Familja Dehari kërkon përjashtimin e prokurorit nga rasti, thonë se ekspertizën shtesë e pranuan mediat para tyre

Familja Dehari kërkon përjashtimin e prokurorit nga rasti, thonë se ekspertizën shtesë e pranuan mediat para tyre – Lajmet e fundit

Foto: Laura Hasani


Familja Dehari ka kërkuar përjashtimin e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, nga rasti i djalit të tyre, Astritit.

Nëna e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhemile Dehari në një konferencë për media tha se nuk kanë pasur kurrë komunikim të mirë me prokurorin tash e katër vjet.

Madje, ajo thotë se ekspertizën shtesë për rastin e djalit të saj më parë e patën mediat sesa familjarët, pasi siç thotë komunikimi me të ishte i ‘thatë’ edhe pse në vazhdimësi e thirrnin.

“Jo se kemi zgjedhë ne për të bërë kërkesën për largim të këtij prokurori, por puna e tij na ka detyruar që të bëjmë një kërkesë të tillë. Qe katër vjet duke e pritë as katër fjalë s’i kemi prej tij se si po shkon procesi”.

“Kemi shkuar për të biseduar me të dhe s’na ka thënë asnjë sqarim, nuk na thërret kurrë dhe nuk bisedon kurrë. Ne nuk jemi armiq, jemi njerëz që kërkojmë të zgjidhim rastin që na ka ndodhë” tha ajo.

Kërkesën e familjarëve e bëri të ditur edhe avokati i tyre, Tomë Gashi, i cili tha se ekspertiza shtesë nga Zvcira konfirmoi ekspertizën e vitit 2019 – në të cilën është eliminuar teoria e vetëvrasjes për Astrit Deharin.

“Kërkesë për përjashtimin e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefiku, i cili është prokuror në hetimin e vrasjes së djalit të tyre, Astrit Dehari. Kjo konferencë ka qenë e nxitur prej mos veprimit apo veprimit të pamenduar mirë të Prokurorisë Speciale kur edhe vetë kanë publikuar dy raste si pjesë e ekspertizës shtesë të ardhur nga Zvicrra në prill të këtij viti”.

“Ekspertiza shtesë faktikisht kanë menduar ta paraqesin krejtësisht ndryshe, por dihet se ekspertiza shtesë vetëm ka konfirmuar eksperzitën e vitit 2019 me të cilën është vërtetuar se është eliminuar teoria e vetëvrasjes së Astrit Deharit dhe është konstatuar pjesëmarrja e personave të tretë në vrasjen e tij”, tha Gashi. /klankosova