Gjenden shenja jete në thellësi rekorde të tokës

Gjenden shenja jete në thellësi rekorde të tokës

Në një pus të hapur për qëllime kërkimore si pjesë e projektit kinez “Continental Scientific Drilling” (CCSD), që është një nga më të thellë në tokë, janë zbuluar mikrobe në thellësi prej mbi 5 kilometra nga sipërfaqja e tokës.

Kjo është thellësia më e madhe në të cilën janë gjetur ndonjëherë shenja jete.

Deri më tash, thellësia më e madhe në të cilën ishin gjetur organizma të gjallë ishte 3.6 kilometra në një miniere ari në Afrikën e Jugut, ku ishin gjetur krimba të vegjël nematodë.

Ekipi i udhëhequr nga Hailiang Dong i Universitetit Kinez të Gjeoshkencave dhe Li Huang i Akademisë Kineze të Shkencave kanë zbuluar tani qelizat bakteriale në thellësi më të mëdha.

Në një pus të thellë 5.1 km të hapur në Kinën lindore, studiuesit gjetën ADN-në e atyre qelizave dhe rezultatet u botuan në revistën Geobiology.

Konfirmimi se qelizat janë të gjalla do të jetë një sfidë, pasi nga studimet e mëparshme dihet se mikrobet që jetojnë thellë nën sipërfaqe shpesh veprojnë në një shkallë të ngadaltë kohore, saqë tregojnë shumë pak nga “sinjalet” e jetës, siç janë lëvizja ose riprodhimi.

Por ka disa arsye për të besuar se mikrobet e sapogjetura janë me të vërtetë të gjalla. Sipas shkencëtarëve, është e mundur që ato mikrobe të formojnë një komunitet të gjallë. Në këtë pikë, është e mundur që mikrobe të tjera mund të gjenden më thellë në pjesë të tjera të botës.

Jeta në 5 kilometra thellësi në të njëjtin pus duket e pamundur, për shkak të temperaturave shumë të larta – 137° C. Sipas shumicës së biologëve përtej 122° C organizmat nuk janë në gjendje të jetojnë, por sipas llogaritjeve të Dong dhe Huang, jeta mund të ekzistojë deri në 150° C, një hipotezë e pranueshme me mundësinë që bakteret të jetojnë “pa problem” në 137° C.

Sipas Barbara Sherwood Lollar nga Universiteti i Torontos në Kanada, temperatura mund të mos jetë i vetmi parametër që do të merret në konsideratë për të kufizuar jetën nën tokë.

“Unë mendoj se kufijtë në fakt janë për shkak të një ndërveprimi kompleks midis një larmie parametrash të ndryshëm, duke përfshirë temperaturën, presionin dhe natyrën fizike të shkëmbinjve, porozitetin e tyre dhe ujin që hyn në sistem”, tha ajo. a2news/ KultPlus.com