Gashi kërkon nga presidenti Thaçi të tërhiqet nga gjuha e përçarjes

Gashi kërkon nga presidenti Thaçi të tërhiqet nga gjuha e përçarjes – Lajmet e fundit



Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi të tërhiqet nga gjuha e urrejtjes.

Gashi ka kritikuar gjuhën e presidentit Thaçi, për të cilën ka thënë se është nën çdo nivel të pranueshëm për gjuhën e një bartësi institucional, duke iu referuar deklarimit të kreut të shtetit për incidentin e sotëm kur një qytetar u ndalua pasi e quajti presidentin “hajn”.

“Presidenti duhet të tërhiqet! Fjalori i presidentit Thaçi për arrestimin e një qytetari protestues në sheshin Nëna Terezë është nën çdo nivel të pranueshëm për gjuhën e një bartësi institucional. Gjuha që po përdor presidenti është, thënë minimalisht, gjuhë e përçarjes dhe nxitjes, e jo e bashkimit e pajtimit!”, ka shkruar Gashi.

Sipas tij, Presidenti ka përfunduar detyrimet e tij kushtetuese, duke iu referuar procesit të formimit të qeverisë së re, dhe se komentimet që po vazhdon t’i bëjë për situatën politike, Gashi thotë se nuk janë në frymën e pajtimit, unifikimit dhe përfaqësimit simbolik, frymë që duhet të prezantojë institucioni që ai drejton.

”Gjuha dhe retorika e liderëve politikë, e veçanërisht e presidentit, duhet me patjetër të pastrohet nga urrejtja, nëpërkëmbja, poshtërimi dhe fyerja e kundërshtarit politik”, ka shkruar Gashi.

Këto reagime Gashi i ka bërë pasi presidenti ka komentuar në një intervistë televizive, incidentin e sotëm ku një aktivist i Vetëvendosjes, e ka thirrur Thaçin “hajn” gjatë kohës sa ky i fundit po fliste para gazetarëve, ndërsa më pas ai është ndaluar nga mbrojtja e afërt e tij dhe është shoqëruar në polici. /Zëri