Euro rrit peshën në kredi dhe depozita. Mbi tre vjet nga strategjia e deeuroizimit, rezultatet janë modeste

Euro rrit peshën në kredi dhe depozita. Mbi tre vjet nga strategjia e deeuroizimit, rezultatet janë modeste

Pesha e kredisë në valutë është rritur në gjysmën e parë të këtij viti. Analiza periodike e Bankës së Shqipërisë për ecurinë e treguesve që janë objekt i strategjisë së deeuorizimit tregon se pas tre vitesh ajo ende nuk dhënë rezultate domethënëse. Në fund të qershorit 2020, pesha e kredisë në valutë është sa 52.7% e portofolit të kredive të sektorit bankar, ose 1.3 pikë përqindje më e lartë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Pesha e kredisë në valutë sipas bankave luhatet nga 36% deri në 79%. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, kjo peshë është zgjeruar në portofolet e shumicës së bankave të sektorit. Për shumicën e bankave, pesha e kredive në valutë është mbi nivelin e sektorit në total dhe se ekspozimi i tyre ndaj luhatjeve të pafavorshme të kursit të këmbimit mbetet i rëndësishëm.

Pesha e euros ngelet e lartë edhe në krahun e detyrimeve të sektorit bankar. Në fund të gjashtëmujorit të parë 2020, depozitat në valutë ndaj totalit të depozitave të klientëve shënuan nivelin 52%, krahasuar me 51.7% që ishin në fund të dhjetorit 2019 dhe 51.6% një vit më parë. Për banka të veçanta, ky tregues arrin në 61%.

Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë miratoi disa masa rregullatore që synonin uljen graduale të përdorimit të valutës në sektorin bankar.  Megjithatë, deri tani efekti i tyre ka qenë modest. Në mënyrë të përsëritur, Banka e Shqipërisë është shprehur se strategjia mund të ketë sukses vetëm nëse do të shoqërohet me masa që e luftojnë euroizimin e lartë të ekonomisë reale. Megjithëse në vitin 2017 qeveria shqiptare nënshkroi memorandumin për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, deri tani ajo nuk ka ndërmarrë asnjë nismë në shërbim të këtij qëllimi.

Ersuin Shehu / SCAN 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.