Gashi e quan “fletushkë” dhe “të ashtuquajtur program” programin qeverisës të Kurtit

Gashi e quan “fletushkë” dhe “të ashtuquajtur program” programin qeverisës të Kurtit – Lajmet e fundit

Foto: Laura Hasani


Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, thotë se nisja e qeverisjes së Albin Kurtit ishte “fillim pa ide”.

Në fakt, sipas Gashit, akoma nuk ka nisur kurrfarë qeverisjeje.

Gashi ka rikthyer në fjalimin e tij një përplasje, që e ka pasur me nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevcin, të cilën e ka akuzuar se nuk ia ka dhënë fjalën në Kuvend. Ai thotë se në Kuvend “arroganca e numrave” të shumicës po ua shkel të drejtën deputetëve të opozitës që të flasin.

“Liria këto javë është cenuar nga egoja për pushtet. Në këtë Kuvend u cenua e drejta e fjalës dhe shprehjes së deputetëve”, ka thënë Gashi i LDK-së, shkruan televizioni publik.

“Në këtë Kuvend shkelet praktika parlamentare dhe rregullat me të cilat funksionon demokracia, si parim i patjetërsueshëm”, ka shtuar ai.

Gashi thotë se edhe seanca e sotme e thirrur nga kryeministri Kurti i ka kaluar procedurat parlamentare dhe thotë se kryeministri ka ndërhyrë në punën e Kuvendit.

“Liria jonë nuk do të cenohet aspak e as të shkelet nga tekat personale të asnjë lideri politik. Asnjëherë. Aq më pak nga dëshira për pushtet absolut”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Gashi e ka quajtur “fletushkë” dhe “të ashtuquajtur program” programin e qeverisjes së Kurtit, të cilën e ka prezantuar kryeministri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së u ka dhënë vërejtje kryeministrit dhe kabinetit qeveritar për shumë prej pikave të programit qeverisës.