Eksperti i komunikacionit analizon aksidentet në Kosovë: Faktori njeri, fajtor në pjesën dominuese të rasteve

Eksperti i komunikacionit analizon aksidentet në Kosovë: Faktori njeri, fajtor në pjesën dominuese të rasteve – Lajmet e fundit



Eksperti i komunikacionit, Naser Lajqi ka thënë se faktori njeri është determinues për aksidentet në Kosovë. Ai ka bërë thirrje që qendrat e kontrollit teknik të mos lejojnë të lëvizin automjetet që kanë një vjetërsi të madhe dhe të kontrollohen më shumë.

“Në Gjykatat e Kosovës, shpejtësia në komunikacion merret vetëm si numër”, kështu ka deklaruar njohësi i komunikacionit, Naser Lajqi.

Lajqi në një lidhje direkte në RTV Dukagjini, ka thënë se faktori dominant për shkaktimin e aksidenteve në trafik është faktori njeri, duke shtuar se në Gjykatat e Kosovës dyfishimi i shpejtësisë në një rrugë ku nuk është e lejuar, nuk merret si diçka e jashtëzakonshme.

“Faktorin rrugë nëse e shikojmë në analizat që bëhen për aksidente të veçanta, nuk është një përqindje e madhe, 10-12%, por faktori njeri është dominant që po ndikon në rritjen e numrit të akisdenteve, sidomos kur ka fluks të madh të automjeve që po qarkullojnë kohëve të fundit”, ka deklaruar Lajqi.

Sipas Lajqit, dy rrugë në Kosovë janë shumë të rrezikshme, rruga Prishtinë-Podujevë dhe ajo për Prishtinë-Gjilan.

Ai ka thënë se për këto rrugë përgjegjësinë duhet ta ketë Ministria e Infrastrukturës, ndërsa për rrugët lokale duhet të merret Komuna.

Sa i përket shenjave të komunikacionit, Lajqi ka thënë se ka mungesë të tyre sepse siç thotë ai kur llogariten ekspertizat kemi probleme të jashtëzakonshme.

Sipas tij, faktori njeri është dominant që bën dëm në trafik, ndërsa faktori i automjeteve është 0,6% fajtor.

Ndër të tjera, Lajqi ka theksuar që qendrat e kontrollit teknik të mos lejojnë të lëvizin automjetet që kanë një vjetërsi të madhe dhe të kontrollohen më shumë.

Ndërsa sa i përket Policisë së Kosovës, ai ka thënë se janë mjaft të rreptë në dënime dhe janë duke monitoruar rrugët, por që sipas tij nuk mund të bie e tërë përgjegjësia te ata, por edhe te përgatitja e kuadros nëpër shkolla që e marrin shpejtësinë vetëm si numër.

Ai ka bërë thirrje që të vetëdijësohet masa dhe të ketë kujdes në kontrollin teknik të automjetit dhe të kontrollimit të shpejtësisë në komunikacion.

Ndryshe, mëngjesin e së premtes, dy persona kanë mbetur të vdekur në magjistralen Podujevë – Prishtinë, si pasojë e një aksidenti.

“Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritur t’i përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë . Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Trupat e viktimave: Sh.S, mashkull, 36 vjeç dhe M.S, femër, 35 vjeç janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa dy personat tjerë të lënduar (fëmijë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. /dukagjini