Filmi dokumentar për emigracionin shqiptar në Australi, pjesë e Festivalit në Melburn

Filmi dokumentar për emigracionin shqiptar në Australi, pjesë e Festivalit në Melburn

“Australia My Home: An Albanian Migration” është dokumentari i fundit i regjisorit, aktorit dhe skenaristit, Dritan Arbana. Së fundi është bërë e ditur se ky dokumentar është shfaqur edhe në Festivalit e Filmit Dokumentar në Melburn të Australisë.

Me regji të Dritan Arbanës dhe producent Regi Qemalin, dokumentari “Australia my home…”paraqet rrugën e imigrantëve shqiptarë drejt Australisë, ambientimin dhe jetën në shtetin e ri si dhe lidhjen me vendin amë.

“Ky film përshkruan historitë e tre brezave të emigrantëve shqiptarë në Australi, sakrificat dhe kontributin e tyre ndaj këtij vendi, si dhe forcën e identitetit kulturor përballë mallit dhe ndarjes. Tregimet e tyre ilustrojnë përvojat e të gjithë atyre që braktisën familjet dhe atdheun e tyre për të ndërtuar një shtëpi të re, në një cep të largët të tokës”, thuhet në përshkrimin informues të dokumentarit që u dha në Festival më 22 korrik.

Realizimin e një dokumentari të tillë, i cili do të shpaloste historinë e shqiptarëve të mërguar në Australi, vështirësitë me të cilat ishin përballur, arritjet dhe atë çfarë janë sot, regjisori Arbana kishte tentuar ta bënte qysh para 10 vjetësh por që, siç u shpreh ai, për shkak të problemeve financiare dhe pamundësisë për të gjetur protagonistë, nuk ia kishte dalë ta realizonte.

Por dëshira për të xhiruar një dokumentar të tillë Dritan Arbanës iu realizua në vitin 2017, ku ai kuptoi se një dëshirë të tillë e kishte edhe Reg Qemali, i cili është edhe producenti i këtij dokumentari.

“Reg Qemal është miku im i ngushtë që prej 20 vjetësh, por gjatë një vizite që bëri në Shqipëri, më 2017, unë e mësova se edhe ai, gjatë gjithë jetës së tij, kishte dashur ta bënte një dokumentar të tillë”, ka shpjeguar Arbana, duke shtuar se “prej atij momenti gjërat rrodhën relativisht shpejt”.

Ka treguar po ashtu se Qemali më 2018 ia kishte dërguar një sërë materialesh, përfshirë foto dhe artikuj që flisnin për emigrantët e hershëm shqiptarë në Australi, materiale të cilat Arbanës do t’i shërbenin si bazë dhe frymëzim për shkrimin e skenarit dhe hartimin e një projekti të detajuar.

“Gjithsesi dua të theksoj që në të njëjtën kohë isha edhe hezitues për të ndërmarrë një projekt të tillë për faktin se e dija që artistikisht do të ishte e vështirë për të arritur atë që doja. Arsyeja për këtë është fakti që një filmi të tillë do t’i mungonte trajektorja që ne jemi mësuar të shohim, zakonisht në një film ku ka konflikt dhe një pikë kulminante”, ka shpjeguar ai.

“Australia my home…” tregon historitë e Riddy Ahmetit, Remzi Mullas, Majlinda Lulo, Avni Sali, Elita Ymer, Zinet Hasankolli e shumë të tjerëve. Xhirimet e tij kishin nisur më 2019 në Australi. Ato përfshijnë një hapësirë mjaft të gjerë të këtij kontinenti, ndërsa për t’i gjetur disa nga protagonistët e filmit dhe për t’i marrë disa nga pamjet që shihen në film, ata kishin udhëtuar edhe në vende, në të cilat edhe australianët rrallë shkojnë.

“Në mars 2019, unë udhëtova në Australi ku filluam edhe xhirimet që zgjatën rreth një muaj. Një element i rëndësishëm i këtij dokumentari është ndërthurja mes historive të protagonistëve dhe vendit ku ata jetojnë, që është një kontinent i madh dhe kryesisht i pabanuar. Ne udhëtuam përmes kontinentit Australian në vende që edhe vetë australianet rrallë kanë rastin t’i shkelin, dhe peizazhet që shoqërojnë historitë e treguara në film janë vërtetë magjike”, ka thënë Arbana.

Ndërsa xhirimet të cilat janë marrë në Shqipëri u realizuan prej gjysmës deri në fund të 2019-s. Disa nga to u realizuan më vonë, pak para përfundimit të dokumentarit, më 2021.

Megjithatë, edhe pse filmi ishte menduar të bënte premierën në Multicultural International Film Festival në Perth të Australisë, në gusht 2021, për shkak të masave strikte që shteti i Australisë kishte vendosur për shkak të pandemisë me COVID, kjo premierë të anulohej.

Premiera e parë e filmit, ndonëse ende pa përfunduar plotësisht, u dha në Shqipëri,

“Filmi u shfaq më pas te ‘Tirana International Film Festival’ në shtator 2021. Në fakt ai ka qenë i pambaruar deri në fund të dhjetorit 2021 dhe në njëfarë mënyre m’u bë qejfi që filmi u shfaq aty në mëngjes në një orar të papërshtatshëm për shumë njerëz, sepse nuk doja që publiku ta shikonte filmin në atë formë”, ka bërë të ditur Arbana.

Në janar të 2022-s filmi u shfaq edhe në festivalet “Impact Docs” dhe “Docs Without Borders në ShBA. Amerikë.

Por, ky dokumentar i cili deri më tani është shpërblyer me dy çmime: “Award Of Merit” në “Impact Docs”, si dhe “Exceptional Merit, në “Docs Without Borders”, garon edhe në Festivalin e Filmit Dokumentar në Merburn në Australi. Në këtë festival i cili ka nisur të shfaqë filma që nga 21 korriku e që do të vazhdojë deri më 31 të po këtij muaji, do të jepen mbi 50 filma konkurrentë.

Festivali i Filmit Dokumentar në Melburn nisi rrugëtimin në vitin 2016. Ideja e organizatorëve ishte që dokumentarin i cili u konsiderua shumë i çuditshëm, elitar, pretendues ta bënin një zhanër modern, progresiv, të hapur për të gjithë, një zhanër më të gjerë dhe më popullor.

Festivali synon të bëjë dokumentarë, argëtues, interesantë dhe tërheqës, veçanërisht për të rinjtë duke luajtur muzikë, video lojëra, dokumentarë kulti të animuar, sportiv etj. Gjatë 4 vjetëve të fundit ky festival ka shfaqur premierë shumë dokumentarë.