Gërvalla tregon se çfarë u bisedua në takimin e saj dhe të Kurtit me Merkelin

Gërvalla tregon se çfarë u bisedua në takimin e saj dhe të Kurtit me Merkelin – Lajmet e fundit



Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, janë takuar sot me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila po qëndron për vizitë në Shqipëri.

Gërvalla, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur temat të cilat janë diskutuar gjatë këtij takimi.

Ajo ka theksuar se së bashku me Kurtin e Merkelin biseduan për realitetin e ri politik në Kosovë, duke disktuar edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Biseduam me zonjën Merkel edhe rreth normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke theksuar nevojën që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe duke bërë të qartë se Kosova “nuk kthehet para vitit 2008” kur është fjala tek qëndrimi i Serbisë dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes dy shteteve”, ka shkruar ajo në Facebook. /Zëri

Postimi i saj i plotë:

Së bashku me kryeministrin Kurti sot kemi udhëtuar për Tiranë dhe kemi marrë pjesë në takimin e organizuar nga kancelarja gjermane, znj. Angela Merkel, me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Fillimisht, në suazat e një dreke të përbashkët pune, u diskutua rreth sfidave dhe të ardhmes së rajonit duke u përqendruar në proceset që lidhen me integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Më pas zhvilluam edhe një takim të veçantë me kancelaren Merkel ku biseduam fillimisht në detaj rreth realitetit të ri politik në Kosovë si dhe partneritetit dhe bashkëpunimit të gjatë dhe të frytshëm mes dy vendeve.

Gjatë diskutimit rreth zhvillimeve rajonale në Ballkanin Perëndimor u theksua se Procesi i Berlinit është platforma e përbashkët gjatë procesit të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kryeministri Kurti theksoi poashtu praninë së BE-së në iniciativa rajonale si të domosdoshme për rajonin.

Biseduam me zonjën Merkel edhe rreth normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke theksuar nevojën që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe duke bërë të qartë se Kosova “nuk kthehet para vitit 2008” kur është fjala tek qëndrimi i Serbisë dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Sundimi i ligjit, demokratizimi, ballafaqimi me të kaluarën dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave u theksuan si te domosdoshme jo vetëm për një bashkëpunim më të mirë rajonal, por edhe në rrugën e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Znj. Merkel i transmetuam falënderimet dhe i shprehëm mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe qeverisë së Kosovës për angazhimin dhe mbështetjen e Gjermanisë në përgjithësi dhe në veçanti të znj. Merkel në momentet vendimtare për Kosovën.