FSSHK-ja alarmon, situata ka dalë jashtë kontrollit, rrezikojmë të shndërrohemi në “Wuhan të Ballkanit”

FSSHK-ja alarmon, situata ka dalë jashtë kontrollit, rrezikojmë të shndërrohemi në “Wuhan të Ballkanit” – Lajmet e fundit



Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) alarmon se Kosova rrezikon të shndërrohet në “Wuhan i Ballkanit”.

Kjo federatë i është drejtuar pak më parë Qeverisë aktuale dhe partive politike, pozitë dhe opozitë që nëse nuk veprojnë në lidhje me Pandeminë COVID-19, “Kosova do të jetë Wuhan i Ballkanit”.

FSSHK apelon që të dëgjohen profesionistët shëndetësor të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës duke qenë para një kolapsi në shëndetësi ju njoftojmë se situata është duke dal jashtë kontrollit dhe kjo falë politikave të ndyra të gjitha partive politike. Të gjitha këto veprime burokratike nga pozita dhe opozita në emër të të ashtuquajturave ligje është duke e përshkallëzuar situatën e keqe me COVID-19”, thuhet në reagimin e kësaj sindikate, raporton Zeri.info

“Në këtë situatë FSSHK edhe njëherë bën apel që të dëgjohen profesionistët shëndetësor të IKSHPK-së, apelet e Prof. Dr. Lul Rakës dhe të njerëzve që po merren direkt me luftimin e Pandemisë, e kurrsesi të mos dëgjohen Komisionet Ad-hoc të formuara nga politika”.

Në këtë reagim kjo federatë ka kërkuar nga ministri i shëndetësisë Armend Zemaj që të lë anash justifikimet politike.

“Ministër Zemaj, asnjë justifikim politik nuk vlen në këtë kohë nëse ju e bëni në bazë të burokracisë dhe veprimeve partiake”, është kërkesa e FSSHK-së drejtuar Zemajt.

FSSHK edhe njëherë alarmon që nëse Qeveria aktuale dhe partitë politike pozitë dhe opozitë nuk veprojnë në lidhje me Pandeminë COVID-19 “neve do të jemi Wuhan i Ballkanit”.

FSSHK rekomandon:

Të rritet numri i testimeve urgjentisht(të mos priten donatorët);

Të bëhen testet nëpër Komuna dhe institucione private;

Të dyfishohet buxheti për shëndetësi(punësimi i punëtorëve shëndetësor pa burokraci dhe referenca politike) si dhe të stimulohen punëtorët shëndetësor që janë të stërlodhur;

Të dëgjohen vetëm dhe vetëm instruksionet e profesionistëve shëndetësor;

Në të kundërtën punëtorët shëndetësor nuk marrin asnjë përgjegjësi ligjore në rrjedhën e mëtutjeshme të përkeqësimit eventual të situatës./Zëri