Eurozona sheh ditë të bardhë! Rimëkëmbet biznesi në muajin Qershor nga zbutja e karantinës

Eurozona sheh ditë të bardhë! Rimëkëmbet biznesi në muajin Qershor nga zbutja e karantinës

Rënia e aktivitetit të biznesit në Eurozonë nga masat e karantinës për të ndaluar përhapjen e koronavirusit,  është lehtësuar në muajin Qershor, ndërkohë që më shumë biznese janë hapur dhe njerëzit kanë nisur të lëvizin.  Rreth 11 milionë njerëz janë infektuar nga virusi në të gjithë botën, por ndërkohë që numri i rasteve ditore ka rënë në pjesën më të madhe të Europës, qeveritë kanë lehtësuar masat e karantinës.

Indeksi PMI, që shihet si një tregues i fortë i shëndetit ekonomik, u rrit në 48.5 pikë në Qershor, nga 31.9 në Maj.  Ky indeks ishte sipër vlerësimit fillestar dhe pranë kufirit prej 50 pikë, që ndan rritjen nga tkurrja.

Analistët thonë se rritja e indeksit tregon për një rimëkëmbje të ekonomisë së Eurozonës përballë pandemisë së koronavirusit.  Aktiviteti në industrinë gjigante të shërbimeve thuajse u rikthye në rritje në Qershor, duke prekur 48.3 pikë, nga 30.5 një muaj më parë.

Megjithatë, kërkesa ka vazhduar rënien pavarësisht se shitësit kanë ulur çmimet dhe firmat kanë ulur stafin për të katërtin muaj radhazi.  Indeksi i punësimit në industrinë e shërbimeve tregoi rritje, por ndodhet ende në nivelin më të ulët në 22 vite.  Analistët thonë se kompanitë kanë vazhduar të raportojnë kërkesë të dobët në Qershor.

Klevis Llaha / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.