Filmi “Vulë” me 11 çmime

Filmi “Vulë” me 11 çmime

Filmi artistik “Vulë” me skenar dhe regji të Valmir Tertinit së fundmi është shpërblyer me çmimin “Regjisori më i mirë ndërkombëtar” në “Karnavati International Film Festival”. Ky është bërë çmimi i 11-të për këtë film.

Filmi trajton fatin e një punonjëseje të papërgjegjshme në Ambasadën gjermane në Prishtinë. E varur nga alkooli, ajo bën një jetë të izoluar.

“Filmi është shpërblyer për skenar më të mirë, për regji më të mirë, filmi më i mirë dhe po ashtu për aktoren më të mirë. Vlen të përmendet që në edicionin e 14-të të “Ayodhya Film Festival” ka marrë dy çmime, një për regjinë më të mirë dhe për aktoren kryesore më të mirë. Po ashtu është shpërblyer edhe për skenarin më të mirë në Amerikë dhe ka pasur çmime të tjera edhe në Indi”, ka treguar Tertini.

Filmi, i cili shtjellon historinë e personazhit me emrin Viktoria tregon mosinteresimin e saj për postin i cili i është besuar dhe kështu lë dosjet e hapura pa i firmosur. Si një punonjëse e papërgjegjshme, ajo i dha një vizë njëvjeçare një djali nga Kosova vetëm për shkak se kishte pasur marrëdhënie seksuale me të. Ajo u shkarkua nga ambasada, dhe rastësisht, ata e shohin njëri-tjetrin në aeroport kur udhëtojnë për në Gjermani. Regjisori thotë se është përpjekur që filmin ta dërgojë në festivale që lidhen me temën e filmit. Teksa flet për rrugëtimin e filmit, ai tregon edhe për selektimet e tjera të tij.

“Filmi trajton një lloj plage të Ballkanit, sepse temën e liberalizimit të vizave nuk e njohin vendet e tjera. Deri tani “Vulë” ka edhe katër selektime, një në Francë, një në Çeki dhe dy selektime në Amerikë. Personalisht këto çmime me motivojnë në rrugëtimin tim në kinematografi”, ka theksuar Tertini.

Në filmin “Vulë” janë bërë bashkë aktorë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ndërsa është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.

“Vulë” deri më sot ka pasur premierë në Tiranë dhe Podgoricë.