“Fit for 55”, Plani i BE-së për energji të pastër -

“Fit for 55”, Plani i BE-së për energji të pastër –

Nga Visar Sylaj

Paketa ligjore e Komisionit Evropian “Fit for 55”, e miratuar më 14 korrik, pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor në politikat kombëtare të shteteve të BE-së në lidhje me emetimet e gazit në zonën e bllokut komunitar dhe në shtetet fqinje.

Kjo nismë ligjore vjen si rrjellojë e ndryshimeve klimatike dhe nevojës për të ruajtur biodiversitetin dhe për të përmirësuar gjendjen e rënduar nga lëndët djegëse dhe konsiderohet si arritja më e madhe pas Marrëveshjes së Parisit, të miratuar më 12 Dhjetor 2015 nga 196 shtete, që bazohet në parimin e reciprocitetit për parandalimin e ndryshimeve klimatike. Ndonëse pas miratimit të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, më 15 janar 2020, Bashkimi Evropian vendosi një reduktim drastik prej 40%, krahasuar me nivelet e vitit 1990, të emetimeve të gazrave serrë deri në vitin 2030, paketa e fundit shënon një objektiv akoma më ambicioz prej 55% për ta vendosur BE-në në rrugën e pavarësisë ndaj karbonit deri në vitin 2050. Kjo paketë përfshin edhe masa të tilla si uljen graduale të shitjes së automjeteve me benzinë dhe naftë me ndotje të lartë karboni brenda 20 vitesh, duke ndryshuar rrënjësisht industrinë automobilistike, dhe nxit përdorimin e automjeteve elektrike.

Paketa ligjore bazohet në politikat dhe legjislacionin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe përfshin 13 propozime; tetë prej tyre janë rishikime të ligjeve ekzistuese dhe pesë janë propozime të reja. Ndër temat kryesore të paketës janë klima, energjia, përdorimi i tokës, transporti dhe taksat për reduktimin e emetimeve të gazrave serrë. Ndryshimet e propozuara vendosin, gjithashtu, një rishikim të sistemit të tregtisë së energjive (EU ETS), që i detyron shtetet anëtare të shqyrtojnë marrëveshjet ekzistuese, të ulin kufirin e emetimeve në sektorët industrialë dhe të ulin gradualisht emetimet për aviacionin dhe transportin detar. Në të njëjtën kohë, paketa promovon rritjen e përdorimit të energjive të rinovueshme si një alternativë e qëndrueshme ekonomike, por edhe shoqërore e mjedisore. Një tjetër objektiv i BE-së është rritja e eficiencës së energjisë dhe vendosja e infrastrukturës së lëndëve djegëse të rinovueshme në të gjitha shtetet e bllokut, të tilla si hidrogjeni i pastër.

Kjo paketë historike vendos bazat për ekonominë e së nesërmes në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende fqinje, duke promovuar politikat e biodiversitetit, ekonomisë qarkulluese, zero ndotjes, ekonomisë së qëndrueshme dhe transportit elektrik, prodhimit të ushqimit të qëndrueshëm, përdorimit të hidrogjenit të pastër, si dhe energjive të rinovueshme.

Me anë të kësaj pakete ligjore Evropa synon të kthehet në kontinentin e parë në botë me zero ndikim ndaj ndryshimeve klimatike dhe vendos një objektiv të qartë, që të transformojë rrënjësisht ekonominë dhe shoqërinë e kontinentit Evropian në dekadat e ardhshme.