Elizabeta, romja pesë vjeçare që nuk përfshihet në pllakën përkujtimore në Mitrovicë

Elizabeta, romja pesë vjeçare që nuk përfshihet në pllakën përkujtimore në Mitrovicë

Sot shënohen 75 vjet nga ngjarja e tmerrshme e Holokaustit ndaj Romëve në Luftën e Dytë Botërore, ku më shumë se 500.000 sinti e rom u vranë në mënyrën më të tmerrshme të mundshme, shkruan KultPlus.

Sot, në këtë ditë që shënon një ngjarje makabër, Shkëlzen Gashi ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, ku tregon historinë e Elizabeta Hasani, romes pesë vjeçare e cila u vra në masakrën e Tregut të Gjelbërt në Mitrovicë më 13 mars të vitit 1999.

Gashi tregoi se emri i Elizabetës nuk figuron në pllakën përkujtimore të ngritur nga Komuna e Mitrovicës në qendër të qytetit, aty figurojnë vetëm emrat e gjashtë shqiptarëve të vrarë.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Gashit.

”PSE JO EDHE ROMJA PESËVJEÇARE ELIZABETA HASANI?

Më 13 mars 1999 në masakrën në Tregun e Gjelbërt në Mitrovicë janë vrarë SHTATË qytetarë dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Sipas të dhënave të FDH-së janë vrarë: Rrahim Peci (1934), Ahmet Strana (1941), Abaz Mecinaj (1944), Ragip Bajrami (1946), Sevdije Selani (1949), Valdete Strana (1977) dhe ELIZABETA HASANI (1994). Edhe fotografia e fotografit Tylor Hicks e dëshmon se në Tregun e Gjelbërt është vrarë edhe një fëmijë pesë vjeçar.

Ky fëmijë është ELIZABETA HASANI. Çikë. Pesë vjeçe. Rome. E bija e Isës dhe e Nadës. Por, në pllakën përkujtimore të ngritur nga Komuna e Mitrovicës në qendër të qytetit, figurojnë vetëm emrat e GJASHTË shqiptarëve të vrarë. Nuk figuron romja pesëvjeçare ELIZABETA HASANI. Edhe në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kur prezentohet kjo masakër, figurojnë vetëm GJASHTË shqiptarët e vrarë.

Respekt për të gjitha viktimat e luftës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, racore, gjuhësore, gjinore, fetare, regjionale, politike…” / KultPlus.com