Elbenita Kajtazi e emocionuar për vlerësimin që i bëri kritika franceze

Elbenita Kajtazi e emocionuar për vlerësimin që i bëri kritika franceze

Tejet e emocionuar është shprehur sopranoja Elbenita Kajtazi për vlerësimin nga kritika franceze për debutimin e saj në Operën Kombëtare në Bordo.

Ajo me rikthimin e saj në skenë pas shtatë muajsh pushimi të detyrueshëm shkaku i pandemisë arriti të përvetësonte zemrat e audiencës dhe kritikës franceze.

Me rolin e Violettës në “La Traviata” të Verdit, ajo u cilësua si zbulim i mbrëmjes së 21 shtatorit, kur u dha repriza e parë e operës.

“Elbenita Kajtazi si Violetta është zbulimi i mbrëmjes. Regjistret e ndryshme të vokalit të cilat i kërkon partitura për këtë rol, këtu janë të bashkuara në linja të këndimit me dëlirësi të madhe, me bukuri dhe mbi të gjitha rini”, ka shkruar portali i njohur francez që i dedikohet botës operistike “Forum opera”.

Tutje, sopranoja kosovare është vlerësuar edhe për timbrin magjepsës dhe për interpretimin e aries finale që u cilësua si moment i rrallë.

“Loja dhe zëri i kësaj këngëtare dhe artiste të madhe, zgjon emocione të forta. E kemi zbuluar një Violeta madhështore”, ka shkruar kritika franceze për Kajtazin.

Ndërkaq në një intervistë për “Express” në KTV, Kajtazi ka thënë se pas vlerësimit të tillë i rritet përgjegjësia e i duhet të punojë edhe me më shumë përkushtim.

“Është emocion i papërshkrueshëm. Ky debutim ka pas rëndësi të veçantë për karrierën time. Të pritem kaq mirë ka qenë emocion rrëqethës e ndjenjë shumë e mirë. Por me këtë rast vetëm rritet përgjegjësia edhe më shumë dhe puna duhet të vazhdojë edhe me më shumë përkushtim se më herët”, ka thënë ajo në një intervistë në Express të KTV-së.

Edhe pse po bën karrierë në skenat më prestigjioze botërore, Kajtazi vazhdon ta ketë një lidhje të veçantë me Kosovën.

Debutimin në Francë ia ka dedikuar Ajnishahe Halimit, veprimtares që humbi betejën me sëmundjen e kancerit.

Me rolin e Violettës në skenën e “Opera de Bordo”, Elbenita Kajtazi do të ngjitet përsëri më 26 shtator.