FIFA dënon Kukësin - Gazeta Online INSAJDERI

FIFA dënon Kukësin – Gazeta Online INSAJDERI

FIFA i ka bllokuar Kukësit mundësinë e blerjes së lojtarëve për tri sezone për shkak të borxhit të papaguar ndaj futbollistit Filip Zderiç, i cili ishte pjesë e Kukësit në pjesën e dytë të sezonit 2017-2018, shkruajnë mediat në Shqipëri.

Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve e urdhëron nëpërmjet një vendimi zyrtar Kukësin që të paguajë në total rreth 52 mijë euro (8 mijë euro rroga dhe dëmshpërblim rreth 44 mijë euro). Në rast kundërt, Kukësit do t’i bllokohet e drejta për të transferuar futbollistë për tri hapësira të merkatos të ardhshme nëse nuk e shlyen totalisht mbrojtësin ballkanas.

Zderiç luajti 16 ndeshje në kampionatin shqiptar dhe shënoi në debutim ndaj Vllaznisë në 26 janar 2018.

Klubi ka konfirmuar lajmin përmes një statusi në Facebook, ku njofton se e ka apeluar vendimin në CAS.

Sipas tyre nuk ka asnjë shkelje pasi futbollisti në fjalë ka refuzuar të grumbullohet me ekipin. Për këtë arsye është marrë vendimi që ai të stërvitet me ekipin B si dënim. Por Zderiç nuk e ka marrë  parasysh këtë dhe është larguar nga Shqipëria duke hedhur ekipin në gjyq./Insajderi.com