Elbenita Kajtazi ia sjell publikut të Kosovës magjinë e skenave botërore

Elbenita Kajtazi ia sjell publikut të Kosovës magjinë e skenave botërore

Elbenita Kajtazit nuk është se i bie shpesh të interpretojë në skenën vendore. Por emrin e Kosovës ka vjet që e dërgon nëpër sallat më prestigjioze evropiane. Jo pak kohë pas debutimit të saj në rolin e Ritës nga opera “Deux hommes et une femme” e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, në “Konzerthaus” të Berlinit, ajo është kthyer me një koncert në Prishtinë. I është bashkuar festës së 20-vjetorit të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, “ReMusica”.

Për të, ky festival përmbledh një prej ngjarjeve të saj më të veçanta që prej kohës kur ishte studente. Por ndryshe nga koncerti që pati në “ReMusica” para pesë vjetësh, kësaj here Kajtazi ka komunikuar krejtësisht ndryshe me publikun. Ka interpretuar përballë ulëseve të zbrazura në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Por, tek te hënën mbrëma publiku nga ulëset e shtëpisë ka ndjekur koncertin që ajo ka përzgjedhur për natën hapëse të edicionit jubilar të njërës prej ngjarjeve muzikore më me traditë në skenën vendore. Me një program të pasur, Kajtazi ka dashur që t’ia prezantojë publikut kosovar pikërisht ato vepra që ia prezanton publikut të huaj. Përveç kësaj e ka shuar edhe mallin e të kënduarit në shqip.

Për të “ReMusica” ishte ngjarja që jo vetëm si studente, por edhe si nxënëse e shkollës së mesme e përcillte me shumë ëndje. Për të ky vend i shërbente si inspirim drejt ambicieve të saj.

“Mezi e kemi pritur majin për çdo sezon me ardhë më pa koncerte të ndryshme, më pa artistë të ndryshëm dhe më u inspiru dhe më punu më shumë për më i arritë andrrat tona”, ka thënë ajo në dokumentarin e publikuar pak para koncertit.

Derisa sopranoja kosovare po bëhej gati për koncertin në vendlindje, nga Gjermania ka marrë plot lëvdata për rolin e saj të fundit debutues. Sipas tyre, ajo me rolin e Ritës nga “Deux hommes et une femme”, të cilin e konkretizoi në ditën e parë të këtij muaji, veçse e dëshmon praninë e saj në shtëpitë e mëdha operistike dhe triumfin në shumë gara muzikore. Sipas kritikës gjermane, Kajtazi nuk i mbetet borxh asnjë ngjarjeje dhe për më tepër me zërin e saj të mrekullueshëm e timbrin sensual veçse i ka bërë për vete.

“Një soprano e gjallë me timbër shumëngjyrësh, mëshiroi një Ritë të vendosur me gjallëri dhe një koloraturë vezulluese”, ka shkruar “Klassik.com”. Pikërisht me bagazhin e roleve të njohura operistike, Kajtazi me koncertin e saj të fundit është kthyer për të sjellë magjinë e dëshmuar jashtë Kosovës. Salla e zbrazët nuk ia ka zbehur lojën e gjallërinë në skenë teksa ka zbërthyer vepra të kompozitorëve gjermanë, francezë e italianë. Me emocion tjetër i ka përcjellë ato në gjuhën shqipe.

Pjesën e veprave të kompozitorëve të huaj e ka sjellë në Prishtinë shoqëruar në piano nga francezo-gjermania, Camille Lemonier.

Kajtazi ka thënë se nuk është aspak ndjenjë e mirë të interpretojë pa publik. Por përkundër kësaj, në çdo interpretim, ajo është munduar ta ndiejë nga distanca publikun. Dhe ka punuar akoma dhe më shumë që të njëjtën ndjesi ta përcjellë edhe tek ata.

“I jam drejtuar kamerës shumë herë sikur po e shikoj në sy publikun në ato momente, andaj jam munduar që ta përcjelli një emocion të cilin uroj që ta kenë përjetuar edhe të gjithë ata që e kanë përcjellë koncertin”, ka thënë Elbenita Kajtazi për KOHËN, pas koncertit transmetuar online në “remusicafestival.com”, aty ku do të transmetohen krejt koncertet e edicionit të sivjetmë.

Për shkak të provave intensive këto ditë nuk ka mundur ta përcjellë koncertin e saj në Kosovë, por që fjalët e mira që ka marrë nga publiku kosovar veçse e kanë dëshmuar përçimin e emocioneve edhe nga distanca. Disa prej atyre që e kanë përcjellë koncertin i kanë përshkruar ndjesitë e tyre edhe në postimin e faqes së “ReMusicas” në Facebook.

Repertorin e veprave të kompozitorëve të huaj, sopranoja nga Kosova e ka sjellë në Prishtinë shoqëruar në piano nga Camille Lemonier


“Bravo E. Kajtazi, C. Lemonnier dhe E. Ramadani, ju lumtë për këtë mbrëmje të mrekullueshme muzikore, faleminderit ReMusica Festival”, ka komentuar Arsim Kelmendi.

Në programin e saj, ajo ka përfshirë arie operistike dhe këngë, pasi që i pëlqen të përcjellë rrëfime. Me praninë e plotë artistike në skenë, Kajtazi e ka plotësuar çdo kërkesë të veprave të interpretuara. Gjatë interpretimit duket si e zhytur thellë në historitë e roleve që ka luajtur. Emocionet që përcjell nga këndimi kalojnë natyrshëm tek e qeshura në shprehje më të ngrysur të fytyrës. Për publikun e Kosovës ka përzgjedhur dy role operistike, me të cilat do të debutojë në Hamburg dhe Dresden, tri arie nga vepra “Manon” e Massenetit dhe dy arie nga vepra “La Boheme” e Puccinit.

“Kam zgjedhur arie nga këto vepra operistike, sepse kam menduar që koncerti duhet ta ketë një frymë të asaj që po performoj edhe jashtë vendit”, i ka thënë KOHËS sopranoja kosovare.

Në Prishtinë, ajo e ka shuar mallin e të interpretuarit në gjuhën shqipe. Këtë e ka bërë me “Nji lule” të kompozitorit Rexho Mulliqi dhe këngën “Vet ke mbetë” të kompozitorit Gjergj Kaçinari. Të dyja i ka interpretuar më aranzhim të Edon Ramadanit, i cili e ka përcjellë sopranon në piano. Interpretimi me të e ka kthyer Elbenitën tek interpretimi i parë si nxënëse e shkollës “Tefta Tashko” në Mitrovicë.

“Herën e parë kur kam kënduar muzikë klasike, më ka përcjellë Edoni. Më ka fascionuar mënyra se si më ka përcjellë atëherë si nxënëse dhe kam dashur që patjetër ta përsëris atë që e kam përjetuar si nxënëse”, ka treguar ajo.

Veprën “Nji lule” dhe “Vet’ ke mbetë”, Kajtazi i ka lënë me shkas në fund të programit.

“Për shkak se gjatë gjithë kohës jam e angazhuar me studimin e veprave të tjera, gati se kurrë nuk më bie të këndoj gjuhën dhe këtë e kam si peng. Këngën ‘Vet kë mbetë’ e kam përzgjedhur për shkak të tekstit që përmban dhe shumë më vjen keq që këngët e sotme nuk kanë me tekste të tilla. Kurse ‘Nji lule’ e kam kënduar shumë edhe kur kam qenë studente edhe në Filharmoninë e Kosovës”, ka shpjeguar sopranoja që në prill të këtij viti ka dërguar Kosovën në finale të “BBC Cardiff Singer of the World”

Drejtoresha e “ReMusicas”, Donika Rudi, ka thënë se hapja e festivalit të sivjetmë me Elbenita Kajtazin ishte një emocion i madh në këtë edicion që e përmbledhë punën dhe dedikimin e organizatorëve për ta mbajtur në këmbë një festival që në themel ka bartjen e veprave bashkëkohore te publiku.

“Befasitë ndodhen edhe këtë vit për shkak të gjendjes me pandeminë, kështu që as këtë herë nuk arritëm të mblidhemi në këtë festë. Megjithatë ishte një emocion i madh edhe për ne, por edhe për Elbenitën që e kishim këtu. Këtu prezantuan një program atraktiv dhe shumë të vështirë, kishim edhe dy vepra shqiptare dhe ishte një mbrëmje fantastike”, ka thënë Rudi.

Elbenita Kajtazi është fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare, përfshirë “Glyndebourne Opera Cup”, “Riccardo Zandonai Competition”, “Spiros Argiris Sarzana Festival” e të tjera. Për një periudhë shumë të shkurtër ajo depërtoi në skenat ndërkombëtare përmes paraqitjeve të shkëlqyeshme në Deutsche Oper Berlin, Hamburg State Opera, Teatro Municipal de Santiago, Semperoper Dresden dhe la gjurmë te mëdha në Festivalet si Glyndebourne Festival, Salzburg Festival. Prezenca e saj në teatrot më me nam si ajo e Staatsoper Hamburg, Grand Théâtre de Genève, Opéra National de Bordeaux, Teatro Municipal de Santiago apo Theater Erfurt, u vlerësuan lart edhe nga mediat botërore. Bashkëpunimet e saj me orkestra janë të shumta, ku veçohen “Mozarteum Orchestra Salzburg”, “Münchner Rundfunkorchester”, përfshirë këtu bashkëpunimet me emra të njohur, si: Placido Domingo, si dhe me dirigjentë më të njohur të kohës në skena ndërkombëtare, si Kent Nagano, Zubin Mehta, Donald Runicels. Tani, Elbenita është pjesë e Staatsoper Hamburg, ku po zhvillon karrierën e saj si soliste.

Festivali “ReMusica” jubileun e shënon me edicion hibrid me koncerte, ligjërata e masterklasa. Të gjitha koncertet i ka zhvendosur virtualisht. Me temën “Rikthim para”, festivali ka reflektuar në rrugëtimin prej dy dekadash. Të mërkurën do ta sjellë koncertin me vepra pianistike shqiptare nga pianistja Merita Rexha-Tërshana.