Festivali “MIK” akordohet për edicionin e radhës

Festivali “MIK” akordohet për edicionin e radhës

Festivali “MIK”, i cili njihet për gjallërinë që i sjell Korçës ka bërë të ditur datat e edicionit të sivjetmë. Në këtë kohë kur pandemia po shtyn dhe po ndikon që shumë festivale të anulohen, nëse gjithçka shkon mirë, “MIK” do të mbahet prej 24 deri më 28 korrik. Përgjatë ditëve të festivalit pritet që të bëhen bashkë artistë të shumtë që do të shpalosin një program të pasur që nga muzika klasike e deri të ajo bashkëkohore.

Festivali “Muzika Internacionale në Korçë” (MIK) veçohet për aktivitetet gjithëpërfshirëse për të promovuar kulturën. Koncepti i tij është ndërthurja e formave të ndryshme të shprehjes së artit dhe vendosja e tyre në funksion të hapësirës dhe kohës.

Festivali “MIK” lindi si ide e inkurajuar nga Inva Mula me miqtë e saj në Korçë, një mbrëmje poezie dhe serenatash, në Pazarin e Vjetër, të frymëzuar nga sharmi dhe historia e qytetit, me qëllim të përfshirjes së tij në hartën e destinacioneve të evenimenteve kulturore të rajon

Sopranoja Inva Mula ka bërë të ditur datat e këtij edicioni përmes një video-mesazhi ku ka thënë se është e lumtur që është pjesë e këtij organizimi duke shtuar se arti i vërtetë qëndron pikërisht në ato kalldrëmet e Korçës. Qëllim i këtij festivali mbetet promovimi i kulturës dhe historisë shqiptare.

“Qyteti i Korçës është një qytet, i cili ka dimensionin artistik, audiencën, arkitekturën dhe historinë për të mbajtur peshën e një festivali kaq ambicioz”, është shkruar në ueb-faqen e Festivalit.

Festivali “Muzika Internacionale në Korçë” (MIK) do të bëjë së bashku artistët lirikë të rinj e të afirmuar të skenës për t’i dhuruar publikut një emocion të rrallë e të papërshkrueshëm.
Emra të mëdhenj të muzikës lirike që do të performojnë në qytetin e Korçës për gjatë këtyre ditëve do të bëhen të ditur së shpejti.

“Janë pikërisht ata artistë që kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë në botë dhe tani do të jenë në Korçë, për t’i dhuruar kënaqësinë dhe emocionet e artit të tyre publikut shqiptar dhe atij të rajonit”, thuhet në njoftim të festivalit.

Edicioni i parë u mbajt në korrik të 2018-s. Nata e parë e këtij edicioni iu kushtua këngëtares korçare Tefta Tashko-Koço për nder të 100-vjetorit të saj të lindjes. E nata e parë e edicionit të dytë iu dedikua motrave Zengo, piktoreve të para shqiptare me origjinë nga Dardha. E vitin e kaluar Festivali nuk u mbajt, por u në mënyrë simbolike me një koncert me pjesëmarrje të vogël në ishullin e Maligradit në Prespë. Zhvendosja e festivalit në Prespë, e njohu publikun e tij me “Ishullin e Maligradit”.

“Ishte koncerti i parë historik, nuk mbaj mend të jetë zhvilluar një koncert i muzikës baroke dhe një skenë që kalon dhe imagjinatën më të bukur të përrallave të fëmijëve. Ky realitet është në vendin tonë, është në Prespë. Kur është mistik nga jashtë, futesh në një romantizëm brenda. Këtu duhet të vish të paktën një herë në jetën tënde”, pati thënë atëherë sopranoja Inva Mula. Ky koncert pati sjellë muzike të zgjedhur nga vendet ku lindi muzika baroke, ndërsa të pranishmit shijuan edhe gatimet tradicionale. Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte zhvillimi i turizmit dhe promovimi e njohja e zonës së Prespës.