“Europa Nostra” e shpall Manastirin e Deçanit “monument në rrezik”

“Europa Nostra” e shpall Manastirin e Deçanit “monument në rrezik”

Propaganda e Beogradit dhe e Kishës Ortodokse Serbe ia ka dalë që organizata e njohur e trashëgimisë kulturore – “Europa Nostra” – ta përfshijë Manastirin e Deçanit në mesin e shtatëve monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë.

Gjatë një ngjarjeje të organizuar të enjten në format online, më e madhja organizatë në kontinent ka bërë me dije shtatë vendet më të rrezikuara të trashëgimisë. Një mysafire e veçantë e ceremonisë ishte komisionerja e BE-së, Mariya Gabriel. Lista prej 7 monumentesh vjen nga ajo prej 12 sosh, që u bë publike në fund të vitit të kaluar.

Programi, i cili ekziston që prej 2013-s, ka për synimin rritjen e vetëdijesimit mbi gjendjen e brishtë të vendeve të trashëgimisë, me shpresë që kjo do të veprojë si përshpejtues për një veprim të qëndrueshëm sa i përket ruajtjes së tyre që të jenë edhe për brezat e ardhshëm.

Ndryshe nga vendet e listuara, janë bërë edhe dy njoftime të tjera. Duke filluar nga ky vit, ngjarja do të bëhet përvitshëm, duke e shtuar mbajtjen e tij. Po ashtu vendet finaliste do të kenë të drejtën të pranojnë një grant deri në 10 mijë euro si financim fillestar në përpjekjet për ruajtje.

Manastiri ortodoks i Deçanit figuron i pesti në renditjen e shtatë vendeve të rrezikuara të trashëgimisë.

“Me një histori që shkon në shekullin e 14-të, ai është edhe një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Është një strehë e rëndësishme fetare në Ballkan, lokacioni i tij e ka bërë viktimë të çështjeve të pazgjidhura legale dhe institucionale për shkak të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në përshkrim.

Përveç Manastirit të Deçanit, në listë janë përfshirë edhe hekurudha “Achensee Steam Cog” (Austri), Kompleksi i Varrezave Historike në Mirigoj (Kroaci), 5 Ishujt jugor të Egjeut (Greqi), Kopshtet Giustinë Verona (Itali), Zyra e Postës Qendrore në Shkup (Maqedoni) dhe Kapela dhe streha e Shën Juanit në Cantabria (Spanjë).

Kategorizimi i tillë në fakt është fitore e autoriteteve serbe. Kur “Europa Nostra” në dhjetor të vitit të kaluar e kishte futur Manastirin e Deçanit në listën e 12 monumenteve të rrezikuara, KOHA kishte raportuar se për këtë – organizata evropiane e cila Kosovës i referohet me fusnotë – bazohej në raporte të Serbisë e të Kishës Ortodokse Serbe.

“’Raportet shtetërore për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës me seli në Beograd janë dokumente të cilat organizata “Europa Nostra” i ka marrë për bazë kur ka alarmuar botën se Manastiri i Deçanit është në rrezik, e aty përmendet edhe ‘një përpjekje për sulm terrorist nga ISIS-i’, kishte raportuar KOHA, më 23 dhjetor të 2020-s në shkrimin: “’Europa Nostra’ alarmoi për ‘Manastirin e Deçanit në rrezik’ bazuar në raporte të Serbisë”. Në përgjigjet që ia kishte dhënë gazetës, “Europa Nostra” kishte thënë se “këto dokumente zyrtare janë të pranuara edhe nga UNESCO-ja”, ani pse aty Kosova është “Krahinë Autonome e Serbisë”. As atëherë e as tash, nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet e Kosovës.

“Në sytë e atyre që merren me trashëgimi kulturore situata e paraqitur nga ‘Europa Nostra’ nuk paraqet gjendjen reale dhe Qeveria e Kosovës duhet të reagojë. Madje ashpër. Sipas organizatës që është themeluar në nëntor të vitit 1963 në Paris dhe numëron anëtarë nga 40 shtete, Manastiri i Deçanit qysh prej qershorit të vitit 1999 është duke u ruajtur nga KFOR-i. Një patrullë e forcave paqeruajtëse qëndron aty gjatë gjithë kohës. Ata marrin dokumentet e identifikimit të atyre që vizitojnë monumentin e trashëgimisë kulturore”, kishte raportuar KOHA, më 14 dhjetor të 2020-s, në shkrimin: “Qeveria hesht ndaj ‘Europa Nostras’ për ‘Manastirin e Deçanit në rrezik’”