Gazheli me biznesin në Durrës: Marrja e statusit OEA, lehtësi për biznesin në gjithë rajonin

Gazheli me biznesin në Durrës: Marrja e statusit OEA, lehtësi për biznesin në gjithë rajonin

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi një takim me biznese që aderojnë në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, ku i njohu nga afër me kriteret dhe përfitimet që ka marrja e statusit të Operatorit Ekonomik i Autorizuar.

Gjatë këtij takimi z. Gazheli, informoi sipërmarrësit mbi risitë e bëra nga Administrata Doganore, që tashmë janë të prekshme dhe të ndjeshme për bizneset.

Rritja e eksporteve dhe importeve gjatë këtyre muajve të parë të vitit, është një tregues i matshëm tashmë që ekonomia dhe vetë bizneset janë në ringritje, pas dy krizave që kaluam si Tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia e Covid 19.

“Pavarësisht një viti sfidues nga pandemia, Administrata Doganore ka qenë në shërbim 24/7 të biznesit,  në funksion të lehtësimit të eksportit dhe importit, duke bërë përpjekjet maksimale në funksionet e saj kontrolluese, sigurimit të trajtimit të barabartë, mbrojtjes së konkurrencës së ndershme dhe lehtësimin e tregtisë së jashtme, theksoi Gazheli,  duke shtuar, se gjithmonë ka aspekte për t’u përmirësuar ndaj dhe zhvillojmë këtë takim të drejtëpëdrejtë me Dhomën e Tregtisë dhe bizneset e saj.

Ndërkohë bizneseve iu bë e ditur që certifikata “Operatori Ekonomik i Autorizuar”,  është një status i lëshuar për “tregtarët me besueshmëri” të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore.

Në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë mes vendeve të Ballkanit Perendimor-CEFTA është një certifikatë sigurie për shërbime të shpejta doganore për të lehtësuar, jo vetëm lëvizjen e lirë të mallrave në aspektin ekonomik dhe kohor, por edhe duke rritur prestigjin e administratave respektive doganore në shërbim të biznesit.

Ky takim vjen në vazhdën e një sërë takimesh,  që Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gazheli, së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj,  kanë zhvilluar në qytete të ndryshme të vendit.

Ky është një tregues i vëmendjes së qeverisë për autoritetet doganore, vlerësoi Gazheli, ndaj dhe vetëm në muajt e fundit,   kemi akorduar 4 certifikata për OEA ndërkohë që janë në proces dhe 5 aplikime të tjera.

Përfaqësuesit e biznesit vlerësuan këtë komunikim të drejtëpërdrejtë me strukturat doganore, si dhe mirëpriten ftesën e Kreut të Doganave, për të aplikuar për statusin e OEA, për ato sipërmarrje që plotësojnë kushtet teknike dhe financiare për ta përfituar këtë status.

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.