Flaka Xërxa dokumenton Bibliotekën Kombëtare

Flaka Xërxa dokumenton Bibliotekën Kombëtare

Arkitektja Flaka Xërxa, dhe bashkëpunim me CHWB-në, dokumentari ‘Kupolat’ sjell një analizë për vlerën arkitektonike të objektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga një këndvështrim tjetër.

Në një intervistë për Express të KTV-së, Xërxa tregoi se si i lindi ideja për t’u përfshirë në dokumentimin vizuel të objekteve me vlera arkitektonike në Kosovë.

“Ideja për të realizuar një seri të dokumentarëve për arkitekturën moderne ka lindur gjatë kohës time të doktoratës ku për fokus kam objektet të cilat janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe dhe për mua ka qenë e dhimbshme se fati i këtyre objekteve në fakt është i tillë që shumë prej tyre janë duke i humbur vlerat e tyre burimore, shumë prej tyre nuk janë të njohura nga opinioni i gjerë dhe çka është më e rëndësishme nuk janë të dokumentuara”, ka thënë ajo.

“Biblioteka Kombëtare cilësohet si një ndër objektet më të rëndësishme të arkitekturës moderne në Kosovë, së fundmi ka qenë e ekspozuar edhe në muzeun e artit modern në New York. Pra, përderisa opinioni i gjerë i di vlerat e saj, shumë prej nesh nuk jemi të vetëdijshëm për vlerat arkitektonike të këtij objekti”, ka thënë ajo.

“Karakteri kryesor në këtë dokumentar është zonja Fahrije e cila tërë jetën e saj ka punuar në bodrumin e këtij objekti meqenëse është depoiste dhe rrëfimi në dokumentar vjen përmes përjetimeve të saj”.

Personazhi i saj, zonja Fahrije, thotë Flaka, ka treguar se kur ka hyrë për herë të parë në këtë objekt, i është dukur si në ëndërr.

“Ka pasur shumë keqinterpretime lidhur me konceptin e këtij objekti por e vërteta është që koncepti i objektit është tërësisht i lidhur me karakteristikat tona lokale, të arkitekturës tonë, konkretisht është i bazuar në elemente të arkitekturës regjionale edhe mënyra se si është transmetuar në disa tabore jo profesioniste i ka bërë keq imazhit të këtij objekti”, ka thënë tutje ajo.

“Kam filluar pikërisht me Bibliotekën Kombëtare sepse kam dashur të tregojë çfarë objekte kemi pasur ne në vitet ’70 kur është punuar me standarde shumë të larta, konkretisht me konkurse arkitektonike, që është shumë e rëndësishme”, tha ajo.