Felix Kubin me artin e tingullit elektrizon Prishtinën

Felix Kubin me artin e tingullit elektrizon Prishtinën

Teksa “Manifesta 14” numëronte së prapthi për ceremoninë e hapjes zyrtare, “Manifesta 13” e Marsejës, ku u mbajt vjet, ka ardhur në Prishtinë si intro e Bienales Nomade Evropiane që tashmë e ka pushtuar kryeqytetin. Këtë e ka bërë me koncertin e muzikantit e kompozitorit gjerman Felix Kubin, i njohur për stilin unik. Vizitorë vendorë e të huaj, që kanë ardhur në Kosovë kryesisht për ngjarjen madhore të artit bashkëkohor, janë bërë një me vibe-in e artistit gjerman që performancën e tij s’e bazon vetëm në tinguj.

Rendet e ulëseve kanë qenë formale. I gjithë publiku është ngritur më këmbë në lojën e tij në muzikë elektronike. Nënzhanret në artin e Kubinit kapërthejnë minimal wave, klasikë kontemporane, por, mbi të gjitha, ai është artist i tingullit.

Lokacioni ka qenë “Kino Armata”, hapësira e së cilës për artistin është magnet për artistë. Jo pak veta kanë pritur para dyerve të “Armatës”, ani pse Kubin ende s’e kishte prekur butonin “play”. Fiks në orën 21:00 audienca filloi të futej brenda dhe për 30 minuta është shoqëruar me muzikë elektronike e me animacionet që janë shfaqur në sfondin e skenës nëpërmjet projektorit. Me duartrokitje e brohoritje është pritur në skenë artisti, i cili nuk heziton ta reflektojë dashurinë që në takimin e parë me publikun.

“Përshëndetje! Këtë kostum e kam veshur vetëm për paraqitjen para juve, jo për t’u mbrojtur nga vapa”, ka thënë Kubin me shaka si interaktivitet i parë në hapësirën që për “rekuizitë” ka pasur vapën e zagushinë.

E ka nisur koncertin me një rrëfim muzikor e vizual për planetët e vitit 2013, e publikun që në fillim e elektrizon për ta bërë të hidhet në vallëzim.

Për një moment, në një pauzë të shkurtër ka thirrur: “A ka bullgarë këtu?”. Përgjigjja që mori qe pozitive. Thuajse audienca ka qenë nga pak nga të gjithë shtetasit evropianë. Artisti Kubin në miksetë, sint e vokal ia shton performancës edhe vallëzimin e tij.

Midis muzikës së Kubinit dhe publikut janë shkrirë kufijtë

Kjo ka qenë hera e parë që ka performuar në Prishtinë. Për të energjia dhe atmosfera e krijuar kanë qenë të mrekullueshme, derisa është shprehur se në përgjithësi i pëlqen të performojë në këtë pjesë të Kontinentit të Vjetër. Është shprehur se energjinë më të madhe e gjen në këto anë, por koncertin e së enjtes e ka vlerësuar si energjinë më ekstreme deri tash. Për të luajtur këtë lloj muzike është frymëzuar nga vitet ‘70 dhe ‘80. Në vitet ’80 të shekullit të kaluar Kubin e nisi karrierën e tij.

“Pa dyshim që jam duke ndryshuar dhe përmirësuar gjërat dhe gjithashtu më pëlqen ndonjëherë të befasoj veten duke ndryshuar momentet, ta bësh këtë duke bërë gjëra që nuk ishte e kishte në plan. Shumë nga këngët e mia janë shumë të shpejta. Mendoj se për muzikën time jam ndikuar fillimisht me muzikën punk dhe me atë muzikën e kohës së fundit. Gjithçka është më shumë nga kjo epokë dhe sigurisht që kam kaluar gjithë kohën e viteve ‘90 dhe 2000 me ndryshimet e muzikës”, ka thënë kompozitori dhe artisti gjerman.

Ambienti i “Kino Armatës” ka ngjarë si goxha formal për një koncert me muzikë elektronike, ngase publiku supozohej të ulej. Numri i të pranishmëve ka qenë më i madh se vetë kapacitetet e hapësirës. Publiku ka filluar të vallëzojë edhe në vend. Kjo ka qenë zgjidhja. Ata që kanë hyrë të fundit në sallë mbase kanë qenë më me fat përballë tundimit për vallëzim.

Imazhet e animacionet në sfond janë po ashtu vepra të Kubinit. Shkathtësitë e tij janë edhe në kërcim e performancë. Në një moment ka luajtur me duart e tij në piano, pa piano. Me interpretimin imagjinar e di saktësisht secilin tingull dhe përshtatet aq mirë me instrumentalin që luhet. Tok me publikun ka ngritur edhe dolli me raki.

Ka thënë se nuk ka planifikuar për një tjetër koncert në Prishtinë, por që do të donte të kthehej, pikërisht në “Kino Armata”, të cilën e ka vlerësuar “si dhuratë prej Zotit”.

“Tani nuk do të kem në plan për të mbajtur një koncert këtu, por ndoshta do të bisedoj me djemtë që mbajnë këtë kinema fantastike. Ky vend është dhuratë prej Zotit dhe fat për ta pasur ngase në ditët e sotme, sidomos në Evropën Lindore është shumë vështirë ta gjesh për të mbajtur një koncert të tillë. Dizajni i enterierit është shumë i bukur dhe të tilla janë shumë më të rëndësishme sesa të kesh artistë të mëdhenj”, ka thënë artisti, i cili është shprehur se kur një qytet ka hapësira të tilla sikurse kinemaja, artistët do të vinë automatikisht. Larg ndjesisë që ia ka dhënë Kubinit, Prishtina e Kosova në përgjithësi janë në hall me mungesë hapësirash.

Kubin kryesisht ka kënduar në gjuhën gjermane derisa koncertin kishte planifikuar ta mbyllte shumë më herët, por entuziazmi i publikut e shtyu në interpretimin e tri këngëve të tjera. Është shprehur se do të donte të vinte prapë në kryeqytetin kosovar për të sjellë projekte më të mëdha duke përfshirë punëtori e bashkëpunime. Si shembull e ka marrë një festival në Hamburg në të cilin ka marrë pjesë e ku, siç ka thënë, janë munduar të befasojnë publikun me performanca të pazakonta. Idetë e njëjta thotë se do të donin t’i sillnin edhe në Kosovë. Në Prishtinë është shprehur se ka gjetur sharmin e madh të qytetit për rimëkëmbjen pas shkatërrimit në luftë. Mbresa i kanë lënë ndërtimet e vjetra, e ka konsideruar si hapësirë në të cilën ndihet më i lirë.

“Shumë nga ndërtesat janë të reja, por shumë nga to janë të vjetra dhe mund të shoh idealizmin e arkitekturës së viteve ‘90, ‘60, ’50, 70’. Tani ka kaluar një kohë dhe mund të shohësh rrjepje të fasadave dhe ngjyrat që janë prishur dhe nuk është aq e pastër. Është më shumë emocionuese për mua. Nuk më pëlqejnë gjithë këto qendrat e reja tregtare dhe vendet e reja në të cilat ndihesh jo i denjë, ndërsa këtu ndihem më i lirë. Kjo është ajo që më pëlqen këtu”, ka thënë ai.

Image
“Përshëndetje! Këtë kostum e kam veshur vetëm për paraqitjen para juve, jo për t’u mbrojtur nga vapa”, ka thënë Kubin në komunikimin e parë me publikun

Koncerti i Felix Kubin është kuruar nga Sezgin Boynik, Alush Gashi dhe Vigan Nimani për “Manifesta 14 Prishtina” dhe është në kuadër të programit “Kino Armata Four ways from SundoWn”, mbështetur nga “Manifesta 13 Marseille”.

Mathilde Rubinstein, koordinatorja e përgjithshme e edicionit të kaluar të bienales nomade të mbajtur në qytetin francez, i është adresuar publikut me një fjalim të shkurtër.

“’Manifesta’ e mbështet demokracinë dhe skenën e artit duke dhënë mundësi për të ndarë gjithë metodat e reja të artit. Në Francë ia kemi dalë të mirëpresim 120 mijë vizitorë vendorë, rajonalë e ndërkombëtarë”, ka thënë ajo.

Gjermani Felix Kubin e ka mbyllur koncertin me performancën në të cilën i ka kërkuar audiencës të mbyllë sytë. Me thikë në dorë e me maskë për mbrojtjen nga virusi është shfaqur para publikut ku vetëm sytë dhe gojën i ka pasur të zbuluara. Performanca ka qenë si “vrasje” e COVID-19, e në fund të saj kanë pasuar duartrokitjet e brohoritjet e gjata.

Krejt në fund, pasi ka përfunduar koncertin, Felix Kubin nuk ka hezituar të ndihmojë adhuruesit e muzikës elektronike në përdorim të instrumentit.

Felix Kubin është kompozitor, interpretues, artist mediatik dhe kurator gjerman. Muzikën elektronike ka filluar ta kompozojë që nga mosha 12-vjeçe. Aktivitetet e tij shtrihen në pop-futurist, muzikë elektroakustike dhe orkestër dhomash, art radiofonik. Në vitin 1998 ai themeloi labelin e tij “Gagarin Records”. Gjatë dy dekadave të fundit ka publikuar albume të shumta të formateve të ndryshme konceptuale dhe ka luajtur në qindra festivale ndërkombëtare të muzikës bashkëkohore.