutike u rritën me shpejtësi deri në vitin 2017, ndërsa dy vitet e fundit zgjerimi është ngadalësuar (shih grafikun).

Në linjë me këtë ngadalësim, edhe kompanitë kryesore të këtij segmenti kanë njohur zgjerim të dobët dy vitet e fundit.

“Specifike për tregun e vitit 2019 ka qenë lulëzimi i tregut të OTC (barnat që shiten direkt te klienti pa recetë) dhe suplementeve për arsye të përfitueshmërisë dhe promocionit aktiv. Për vitin 2020, ky treg ka pasur një ecuri më të lartë rreth muajve mars, prill dhe për periudhën e verës ka pasur rënie”, pohon Merita Sheqi, administratore e “Rejsi Farma”, kompanisë kryesore në vend për tregtimin e produkteve farmaceutike.

Për vitin 2020, në lidhje me tregun farmaceutik, ajo shton se ka një rënie të asaj që cilësohet tregu i recetave akute, kjo edhe për shkak të uljes së numrit të vizitave, të ndikuara nga kufizimet e shkaktuara nga pandemia (si antibiotikë oralë, antihistaminikë etj.), sipas vëzhgimeve nga terreni. Prej korrikut, situata ka ardhur drejt normalizimit dhe është shënuar një rritje e lehtë. Në kundërshti me këtë tendencë, për pacientët kronikë, rimbursimi ka funksionuar normalisht si vitet e mëparshme, duke pasur si problematikë vetëm vështirësinë e futjes së pacientëve të rinj.

“Rejsi Farma” raportoi të ardhura prej 4 miliardë lekësh në 2019-n, me një zgjerim prej 4% me bazë vjetore.

“DELTA PHARMA – AL” kishte një qarkullim vjetor prej 3.4 miliardë lekësh, me një rritje të lehtë prej 0.8%.

“PHARMA ONE sh.p.k.”, pa një rënie të të ardhurave me 5%, në 2.9 miliardë lekë.

Në rritje ishte “ALFARMAKOS”, me 6% në 2.5 miliardë lekë.

“I N T E R M E D” dhe “MEGAPHARMA” raportuan një tkurrje të qarkullimit vjetor përkatësisht me 14% dhe 2%.

Karakteristikë e biznesit të farmaceutikës kanë qenë ndryshimet e shpeshta të pronësisë gjatë viteve të fundit (shih nënndarjen e shitblerjeve).

 

 

ULET PRODHIMI I ENERGJISË, LULËZOJNË TREGTUESIT

2019-a ishte një vit i vështirë për prodhimin e energjisë, i ndikuar nga moti i thatë, ndryshe nga 2018-a. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 5.208 GWh nga 8.552 GWh energji të prodhuar në vitin 2018, duke shënuar një ulje me 39,1%.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 57,2%, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 42,3% dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,5% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Ulja e prodhimit të energjisë elektrike ka ndikuar në rritjen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 1,8 herë dhe uljen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 3,5 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo situatë ka favorizuar tregtuesit e energjisë, të cilët vitet e fundit janë zgjeruar ndjeshëm, ndërsa lehtësia e këtij biznesi (shitje-blerje) po tërheq dhe operatorë të rinj që po hyjnë në treg, duke shtuar dhe konkurrencën, gjë që ka sjellë rënie tek më të mëdhenjtë.

GSA”, operatori më i madh i tregtimit të energjisë, pa një rënie të të ardhurave me 3.8%, në 10.7 miliardë lekë. Tkurrja ishte më e fortë për “GEN-I Tirana”, me -33%, në 3.7 miliardë lekë.

Por të tjerë operatorë kanë rezultuar me rritje.

Energy Financing Team Tirana”, pjesë e grupit EFT, me aktivitet në tregtimin e energjisë elektrike dhe investime në Europën Juglindore, është krijuar në qershor 2017. Në vitin e dytë të plotë të aktivitetit, të ardhurat kërcyen në 2.3 miliardë lekë.

“Ayen Energy Trading” raportoi 2.2 miliardë lekë të ardhura.

Rritjen më të fortë e shënoi “Danske Commodities Albania”, një hyrje e re, që pa një rritje prej 80%, në 2.1 miliardë lekë.

“Noa Energy Trade” është një tjetër hyrje e re, që ka më se trefishuar të ardhurat, në 2.5 miliardë lekë. Kompania thotë në raportin vjetor se ajo është ndihmuar nga rënia e prodhimit të energjisë dhe fakti që OSHEE, për të mbuluar kërkesën dhe furnizimin e pandërprerë të klientëve në vend, iu drejtua tregut të parregulluar.

Në tregtimin e energjisë është diversifikuar dhe grupi “Balfin”. “Albanian Energy Supplier”, pjesë e këtij grupi, raportoi 2.2 miliardë lekë të ardhura.

Pas rritjes në 2018-n, prodhuesit privatë të energjisë janë ngadalësuar në vitin 2019.

“Ayen as Energy” raportoi të ardhura 1.9 miliardë lekë, me tkurrje prej 15%. Kompania turke po zbaton kontratën e vitit 2011 për projektimin, ndërtimin, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangut.

“Ayen as Energy” ndërtoi dhe vuri në punë në fund të 2017-s HEC Fangun, me kapacitet 74,6 MW. HEC-i i Fangut, për nga kapaciteti i prodhimit, renditet i pesti pas HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilët janë në pronësi shtetërore dhe Moglicës, së sapondërtuar.

Ky është HEC-i i dytë në vend, i ndërtuar nga kompania turke “Ayen” pas atij të Peshqeshit, me kapacitet 23 MW, i cili nisi prodhimin pak vite më parë.

“Ayen as Energy” dhe “Fusha SH.P.K” fituan në mes të 2018-s koncesionin për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalivaçit. Sipas kontratës, konsorciumi fitues do të investojë rreth 125.3 milionë euro për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin e Vjosës. Hidrocentrali do të ketë fuqi të instaluar prej 111 megavatësh dhe prodhim vjetor energjie, 366.6 milionë kilovat.

“Energjia Ashta”, me fuqi të instaluar prej 48.2 MW, ka dalë nga lista e “Monitor 200”, pasi të ardhurat e saj ranë me 36% në 1.5 miliardë lekë.

Devoll Hydropower”, dy vjet pas hyrjes në aktivitet, raportoi të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh, me tkurrje 28%. “Në vitin 2019 ka pasur një ulje të prodhimit të energjisë nga Hidrocentrali i Banjës, kryesisht për shkak të kushteve të pafavorshme hidrologjike (prurjeve nën mesatare) dhe mbushjes së parë të rezervuarit të Moglicës. Kjo ka sjellë edhe rënie të të ardhurave krahasuar me vitin 2018”, sqaruan burimet nga kompania.

Burime zyrtare thanë se për Devoll Hydropower Sh.A. (DHP), viti 2019 ka qenë mjaft i rëndësishëm, kryesisht në aspektin e investimeve, pasi është afruar përmbyllja e investimit të hidrocentralit më të madh të kaskadës së Devollit, HEC Moglicë. Në 2019, u përfunduan punimet kryesore në Digën e Moglicës dhe filloi mbushja e parë e rezervuarit të Moglicës.

Burimet kryesore të të ardhurave të kompanisë janë nga prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike nga hidrocentralet e kaskadës së Devollit, si dhe tregtia e energjisë në rajon.

“Statkraft”, kompania që ka në pronësi “Devolli Hydropower” ka përfunduar prej rreth tre vitesh HEC-in e Banjës me kapacitet të instaluar 72 MW, prodhim mesatar vjetor 254 GWh dhe lartësi dige 80 metra.

Në fillim të vitit 2019, “Statkraft” përfundoi investimin e dytë, atë të Moglicës, që do të jetë sa dyfishi i atij të Banjës, pasi do të ketë kapacitet të instaluar 184 MW dhe prodhim mesatar vjetor prej 450 GWh. HEC-i ka filluar prodhimin në pjesën e parë të vitit 2020. Lartësia e digës është 160 metra (një nga më të lartat në botë për llojin e saj si digë me asfalt).

Sipas burimeve zyrtare nga “Statkraft”, dy hidrocentralet, Banja dhe Moglica kanë kapacitet të instaluar 256 MW. Vënia në punë e dy HEC-eve do të rrisë prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme në vend me 13%. Kostoja totale e investimit nga “Statkraft” ka arritur në 590 milionë euro. Tregu i synuar është eksporti dhe furnizimi me energji i prodhimit vendas.

 

FILLOJNË PROBLEMET PËR INDUSTRINË

Ndërsa 2018-a ishte pozitive për sipërmarrjet ekzistuese në industrinë e rëndë dhe atë përpunuese, viti 2019 ishte më sfidues për ta. Ndërsa ky vit ka ndikuar shumë prej tyre, për shkak të përçarjes në zinxhirin e furnizimit dhe prodhimit, që erdhi si rrjedhojë e pandemisë.

“Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh, pa rritje të lehtë të të ardhurave. “Kurum” ka vijuar me ecurinë pozitive, pasi ka funksionuar nga procesi i falimentit pas ristrukturimit.

Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, shënoi rënie të fortë të të ardhurave, me 32%, për të zbritur në 7.6 miliardë lekë.

Drejtori ekzekutiv i AlbChrome, Luan Saliaj, ka pohuar se në vitin 2019, çmimet e ferrokromit pësuan rënie të fortë me rreth 35% krahasuar me një vit më parë, duke arritur nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit.

Ky nivel çmimi është nën kosto dhe detyroi prodhuesit në vende të ndryshme të botës si Afrika e Jugut, Turqia, Rusia, India të reduktojnë prodhimin. Ndonëse në gjysmën e parë të vitit, prodhuesit e ferrokromit në Shqipëri arritën ta përballojnë rënien e çmimit, duke prodhuar me kapacitet të plotë, në gjysmën e dytë, prodhimi ra me rreth 50% dhe në muajt e fundit të vitit arriti në 40% të kapacitetit. Sipas tij, ndikimin kryesor në koston e prodhimit e dha energjia elektrike, që vlerësohet ndër më të lartat krahasuar me konkurrentët dhe është përcaktuese për fatin e sektorit të metalurgjisë.

“Coral”, me aktivitete në prodhimin, përpunimin dhe eksportin e peshkut, ka rritur ndjeshëm të ardhurat, me 10%, në 2.6 miliardë lekë. Situata u vështirësua këtë vit, pas shpërthimit të pandemisë. Helidon Rruga, drejtues i kompanisë, tha se në muajt e karantinës, puna vijoi në të dy fabrikat, si në Kavajë dhe Durrës, ku janë të punësuar 350 punonjës, por kapaciteti u reduktua ndjeshëm për shkak të mbylljes së përkohshme të restoranteve.

Në industrinë përpunuese ushqimore, “Coca-Cola” është sipërmarrja më e madhe, me rritje 8%, në 3.9 miliardë lekë. Lidhur me pasojat e pandemisë, në raportin e aktivitetit, theksohet se “drejtimi do të vazhdojë të monitorojë impaktin potencial dhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të minimizuar çdo efekt të mundshëm.

Vlen për t’u theksuar fakti se Shoqëria ka azhurnuar planet e vazhdimësisë së biznesit, ka marrë masa parandaluese për të mbrojtur stafin e saj, për të garantuar që vendi i punës është i sigurt dhe për të ruajtur gjendjen e parave. Shoqëria ka një bilanc të qëndrueshëm dhe likuiditet të mjaftueshëm për të pasur në dispozicion mjete monetare në mënyrë të menjëhershme”.

Kombinati i Mishit” raportoi të ardhura me rreth 2.75 miliardë lekë; dhe Grupi “EHW” me aktivitet në përpunimin e mishit, prodhimin e ujit, etj, raportoi 5.3 miliardë lekë të ardhura, me zgjerim vjetor 4.2%.

 

Të mëdhenjtë e këpucëve, nën presionin e ndryshimeve të kërkesës

“Fital”, “Albaco Shoes” dhe “Donianna” janë tre prodhuesit më të mëdhenj të këpucëve në vend. “Fital” ka raportuar rritje të ardhurash me 10%, në 2.5 miliardë lekë. Kompania është goditur ndjeshëm këtë vit nga pandemia. Skënder Pashai, administrator i shoqërisë, pret një tkurrje të porosive me rreth 30%, si rrjedhojë e mbifurnizimeve në treg dhe mendon se situata do të qartësohet në pranverën e 2021, nëse burimet e furnizimit do të transferohen nga Azia.

Në listë vijon “Albaco Shoes”, që është zgjeruar me 10%, në 2.4 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit, në vitin 2009, po me material porositësi ka filluar edhe prodhimi i veshjeve të punës. Gjatë vitit fiskal 2019, nëpërmjet punës së 2.113 punonjësve ka arritur të faturojë rreth 3.000.000 palë/copë këpucë dhe veshje të sigurisë në punë. “Albaco Shoes” ka si

partner industrial të saj strategjik shoqërinë “Cofra srl”, me seli në Itali dhe realizon të gjithë prodhimin e saj në bazë të kontratave të lidhura me këtë Shoqëri.

“Donniana” ka dalë nga lista e më të mëdhenjve, pas rënies së të ardhurave në 1.3 miliardë lekë.

Në vitin 2019, eksportet e veshjeve të këmbëve ranë me 6.3% me bazë vjetore.

 

BURIMI: INSTAT

 

Për shkak të zhvillimeve negative që solli pandemia, fabrikat e këpucës do të përballen me mbijetesë këtë vit, teksa pritet që prodhuesit më të vegjël të falimentojnë.

Pashaj pohon se paniku i krijuar nga kriza ka rritur spekulimin me çmimet. Duke qenë se rënia e konsumit solli presion në rënien e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, shpeshherë ushtrohet presion te fabrikat për të blerë stoqet me çmime shumë poshtë kostos. Anketat në Europë tregojnë se 62% e tregtarëve presin ulje të çmimeve në 6 muajt e ardhshëm, për shkak të pasojave negative të pandemisë.

Europa mbetet më pesimistja, teksa në kontinentet e tjera, përqindja e tregtarëve që besojnë se çmimet do të ulen është më e vogël. Në qershor, çmimet këpucëve në Europë shënuan rënie mesatare me 3% në raport me qershorin e vitit 2019, sipas Eurostat. Ekspertët pohojnë se çmimet do të jenë nën presion edhe në periudhën në vijim, për shkak të goditjeve të forta nga krahu i kërkesës, të cilat po nxiten nga mungesa e të ardhurave dhe ndryshimi i stilit të jetesës nga pandemia, që po nxit punën online nga shtëpia.

Varësia nga Italia nuk ndihmon. Mbi 70% e eksporteve totale të veshjeve të këmbëve shkojnë në shtetin përtej detit. Për 6 muajt e parë të 2020-s, eksportet e veshjeve të këmbëve kanë rënë me rreth 27%.

 

Industria e miellit

Industria e përpunimit të miellit e ka marrë pak veten, ndonëse po vijon të vuajë pasojat e konkurrencës rajonale. “Shoqëria Anonime Mielli” (Miell Tirana) ka deklaruar rritje të ardhurash me 7.6%, në 2 miliardë lekë, duke qenë e vetmja e mbetur në listën e 200 të mëdhenjve.

Bloja”, që ishte sipërmarrja më e madhe e këtij lloji në vend para dy vitesh, ka dalë nga renditja e më të mëdhenjve, që në vitin 2018 dhe ka raportuar rreth 1.35 miliardë lekë qarkullim vjetor në vitin 2019, me tkurrje prej rreth 2%.

 

TURIZMI DHE UDHËTIMET, LULËZIMI PARA COVID-19

Shqipëria u kthye vitet e fundit në një destinacion të preferuar turistik nga njëra anë, duke nxitur investimet në turizëm, sidomos hoteleri, dhe rritjen e agjencive të udhëtimit.

Vrulli u ndërpre nga pandemia e COVID-19, duke rezultuar sektori që po shënon humbjet më të mëdha në vend.

“Albawings”, operatori shqiptar i fluturimeve ajrore, me destinacion qytetet italiane, ka rritur me 7% të ardhurat në 4.5 miliardë lekë në 2019-n. Sipas të dhënave nga Tirana International Airport, “Albawings”, kishte 10% të tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve. Në pjesën e parë të këtij viti, humbjet kanë qenë të mëdha, sipas burimeve nga kompania.

Fluturimet nga dhe drejt Rinasit, në gjysmën e parë të këtij viti kanë rënë me 60% në raport me janar-qershor 2019.

 

BURIMI: TIA

 

“Landways International” (ish-Albania Experience) shënoi të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh, pothuajse në nivelin e një viti më parë.

Pak vite më parë, në listën e më të mëdhenjve hynë dhe agjencitë turistike, për shkak të një ndryshimi në mënyrën e mbajtjes së kontabilitetit që i detyronte të raportonin si të ardhur dhe vlerën e biletave, jo vetëm marzhin që ato mbanin.

“Albtours “D”-VAS”, tour-operatore, ka raportuar një rritje me 1.4% në 2.5 miliardë lekë.

“Globus Travel” është një tjetër operator i madh, me rritje 12.7%, në 2.3 miliardë lekë.

“Green Coast”, pjesë e grupit Balfin, që menaxhon resortin turistik në Jug të vendit, i është afruar 200 më të mëdhenjve, pas rritjes së shpejtë në vitin 2019. Kompania raportoi të ardhura prej 1.57 miliardë lekësh në 2019-n, nga 28 milionë lekë vitin e mëparshëm.

“Air BP”, që furnizon me karburant avionët në Rinas, u rrit me 9.5% në vitin 2019, në 2.2 miliardë lekë. Kompania pohon në raportin e saj vjetor, se për vitin 2020 planifikoi një aktivitet të qëndrueshëm në vazhdim, edhe pse në vitin 2019 në Aeroportin Ndërkombëtar “Nene Tereza hyri në operim një operator i dytë.

Por duke qenë se më 11 mars 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë e deklaroi koronavirusin (COVID-19) një pandemi, duke bërë të izoloheshin pothuaj të gjitha shtetet europiane, përfshirë edhe Shqipërinë, pati rënie të aktivitetit të Shoqërisë “Air BP Albania sh.a.” me gati 90% për muajt prill-qershor.

 

SHITBLERJET RRISIN KONKURRENCËN MES BANKAVE

Prej dy vitesh, sistemi bankar po shënonte rritje të ngadaltë, teksa ishte i “zënë” me transaksionet e shitblerjeve, që e ulën numrin e bankave në 12, nga 16 në fillim të vitit 2018.

Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.47 trilionë lekë (rreth 11.4 miliardë euro) në fund të vitit 2019, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në raport me një vit më parë, rritja vjetore ishte 1.55%, pas një zgjerimi prej 0.5% vitin e mëparshëm.

Në fund të 6-mujorit të parë 2020, aktivet e sistemit arritën në 1.53 trilionë lekë, me rritje 3.5% në krahasim me fundin e vitit, i nxitur nga investimet e bankave në letrat me vlerë. Deri tani, sistemi nuk i ka ndier pasojat e pandemisë, teksa shtyrja e pagesave të kredive dhe ristrukturimi i tyre i ka dhënë njëfarë qetësie sistemit. Vetëm pas gushtit, kur mbaron shtyrja e kredive, do të fillojnë të duken pasojat që kriza do të japë tek kreditë me probleme dhe fitimet e bankave. Efektet e plota do të reflektohen nga dhjetori dhe vitin e ardhshëm, kur të fillojnë provigjionimet e kredive të shtyra.

“Bankat ende nuk kanë pësuar dëme të prekshme në kuptimin e cilësisë së portofolit të kredisë, edhe falë ndryshimeve rregullatore në kuadrin e moratoriumit të pagesave. Kjo masë shmangu krijimin e problemeve të likuiditetit për bizneset dhe familjet dhe, rrjedhimisht, edhe pasojat negative në portofolat e bankave”, thotë Silvio Pedrazzi, Kryetari i Shoqatës së Bankave dhe Drejtor i Përgjithshëm i Bankës “Intesa Sanpaolo Bank Albania”.

“Tani që moratoriumi ka përfunduar, duhet të fillojmë të kuptojmë, mbështetur në një analizë rast pas rasti, cilët kanë qenë kredimarrësit, që kanë pësuar pasoja serioze nga kriza. Por, për momentin, askush nuk mund të ketë një përgjigje të saktë për këtë”, shton ai.

Në kahun tjetër, ecuria ka qenë pozitive për depozitat, pasi pandemia duket se i ka nxitur njerëzit të kursejnë. Në krahasim me një vit më parë, totali i depozitave të bizneseve dhe individëve në të gjitha monedhat, është rritur me 6.1%, ose rreth 500 milionë euro. Një vit më parë, shtesa ishte rreth tre herë më e ulët (rreth 170 milionë euro).

Në 2019-n, rritja e të ardhurave ka qenë më e fortë nga bankat që kanë shënuar ndryshime në pronësi, ose përthithje, si një tregues se ky proces ka ndikuar pozitivisht në konkurrencën e sistemit bankar.

Banka më e madhe në vend, nga qarkullimi vjetor, është “BKT”, me rreth 25 miliardë lekë të ardhura, me rënie 2.8% me bazë vjetore. Banka i ka raportuar në vitin 2019 të ardhurat e bilancit, pa përfshirë Kosovën, teksa kjo e fundit ka kaluar si degë më vete.

“Raiffeisen” ka kaluar sërish si banka e dytë më e madhe në vend, sipas qarkullimit vjetor. Të ardhurat ishin 11.3 miliardë lekë, me rritje 3% me bazë vjetore.

Banka e tretë më e madhe në vend nga të ardhurat ka kaluar sërish “Credins”. Të ardhurat ranë me 21%, në 10.6 miliardë lekë, por rritja e vitit të mëparshëm nuk kishte ardhur nga aktiviteti normal, por nga rikuperimi i provigjioneve.

 “Intesa Sanpaolo” është banka e katërt më e madhe në vend nga të ardhurat, që arritën në gati 6.1 miliardë lekë, me rritje 6%.

“OTP Bank” është banka e pestë më e madhe në sistem, sipas të ardhurave, në një nivel prej 4.6 miliardë lekësh, me rritje 9.4%. Banka ka qenë aktive pas ndryshimit të pronësisë nga “Societe Generale” te hungarezët e OTP-së në mars të vitit të kaluar.

 “Banka Amerikane e Investimeve” kaloi në vend të gjashtë sipas të ardhurave, nga i teti në vitin 2018. Të ardhurat u rritën me 45%, në 3.1 miliardë lekë, sipas burimeve nga banka. Në vitin 2018, “ABI Bank” përthithi grekët e NBG.

 “Union Bank” ka ruajtur vendin e shtatë, pasi ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 3 miliardë lekësh, me rritje 9%. Gjatë vitit 2019, “Union Bank” finalizoi blerjen e bankës malajziane ICB.

Banka Alpha”, ka zbritur në vend të tetë, pasi ka raportuar një rënie të lehtë të të ardhurave, me rreth 2.5%, në 2.9 miliardë lekë.

 “Tirana Bank” realizoi një rritje të fortë të të ardhurave, me 27%, duke arritur në 2.7 miliardë lekë. Kjo bankë kaloi vitin e kaluar në pronësi të grupit “Balfin” dhe “Komercijalna Banka” të Maqedonisë.

 “Banka e Parë e Investimeve” hyri për herë të parë në renditjen e “Monitor 200”, pas rritjes me 24% në 1.7 miliardë lekë.

 “ProCredit Bank” deklaroi të ardhura prej 1.5 miliardë lekësh, me rënie 22.5% me bazë vjetore.

 

 

SIGURIMET, TË NDIKUARA NGA TËRMETI DHE PANDEMIA

Tregu i sigurimeve ka vijuar me rritjen e ngadaltë, me sigurimet e jo-jetës që dominojnë, kryesisht ato të detyrueshme.

Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë vitit 2019, tregu i sigurimeve ka pasur rritje prej 4.1% dhe volumi i primeve të shkruara bruto arriti në rreth 17.6 miliardë lekë. Rreth 93% e tregut përbëhet nga jo-jeta, ku sigurimet e detyrueshme zënë pjesën kryesore, me rreth 68% të primeve totale të jo-jetës.

Pavarësisht tërmetit të 26 nëntorit, dëmet e paguara u ulën me 8.5% në 2019-n, por detyrimet pritet të reflektohen gjatë 2020-s. Tregu është goditur dhe nga pandemia, me interesin për sigurime, përveç atyre për dëmet në pronë, që vlerësohet të jenë zbehur.

Pesë operatorët më të mëdhenj të tregut të sigurimeve kanë deklaruar rritje të të ardhurave prej 3%, nga 4.7%, vitin e mëparshëm.

Shoqëria më e madhe e sigurimeve është “Sigal Uniqa Group Austria”, me 4.3 miliardë lekë të ardhura dhe rritje vjetore prej 4.4%.

I dyti më i madh në vitin 2018 ishte “Sigma Interalbanian Vienna Insurance” (bilanci i konsoliduar), me rritje 4.3%, në 3.5 miliardë lekë.

“Alb-Siguracion” shënoi rritje të të ardhurave, me 1.3%, në gati 2.4 miliardë lekë, duke mbetur operatori i tretë më i madh.

“Eurosig SHA” kishte të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, me një rritje prej 2.8% me bazë vjetore.

“Intersig Vienna Insurance Group” (pjesë e të njëjtit grup me Sigma) është operatori i pestë më i madh, me qarkullim vjetor prej 2.2 miliardë lekësh, me rritje vjetore prej 4.5%.

 

BURIMI; AUTORITETI I MBIKËQYRJES FINANCIARE

 

 

RRITJE E LEHTË E TREGUT TË AUTOMJETEVE TË REJA

Tregtimi i automjeteve të reja dhe i pjesëve të këmbimit ishte në rritje të lehtë në 2019-n.

Sipas të dhënave nga Automobile Club Albania (ACA), u targuan gjithsej 3,234 automjete të reja, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë. Ndonëse në rritje, pesha e automjeteve të reja mbetet tepër e ulët në raport me të përdorurat. Po në 2017-n u targuan rreth 47 mijë automjete të përdorura.

“Autostar Albania” është operatori më i madh në treg, me një qarkullim vjetor prej 2.6 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Sipas bilancit zyrtar më pak se gjysma e të ardhurave (45%) vjen nga shitja e automjeteve, pjesa tjetër nga shitja e makinave të përdorura, shërbimet e servisit, pjesët e këmbimit etj.

“Mektrin Motor” realizoi të ardhura prej 2.3 miliardë lekë, me një tkurrje prej 5% nga viti i mëparshëm, kryesisht si rrjedhojë e reduktimit të shitjeve nga automjetet e rënda. “Viti 2019 është karakterizuar nga konsolidimi i tregut të sektorit, pavarësisht nga rënia e fitimit, por me një rritje në vlerën e aktiveve afatgjata”, thuhet në raportin e aktivitetit. Kompania ka përfunduar investimet në infrastrukturë dhe është pozicionuar në treg, duke minimizuar tregtimin e automjeteve të rënda dhe duke u fokusuar në rritjen e shërbimeve dhe konsolidimin në tregun e automjeteve të luksin.

“Porsche Albania” raportoi një qarkullim vjetor prej 2.1 miliardë lekësh, me një tkurrje prej 18.5%.

“Kadiu”, kishte të ardhura prej 1.7 miliardë lekësh, me zgjerim të fortë prej 17.5%. Kompania, sipas burimeve zyrtare operon në fushën e tregtisë së pjesëve të këmbimit për automjete, autoservise shërbimi dhe me pika shitje me pakicë në Tiranë, Kavajë, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Berat, Lushnje, Kukës dhe Lezhë.

“Auto-Pasion”, kishte një aktivitet në rritje, me të ardhura prej gati 1.7 miliardë lekësh dhe zgjerim 13.3% në raport me 2019-n. Sipërmarrja është e përqendruar në tregtimin e pjesëve automobilistike dhe e ka zgjeruar aktivitetin edhe në Kosovë.

Në pjesën e parë të 2020-n, tregu po ndien pasoja e shkaktuara nga Covid-19. Sipas të dhënave nga ACA, gjithsej në janar-qershor u targuan 1,490 automjete të reja, me një tkurrje prej rreth 7% në raport me gjashtëmujorin e parë 2019.