Frrok Kristaj, laureat i çmimit “Anton Çetta” për kontribut në trashëgimi shpirtërore

Frrok Kristaj, laureat i çmimit “Anton Çetta” për kontribut në trashëgimi shpirtërore

Prishtinë, 18 janar – Frrok Kristaj e takoi Anton Çettën diku në fund të viteve ‘60 të shekullit të kaluar. Të dy punuan krah njëri-tjetrit në mbledhjen e folklorit, por edhe për pajtimin e gjaqeve. U bënë miq shtëpie. E kur u ngjit në foltore për ta pranuar çmimin që mban emrin e pajtuesit të gjaqeve, Kristaj me shaka tha: “Besoj që ky çmim nuk më është dhënë që e kam pasur mik të familjes, por për kontribut tjetër”.

E arsyetimi i jurisë, i lexuar në ceremoninë e ndarjes së çmimit në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, qe goxha i gjatë. Kristaj u vlerësua për kontributin si promovues i denjë i vlerave të trashëgimisë kulturore e shpirtërore. U bë laureat i parë i çmimit të themeluar nga Qeveria e Kosovës në tetor të vitit 2020, në prag të “Muajit të Anton Çettës” e që u nda nga Ministria e Kulturës. Dhe si rrallëherë, për ta përcjellë ceremoninë ishin prezentë përfaqësues të shumtë institucionalë, përfshirë edhe vetë kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, i cili ia dorëzoi çmimin, e ministren e Financave në detyrë, Hykmete Bajrami.

Kristaj u nderua për veprimtarinë e tij në ruajtjen, mbledhjen e dokumentimin e trashëgimisë kulturore për më shumë se gjysmë shekulli. Veç të tjerash, ai ka kontribuar edhe në pajtimin e gjaqeve, në disa raste në krah me Anton Çettën. Çmimin për kontribut në trashëgiminë shpirtërore atij ia ndau juria në përbërje: Drita Halimi-Statovci, Arsim Canolli, Leonita Musa, Fazli Gajraku dhe Aziz Hoda.

Për Kristajn, vlerësimi me këtë çmim është nderim i madh. Kjo, sepse me të e ka një histori të veçantë, të cilën shkurtimisht e shpalosi fill pas ndarjes së çmimit.

“Jemi shoqëruar, herë pas here kemi ndenjur bashkë. Pastaj në vitin 1971 kur e themelova në Has klubin letrar ‘Shtjefën Gjeçovi’, erdhi profesori në Zym dhe na angazhoi të mbledhim folklor në terren, të takojmë plaka e pleq e të mbledhim materiale të ndryshme dhe na udhëzoi se si të punojmë”, ka kujtuar Kristaj, duke shtuar se asokohe u bë punë e madhe në mbledhjen e folklorit. Ato materiale u botuan në “Gjurmime albanologjike”.

Një rast që më së shumti ka lënë gjurmë në kujtesën e tij është i pari i pajtimit të gjaqeve pas vdekjes së Anton Çettës.

“Është bërë në ditën e varrimit të Antonit dhe atë e kam bërë unë”, ka thënë Kristaj, teksa shton se ndihet shumë krenar që për herë të parë po e merr një çmim që i bën nder emrit të Çettës.

Frrok Kristaj është autor i mbi 40 veprave dhe themelues i manifestimit letrar e kulturor të përvitshëm “Takimet e Gjeçovit”, i cili mbahet në Zym të Hasit në Prizren që prej vitit 1971 e deri më tash.

Arsim Canolli e lexoi arsyetimin e jurisë, duke thënë se laureati i çmimit “Anton Çetta” e ka një veprimtari të gjatë letrare, etnografike dhe publicistike.

“Ai njihet si një prej studiuesve, promovuesve dhe organizatorëve më të njohur të jetës e veprës së Atë Shtjefën Gjeçovit, rilindësit të Kosovës. Puna e Frrok Kristajt mishërohet edhe te organizimi dhe mbështetja e festivaleve dhe manifestimeve të tjera të studimit, te shpalosja e promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore dhe folklorit”, ka thënë Canolli.

Tutje ai ka shtuar se veprimtaria e Kristajt, në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore e shpirtërore të Kosovës është e bujshme dhe nis që nga vitet ‘60. Me iniciativën e tij janë organizuar festivale, janë themeluar muze, janë hapur ekspozita, janë ngritur lapidare, janë botuar vepra të shumta letrare e studimore.

“Po ashtu, Frrok Kristaj ka kontribuar edhe në pajtimin e gjaqeve, në disa raste në krah të pajtuesit të madh, profesorit Anton Çetta, në emër të të cilit po jepet ky çmim nderi. Frrok Kristaj është nderuar me dhjetëra shpërblime e çmime. Ndër to edhe çmimin e madh ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ nga presidenti historik Ibrahim Rugova, në vitin 1996”, ka përmendur Canolli.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, e shfrytëzoi foltoren për ta lavdëruar punën e bashkëpartiakes së tij, ministres së Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi, duke thënë se në kushte pandemie, jeta kulturore në Prishtinës është pasuruar shumë.

“Ju përgëzoj për punën që kemi arritur deri në këtë pikë, ku sot ndahen këto çmime me emrin e një personi që gëzon respektin e secilit qytetar, secilit shqiptar realisht në mbarë botën. Ne nëntorin e kemi shpallur Muajin e Anton Çettës dhe në këtë sallë kemi pasur disa organizime dhe më vjen mirë që jemi në këtë ditë”, ka thënë Hoti.

E ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi, ka thënë se ndarja e çmimit është vazhdimësi e aktiviteteve për Çettën, që nisën në muajin nëntor.

“Që nga nëntori i vitit të kaluar, hapësira e Bibliotekës Kombëtare është shndërruar në vend të kujtimit për intelektualin e ndritur, mbledhësin e shquar të folklorit, shkrimtarin dhe pajtuesin e gjaqeve, profesor Anton Çetta. Ceremonia sot shënon vazhdimin e aktiviteteve të shpallura vitin e kaluar, 100-vjetorin e lindjes, 25-vjetorin e vdekjes së Anton Çettës, 30-vjetorin e pajtimit të gjaqeve”, ka thënë Dumoshi, duke shtuar se kjo ngjarje ishte një kthesë mbarëpopullore historike që i kontribuoi zhdukjes së hasmërisë e pajtimit mes njerëzve.

Siç u tha në ceremoninë ku u nda çmimi në emër të Anton Çettës, shembulli i laureatit të çmimit në emër të tij duhet ndjekur edhe nga studiuesit e gjeneratat e reja që duan ta lartësojnë edhe më shumë jetën e pajtuesit të gjaqeve.

Emri i Anton Çettës kohëve të fundit, që nga nëntori e deri tani, është përmendur shpesh. Javën që shkoi familja e tij reagoi duke mos lejuar që shtatorja e tij të zërë vend te katedralja “Nënë Tereza”, me arsyetimin se veprimtaria e tij është mbipartiake e mbifetare. Bëhet fjalë për veprën e realizuar nga skulptori Fatmir Hoxha. E për shtatoren tjetër të Çettës, të realizuar nga skulptori Agon Qosa, Komuna e Prishtinës, në nëntor të 2020-s, e caktoi lokacionin te Fakulteti Filologjik.