Franca regjistron rritjen e parë të rasteve me COVID-19 në kujdesin intensiv që nga muaji prilli

Franca regjistron rritjen e parë të rasteve me COVID-19 në kujdesin intensiv që nga muaji prilli

Numri i pacientëve me COVID-19 që janë në kujdesin intensiv në spitale është rritur për herë të parë që nga fillimi i prillit në Francë, ndërsa zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar që qarkullimi i virusit mbetet “i qëndrueshëm”.

Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë (DGS) njoftoi të enjten se pati një rritje të pacientëve në 24 orët e fundit, pas rënies së vazhdueshme të numrave që nga 9 prilli.

Zyrtarët gjithashtu kanë raportuar një “rritje të theksuar të incidencës” së sëmundjes, me 54% më shumë raste të koronavirusit në krahasim me javën e kaluar.

Kjo rritje është vërejtur “veçanërisht në grupmoshën 20-30”, tha agjencia franceze e shëndetit publik Santé publique France (SpF).

Të Mërkurën, Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëroi të rinjtë se ata “nuk janë të pathyeshëm”, duke treguar prova në rritje që pacientët me koronavirus mund të kenë probleme shëndetësore afatgjata.

Dëshmitë sugjerojnë që rritja e rasteve në disa vende po drejtohet pjesërisht nga njerëz të rinj që neglozhojnë masat mbrojtëse gjatë sezonit veror,” tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Ne e kemi thënë më parë dhe do ta themi përsëri: të rinjtë nuk janë të pathyeshëm. Të rinjtë mund të infektohen; të rinjtë mund të vdesin; dhe të rinjtë mund ta transmetojnë virusin te të tjerët“, shtoi ai.

Rastet në rritje në Francë

Kishte më shumë se 1.000 raste të reja të regjistruara të enjten, dhe 16 vdekje të reja, me 5.375 njerëz të shtruar në spital, përfshirë 381 raste të rënda në kujdesin intensiv. Qarkullimi i virusit mbetet “i qëndrueshëm me një numër të rasteve ditore në rritje dhe tejkalim të 1.000”, tha DGS.

Zyrtarët paralajmëruan se rritja e rasteve nuk mund të shpjegohet vetëm me rritjen e testimit, me paralajmërimin e DGS që njerëzit duhet të vazhdojnë të vëzhgojnë masat për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Është e nevojshme “të zbatohen masa barriere kudo dhe në çdo kohë, të respektohet distanca fizike, të testohet shpejt nëse ekziston dyshimi më i vogël, të përdoret StopCovid dhe të respektohen masat e karantinës dhe izolimit”, thanë DGS. Të paktën 30,254 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 në Francë që nga fillimi i pandemisë.(EN)

E . S / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.