Filmat e shkurtër shqiptarë me histori mbijetese sot dhe dikur

Filmat e shkurtër shqiptarë me histori mbijetese sot dhe dikur

Plateja e “Doku Kinos” dhe “Cinemarine” kanë qenë në shërbim të shfaqjes së filmave të kategorisë “National”. Esenca e filmave ka të bëjë me mbijetesën ndaj paragjykimeve, rreziqeve, burgut, mërzisë, ikjes nga shtëpia e shpifjeve.

Në platenë e “Doku Kinos” e në “CineMarine” në Prizren janë shfaqur filmat e shkurtër dokumentarë që garojnë në kategorinë “National” në festivalin “DokuFest”. Hapësirat e hapura të Festivalit kryesisht shfrytëzohen në mbrëmje, e aty janë shfaqur filmat nga Kosova e Shqipëria. Plateja e “Doku Kinos” ka mbledhur publikun për të parë filmat, e përveç tyre edhe për t’u takuar me regjisorët.

Rrethanat bëjnë që pos shikimit të filmave, bashkëbisedimet të zbërthejnë edhe më atë që është vizualizuar në ekran. Publiku ka mbushur karriget e drejtuara nga ekrani i madh i “DokuFestit” në shfaqjen e filmave shqip.

Burgu i vdekjes – kërkimi pa shpresë

Filmi “Planting of Trees” me regji të Fabio Seferit është historia e një nëne që kërkon djalin e saj të burgosur. I riu, Lindi, arrestohet me akuzën e agjitacionit e propagandës. Shfaqen edhe personat e tjerë që në kohën e diktaturës në Shqipëri dënoheshin pasi tentonin të largoheshin nga vendi. Ngjarja zhvillohet në vitin 1983. Lindi nuk kishte ngrënë bukë me ditë, ishte rrahur e keqtrajtuar, dhe si pasojë e gjithë kësaj kishte vdekur.

Ndërkohë nëna e tij kalon ditët në derën e burgut e nuk lejohet të hyjë në burg e as nuk i tregojnë se djali i saj nuk jeton më. Një ditë shkatërrohet përbrenda kur pret ta takojë të gjallë dhe merr lajmin se ka vdekur. Kërkon të paktën të dijë për varrin e tij, por as vetë ata nuk e dinë se ku është varrosur. Ajo gropos ditë e natë në një zonë dhe gruaja e gjorë shfrytëzohet për interesin e tyre – krijimin e gropave që më pas ata do të mbjellin pemë – pasi kanë marrë vërejtje se nuk e mirëmbajnë zonën rreth burgut.

Regjisori i filmi është shprehur i kënaqur me paraqitjen e aktorëve dhe ka treguar se kanë qenë më shumë ndihmues sesa kanë sugjeruar diçka. “Filmi tregon sesi dënoheshin njerëzit. Ai të kthen në kohën e viteve ‘80. Kam shkuar për të parë edhe disa burgje të tjera, por me aq informacion sa kam mbledhur kemi parë se ia ka vlejtur ky”, ka thënë regjisori shqiptar Fabio Seferi.

“Planting of Trees” është xhiruar për katër ditë, në kohë pandemie, kur xhirimet duhej të mbylleshin në orën 20:00, për shkak të masave kufizuese ndaj COVID-19.

Vrasja e varrmihësit

Filmi “Discofuneral” shpalos historinë e Xhimit, i cili është jetim dhe jeton vetëm në një shtëpi me qira në periferi të Tiranës. Prej disa vjetësh jeton në varreza si varrmihës. Në atë vend ishte ndërtuar mbi varreza një shkollë fillore, si pasojë e sistemit të korruptuar. Në këtë shkollë Xhimi kishte njohur mësuese Eglën dhe ishte dashuruar në shikim të parë.

Pasion i tij është vallëzimi, kryesisht me muzikë diskotekash. Duket sikur kjo e mban gjallë dhe i jep motiv për të vazhduar. Rutina e jetës së qetë të tij përfundon kur shefi i tij e urdhëron ta prishë një varr të vjetër, për t’ia hapur vendin një blerësi të varrit. Ai është tip shumë qesharak. Madje vallëzon edhe në varreza, e audienca e tij janë të vdekurit.

Varri i dikujt ka humbur për tre vjet. Angazhimi i Xhimit për të zhvarrosur dikë dhe për t’ia liruar vendin dikujt tjetër e vë në telashe të mëdha. Mondi, që pretendon gjetjen e vjedhësit të varrit të bashkëshortes së tij, e vret Xhimin në mes të varrezave.

Regjisori i filmit, Zakhar Marmosetty, nuk ka qenë në shfaqjen e filmit.

Autizmi si problem i patrajtuar

Filmi “The Black Pelicans” me regji të Luli Bitrit paraqet një shtatzëni të papritur e cila shkakton tensione në një familje shqiptare. Meqë ata i frikësohen ardhjes edhe të një fëmije me autizëm. Përkundër se gruas i rrezikohet jeta nëse aborton edhe një herë, torturat nga burri e saj e çojnë në abortimin e foshnjës. Ajo e torturon veten duke kapur orenditë e rënda në shtëpinë e saj. Vajzës së tyre me autizëm i rëndohet gjendja çdoherë që ata grinden e kalojnë edhe në përleshje fizike.

Lilina, vajza me autizëm, bashkë me motrën e saj dalin të luajnë në fushat me grurë. Aty e gjen lumturinë e lirinë jashtë shtëpisë, derisa pasion e ka fotografinë. Bashkë me motrën e saj, Matildën, shtrihen në tokë pa kuptuar se jeta e tyre ishte në rrezik. Drejt tyre vjen një kombajnë që korr grurin. Ajo nuk ndalet së fotografuari, deri në momentet e fundit të jetës. Nga fotografitë e kombajnës është edhe ajo që është shkrepur disa sekonda pasi ka shtypur tastin e fotoaparatit të saj. Me fotografitë e fundit të shkrepura, e me mbishkrimin “To all the children in need” përfundon filmi “The Black Pelicans”.

Regjisori Luli Bitri ka thënë se të qenit aktor i ka ndihmuar shumë të kuptojë edhe rolin e regjisorit.

“Ka qenë një film jo i thjeshtë. Është bërë në një kohë tej mase të shkurtër, në kohë pandemie. Fakti që kisha dy aktorë profesionistë ishte ndihmë e madhe”, ka thënë ai.

Në film luajnë edhe aktorja Beslidhje Bytyqi në rolin e nënës, Agron Shala në rolin e babait, e Aria Cakoni në rolin e Lilinës. Bytyqi është shprehur e kënaqur me projektin. “Për mua ka qenë kënaqësi pasi nuk është hera e parë, por kësaj here ka qenë e veçantë”, ka thënë ajo. Ndërsa për aktorin Shala, përvojat me regjisorin kanë qenë shumë të mira. “Ka qenë kënaqësi të punoj me Lulin. Unë e pashë filmin për herë të parë, është premierë edhe për mua. Është bashkëpunim shumë i mirë”, ka thënë ai.

Midis paranojave dhe traumave

Skenat e filmit “Ka me kalu” zhvillohen në Belgjikë. Regjisorja nga Shqipëria është edhe aktore e filmit, në rolin e Stelës, vajzës së Marisë (Ilire Vinca).

Stela nga Shqipëria kthehet në shtëpi për të marrë pjesë në varrimin e gjyshes së saj. Rishfaqjet e traumave nga e kaluara pushtojnë jetën e saj. Vajza Stela kupton se nënën e saj, Marinë, e mundon më shumë frika sesa mërzia. Sjelljet e saj janë absurde dhe paranojake. Pavarësisht kësaj, Stela e mbështet nënën e saj me të gjitha format.

Maria dyshon në çdo njeri përreth saj. Konsideron se vdekja e saj nuk ka qenë nga pleqëria e saj, por nga helmimi që sipas saj i është bërë nga dikush i rrethit të saj në spitalin ku po qëndronte. “Ka me kalu” është mbështetje për nënën, si ngushëllim i Stelës, që as vetë ajo nuk e di nëse do të kalojë dhimbja.

Regjisorja Flonja Kodheli ka thënë se filmi ka të bëjë me akumulim eksperiencash që i kemi pasur apo i kemi të gjithë. Synim i saj ka qenë paraqitja e traumave që nuk shihen, por që klithim kur jemi të dobët. “Vdekja e nënës ka krijuar shok emocional nga edhe vijnë momente të çuditshme që janë pasojë e gjendjes emocionale. Ideja për titullin ishte, sepse është një moment në film ku vajza e rrethon nënën me dashuri, plot empati e një lloj naiviteti dhe e siguron se do të kalojë”, ka thënë Kodheli për KOHËN.

Dashuria për “nusen e blerë”

Filmi “Romeo and Juliet” është historia e dashurisë së Mozës me Bogën që erdhi si pasojë e “blerjes së nuses”. Moza bëhet nuse në një fshat të Maqedonisë së Veriut, ku gruaja shqiptare martohet me një maqedonas dhe martesa e tyre përfundon me dashuri të vërtetë.

Kishte qenë një i afërm që i kishte sjellë Bogës tri motra për t’i parë dhe ai kishte përzgjedhur Mozën. Kësaj të fundit i kishte thënë se kishte kushte shumë të mira jete dhe i kishte dalë krejt e kundërta kur kishte shkuar në shtëpinë e tij. Preni, që ishte ndërmjetësuesi i martesës së tyre, ia kishte kërkuar 500 euro dhëndrit për “punën e kryer”. I njëjti kishte martuar në të njëjtën mënyrë 50 burra maqedonas me gra shqiptare në këtë fshat.

Moza rrëfen për vështirësitë dhe keqkuptimet e lezetshme që kanë pasur derisa ajo ka mësuar gjuhën. Kujtimet e tyre janë shumë qesharake, kanë reflektuar edhe tek publiku i cili shpeshherë ka shpërthyer në të qeshura. Por fshati ku jeton ajo tashmë ka përparuar. Gratë punojnë dhe fëmijët shkollohen. Përveç djalit të saj, i cili është me nevoja të veçanta. Ai është shtatë vjeç dhe nuk shkon në shkollë si gjithë moshatarët e tij. Ajo përmes filmit kërkon ndihmë nga shteti për të.

Regjisori Berat Asani është shprehur i lumtur me shfaqjen e filmit në platenë e “Doku Kinos”. “Tema e filmit ka qenë martesat. Kemi hulumtuar disa raste dhe kemi hasur në dashurinë e dy personazheve. Kemi gjetur edhe çifte të tjera, por jemi ndalur tek ata”, ka thënë ai derisa ka treguar se fshati ku kanë qenë quhet Kosovë.

Koncepti për shtëpinë si garanci

Filmi “Shpija” i regjisores Flaka Kokolli është shprehje psikologjike nëpërmjet animacionit, e konceptit të shtëpisë si identifikim i rahatisë dhe gjendjeve emocionale që në kohë të ndryshme kanë pasur kuptim të ndryshëm. Ai shfaq sa e vështirë mund të jetë të largohesh nga shtëpia, por ta kesh atë si objekt që të ndjekë kudo dëshmon se është edhe më e vështirë.

Ai është film i animuar e vetë regjisorja njihet për filmat e këtij lloji. Vajza në film kthehet dhe e qorton shtëpinë që e ndjek nga pas. Pastaj ajo futet brenda saj dhe krijohet si miniaturë të cilën e bart kudo me vete.

Regjisorja është shprehur se për të shtëpia është gjithçka. “Për mua, në momente të ndryshme më duket që shtëpia është garanti. Është gjithçka për mua, shtet e familje. Është edhe si storie personale e imja”, ka thënë Flaka Kokolli.

Njeriu që ndryshoi kahun e jetës së tij

Historia e Fahri Krasniqit nga fshati Grashticë i Prishtinës shpaloset nëpërmjet filmit “Sparks of Light” me regji të Burim Halitit. Krasniqi ka dorën e majtë jashtë funksionit dhe një këmbë me pasoja nga aksidenti në korrik të vitit 1988. Jeta i kishte ndryshuar që atëherë dhe shpresat për shërim i ishin shuar. Synimet e tij kanë qenë të jetë një me bashkëmoshatarët e tij. Por ai nuk u pranua në shkollë dhe filloi të mësojë në shtëpi. Gdhendjet e tij në dru janë vepra arti.

Fahri Krasniqi tregon se ka marrë pjesë në panaire e në sheshe ka shitur punimet e tij prej druri. Me të ardhurat nga to kujdeset për dy fëmijët e tij. Nuk ishte ndalur as kur kishte filluar të voziste në vitin 2004, ndërsa pasion ka të luaj në çifteli. Për shkak se nuk mund ta përdorë njërën dorë, e ka zëvendësuar atë me një motor që përçon lëvizjet në telat e çiftelisë përmes një motori që prekjet me dorë të instrumentit i zëvendëson me shkeljet me këmbë të motorit.

Përpjekjet e tij për t’iu përshtatur jetës që i mori kah tjetër janë të jashtëzakonshme. Vetë jetën e tij e cilëson si skenar filmi. “Skenar është vetë jeta ime, nuk kemi mundur ta ndryshojmë. Filmi është për gjithë personat me nevoja të kufizuara që jeta i sprovon. Ata s’duhet të ndalen, duhet të vazhdojnë”, ka thënë protagonist i filmit.

Regjisori Burim Haliti ka treguar se me Fahriun është takuar në Festivalin për personat me nevoja të veçanta dhe se kishte parë se është si temë për ta realizuar një projekt të tillë. Para publikut ka thënë se Fahriu i kishte treguar shumë për jetën e tij. “Përmbledhja në 15 minuta ka qenë shumë e vështirë. Nuk kemi dashur të tjerët të flasin për Fahriun, por vetëm për rrëfimin e personazhit”, ka thënë Haliti.