Enxhi Mehmeti, fituese e çmimit "Artistët e së nesërmes 2021"

Enxhi Mehmeti, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes 2021”

Juria u mblodh në Prishtinë dhe online të premten më 10 dhjetor për të zgjedhur fituesin e çmimit „Artistët e së nesërmes” 2021. Ne ishim të kënaqur që takuam secilin prej finalistëve Uresa Ahmeti, Endrit Jashanica dhe Enxhi Mehmeti dhe për të diskutuar për punën e tyre të paraqitur në ekspozitë.

Juria u impresionua nga mënyra se si finalistët zhvilluan idetë e tyre për ekspozitën dhe si j’u përgjigjen Klubit të Boksit. Secili artist prezantoi vizionin dhe qasjen e tij unike që ne besojmë se do të vazhdojë të japë një kontribut jetik në praktikën e artit bashkëkohor në Kosovë dhe më gjerë.

Instalacioni i Uresa Ahmetit paraqet videoprojeksione në të dy anët e një ekrani që, në mënyra të ndryshme, shprehin reflektimet dhe kërkimet e saj të vazhdueshme mbi nocionet e vetvetes. Përmes fjalëve të rrjedhura, të thyera apo të fshira, poezia e saj eksperimentale “Penetrating Air” shpreh në mënyrë të mprehtë kompleksitetin e vetvetes së fshehur, ndërsa videoja e një shfaqjeje të realizuar në Pallatin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve “Boro dhe Ramizi” në Prishtinë është e thellë, përçarëse dhe plot agjenci.

I vendosur brenda një ambienti të bardhë në galeri, “In a Box” i Endrit Jashanica ndërlikon idetë rreth hapësirës së jashtme dhe të brendshme, asaj fizike dhe virtuale, duke krijuar një “udhëtim” të pafund në një botë tredimensionale që është jashtëzakonisht mirë e ekzekutuar. Duke nxitur potencialin e mediave në zhvillim, puna e Jashanicës kryqëzohet me ide më të mëdha rreth të ardhmes së teknologjive të reja dhe se si këto vazhdojnë të ndikojnë dhe formësojnë përjetimin tonë në botë.

Vizatimet e Enxhi Mehmetit posedojnë njëfarë intimiteti dhe brishtësie që megjithatë në raste të caktuara kanë një prani të fuqishme në shprehjet e tyre të formave njerëzore dhe jo njerëzore që shkrihen edhe në identitete të reja fantastike. Për ekspozitën, Mehmeti krijoi një instalacion koheziv vizatimesh, objektesh dhe punimesh zanore që ishte një hap i guximshëm përtej serisë së vizatimeve të paraqitura në aplikacionin e saj. Kjo vëmendje ndaj cilësive materiale dhe dialogu lozonjar me mjedisin në Klubin e Boksit dëshmojnë një ndjeshmëri të jashtëzakonshme artistike.
Duke pasur parasysh fuqinë e punës të secilit prej finalistëve, çmimi i këtij viti u debatua gjatë nga juria. Duke marrë parasysh të gjitha kriteret për çmimin, juria erdhi në përfundim se se çmimi i këtij viti duhet t’i jepet Enxhi Mehmetit. Juria beson se në këtë fazë të zhvillimit të artistes, Mehmeti do të përfitojë shumë nga konteksti që një rezidencë dymujore në Nju Jork do t’i ofrojë.

Anëtarët e jurisë së çmimit „Artistët e së nesërmes” 2021:
Anne Barlow, Qëndresë Deda, Minna Henriksson, Adam Kleinman, Nebojša Milikić.

Çmimi “Artistët e së nesërmës” organizohet nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmës” 2021 janë: The Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG. / KultPlus.com